Emi Kalaja
Historitë emocionuese të familjeve shkodrane që kanë hapur dyert dhe zemrat e tyre për të pritur fëmijët jetimë dhe sfidat e bashkive për reforma në shërbimet sociale
Shërbimet sociale mbeten fusha më problematike e qeverisjes vendore në Shqipëri. Ky sektor ekspozon pabarazinë territoriale dhe kapacitetet e dobëta institucionale, ndërsa bashkitë vazhdojnë të reagojnë më shumë ndaj emergjencave sesa të ndërtojnë politika afatgjata sociale. Sipas raportit të “Sistemit të Matjes së Performancës të Bashkive”, në vitin 2024 më pak se 40% të kërkesave për strehim social mbuloheshin nga bashkitë, ndërsa shërbimet për personat me aftësi të kufizuar ishin në nivele të ulëta.
Këto janë sfida reale edhe për bashkinë Shkodër, në një kohë kur rritja e nevojave sociale kërkon më shumë investime, më shumë profesionistë dhe një qasje të re ndaj kujdesit social. Në grafikun kombëtar për numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike për 1000 familje, Shkodra renditet ndër bashkitë me nivel të konsiderueshëm të përfituesve, çka tregon se nevojat sociale mbeten të larta dhe kërkojnë më shumë sesa vetëm ndihmë financiare.
Një tjetër problematikë e hasur në nivel vendor është mungesa e stafit profesionist dhe kapaciteteve teknike të bashkive. Për këtë arsye, bashkitë që arrijnë të ndërtojnë bashkëpunim institucional, tërheqin fonde dhe zhvillojnë struktura sociale funksionale konsiderohen si modelet me performancën më të mirë.
Në këtë drejtim, Shkodra po synon të kalojë nga modeli i menaxhimit emergjent tek ai i planifikimit social afatgjatë, në përputhje me standardet europiane të mbrojtjes së fëmijëve dhe familjes. Pikërisht mbi këtë realitet po ndërtohet sot procesi i deinstitucionalizimit të shtëpive të fëmijës 0-5 vjeç dhe 6-18 vjeç.
Shkodra, modeli i ri për fëmijët jetimë
Prej afro dy vitesh Shtëpija e Fëmijës të mitur në Shkodër nuk ka akomoduar në ambjentet e saj raste të reja fëmijësh. Kjo si rezultat i pilotimit të një procesi të ri për trajtimin e fëmijëve jetimë në familje kujdestare pa lidhje gjaku. Në Shqipëri, kjo qasje po promovohet tashmë si pjesë e reformës kombëtare të kujdesit social dhe standardeve të Bashkimit Europian.

“Deinstitucionalizimi (DEI) është një proces që vendi ynë e ka ndërmarrë si kusht për integrimin në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht një proces për të cilin prej vitesh kemi lobuar dhe punuar”, shprehet Anxhela Radovani, drejtuese e Shtëpisë së Fëmijës 0-5 vjeç në Shkodër.
Radovani thekson se deri më tani shërbimi social ka funksionuar kryesisht në situata emergjente dhe jo mbi një sistem të mirëfilltë parandalues dhe mbështetës për familjen. Për këtë arsye, procesi i deinstitucionalizimit synon të ndërtojë një model të ri, ku fokusi të mos jetë vetëm reagimi ndaj rasteve, por parandalimi i institucionalizimit dhe mbështetja e hershme e fëmijëve dhe familjeve në komunitet.
“Është detyrë e pushtetit vendor të ngrejë Shërbimet Mbështetëse për Fëmijë dhe Familje (SHMFF) brenda institucionit rezidencial, me qëllim ofrimin e shërbimeve alternative, fuqizimin e familjeve dhe parandalimin e institucionalizimit”, shprehet ajo.
Për këtë arsye është kërkuar edhe Fondi Social, me synim mbulimin e kostove të këtij transformimi, shtimin e figurave të reja profesionale dhe plotësimin e shërbimeve që aktualisht mungojnë.
Sipas drejtueses së institucionit, Shkodra është një hap përpara në këtë proces si në ndalimin gradual të pranimeve të reja, ashtu edhe në zhvillimin e modeleve alternative të kujdesit. Një tjetër element që po afron transformimin e institucionit është edhe numri i lartë i proceseve të birësimit.
“Kemi shumë procese birësimi, gjë që automatikisht do të ulë numrin e fëmijëve në institucion dhe e afron më shumë institucionin me transformimin”, shton ajo.
Në këtë kuadër, Shkodra po shihet si një nga bashkitë ku ky tranzicion po provohet konkretisht në terren.
Drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë Shkodër, Edita Shoshi, thotë se Shkodra ka qenë ndër bashkitë e para që ka përqafuar modelin e deinstitucionalizimit të kujdesit për fëmijët, duke e konsideruar atë jo vetëm një reformë sociale, por një detyrim moral ndaj fëmijëve.
Sipas saj, filozofia e këtij procesi bazohet në parimin se çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një familje dhe se institucionet nuk mund të zëvendësojnë sigurinë emocionale, dashurinë dhe mbështetjen që ofron mjedisi familjar.
“Shkodra ka qenë bashkia e parë në Shqipëri që ka zbatuar kujdestarinë familjare me familje pa lidhje biologjike me fëmijën. Që nga viti 2015 kemi realizuar disa raste të suksesshme, të cilat kanë treguar se alternativat familjare funksionojnë dhe janë në interesin më të mirë të fëmijës. Një nga rastet më domethënëse ishte ai i një fëmije që u vendos fillimisht në një familje kujdestare, ndërsa paralelisht u punua me familjen biologjike për krijimin e kushteve të nevojshme për ribashkim. Përmes mbështetjes me strehim, trajnime profesionale, ndihmë ekonomike dhe shërbime sociale, familja arriti të fuqizohej dhe fëmija u rikthye pranë saj në kushte të sigurta dhe të qëndrueshme”, shprehet Shoshi.

