Pretendimi: Helmi i bletës vret 100% të qelizave të kancerit të gjirit, por kjo është mbajtur e fshehtë nga kompanitë farmaceutike për të përfituar
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se helmi i bletës vret 100% të qelizave të kancerit të gjirit, por kjo është mbajtur e fshehtë nga kompanitë farmaceutike për të përfituar.

Është e vërtetë se një studim nga Instituti i Kërkimeve Mjekësore Harry Perkins në Australinë Perëndimore gjeti se helmi i bletëve shkatërron qelizat agresive të kancerit të gjirit në një mjedis laboratorik. Studime të tjera kanë arritur në përfundime të ngjashme në lidhje me efektin e helmit të bletëve në kancerin e gjirit dhe të qelizës kancerogjene të pankreasit.
Megjithatë, ndryshe nga ç’pretendon postimi, ky zbulim nuk u mbajt i fshehtë nga kompanitë farmaceutike. Ai vijon të jetë publik dhe mund të aksesohet falas. Në kohën e publikimit të tij në vitin 2020, gjetjet u raportuan në mediat kryesore ndërkombëtare

Gjetjet e studimit botuar në median britanike BBC në 2020
Shkencëtarët testuan helmin nga mbi 300 bletë dhe grerëza. Një përqendrim i helmit u gjet se vriste qelizat kancerogjene brenda një ore, me dëm minimal për qelizat e tjera. Por toksiciteti u rrit për nivele të tjera të dozave. Studiuesit zbuluan gjithashtu se përbërja e melittinës më vete ishte efektive në ndërprerjen e rritjes së qelizave kancerogjene.
Megjithatë, melittina nuk sulmon vetëm qelizat kancerogjene. Ajo gjithashtu mund të dëmtojë qelizat e shëndetshme në trup.
Shkencëtari kryesor i Australisë Perëndimore, profesor Peter Klinken, e përshkroi hulumtimin si “jashtëzakonisht emocionues.”
Por studiuesit paralajmërojnë se nevojitet më shumë punë për të parë nëse helmi mund të funksionojë në shkallë të gjerë si një ilaç për luftimin e kancerit.
“Është ende shumë herët”, tha Prof. i Asociuar Alex Swarbrick, nga Instituti i Kërkimeve Mjekësore Garvan në Sydney. “Shumë komponime mund të vrasin një qelizë të kancerit të gjirit në një pjatë ose në një mi. Por ka një rrugë të gjatë për të bërë nga këto zbulime deri në diçka që mund të ndryshojë praktikën klinike”, tha ai për BBC.
Studiuesit e kanë testuar helmin e bletës në mjedise laboratorike dhe te kafshët. Ende nuk janë kryer prova klinike te njerëzit në shkallë të gjerë për trajtimin e kancerit të gjirit. Para se të përdorin ndonjë trajtim te njerëzit, studiuesit duhet të kryejnë faza të shumëfishta testimi, duke përfshirë provat e sigurisë dhe provat për të vlerësuar efektivitetin e tij. Gjetjet laboratorike mund të mos përkthehen në ilaçe të suksesshme për njerëzit.
Një rishikim i vitit 2023 theksoi se shumica e studimeve mbi helmin e bletës deri më tani kanë qenë paraklinike, që do të thotë se ato janë testuar vetëm në laborator ose në modele shtazore. Asnjë provë te njerëzit nuk ka vërtetuar ende efektivitetin e tij në trajtimin e kancerit të gjirit.
Një studim i vitit 2016 theksoi sfidat e përdorimit të helmit të bletës në mjediset klinike për shkak të citotoksicitetit të tij jo-specifik, që do të thotë se mund të dëmtojë si qelizat e shëndetshme ashtu edhe ato kancerogjene.