Ajo thekson se një moment i rëndësishëm në këtë proces ka qenë marrëveshja e bashkëpunimit mes Bashkisë Shkodër dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e mbështetur nga UNICEF dhe partnerë të tjerë, e cila synon transformimin gradual të modelit tradicional institucional drejt shërbimeve alternative të bazuara në familje dhe komunitet.
Kujdesi në familjet birësuese
“Nuk ka asnjë institucion që ta zëvendësojë dashurinë e familjes.” Kështu e nis rrëfimin e saj një grua shkodrane, e cila prej tetë vitesh ka në kujdestari një djalë që e mori kur ishte vetëm tre vjeç e gjysmë.
Ajo e kujton me detaje ditën kur fëmija hyri për herë të parë në shtëpinë e tyre. Ishte fund korriku i vitit 2018. Jashtë binte shi, ndërsa brenda një familje po përpiqej të fitonte besimin e një fëmije që nuk e kuptonte ende se jeta e tij po ndryshonte përgjithmonë.
“Ishte i trembur dhe i ndrojtur. Nuk më afrohej fare mua. Vetëm burrit tim i besonte pak. Kur filloi të errësohej, kërkonte të kthehej në ‘shtëpinë e tij’. Kur i thoshim se kjo ishte tashmë shtëpia e tij, ai përgjigjej: ‘Jo, shtëpia ime është ajo e madhja me shumë fëmijë’.”
Ditët e para nuk ishin të lehta. Netët edhe më pak. Fëmija nuk ndihej pjesë e familjes së re dhe iu desh kohë të krijonte siguri. Vetëm për t’iu afruar nënës kujdestare u deshën rreth tre muaj. Ajo pranon me sinqeritet se dashuria nuk lindi menjëherë.
“Nëse më pyesni a e desha që ditën e parë, do të gënjeja po të thosha po. Më dhimbsej shpirti për të. Qaja me të kur vuante. Por dashuria erdhi ngadalë, ditë pas dite, dhe u bë jashtëzakonisht e fortë.”
Sot, pas tetë vitesh, ai është djali i shtëpisë.
“Është shpirti i shpirtit tim. E ndjej thellë në zemër. Nuk ka gjë në botë që na ndan. Kur e shoh të lumtur, të sigurt dhe të qeshur, zemra më mbushet me gëzim.”
Pak kohë më parë, familja vizitoi prindërit biologjikë të djalit. Ajo që pa e tronditi.
“Ishin në një varfëri të skajshme. Kur dëgjova të thoshin se kishin dy ditë pa futur gjë në gojë, diçka m’u këput në shpirt. Atëherë kuptova edhe më shumë sa me fat jam që e mora këtë fëmijë dhe sa e rëndësishme ishte që ai të kishte një familje.”

Djali tashmë ka përfunduar klasën e pestë me rezultate shumë të mira. Ndjek kursin e anglishtes dhe fizarmonikës, ndërsa arti është pasioni i tij.
Por ka momente që ende e prekin thellë nënën kujdestare. Sa herë familja shpenzon për shkollimin apo nevojat e tij, ai i thotë:
“Mami, po harxhon shumë lekë për mua. Do t’i kthej kur të rritem.”
Përgjigjja e saj është gjithmonë e njëjtë:
“Asgjë nuk më ke borxh. Vetëm bëhu djalë i mirë, punëtor, i mençur dhe i matur. Kaq më mjafton.”
Për të, përvoja e kujdestarisë familjare është prova më e fortë se asnjë institucion nuk mund të zëvendësojë ngrohtësinë e një familjeje.
Ajo kujton edhe një vizitë në Shtëpinë e Fëmijës, ku një vajzë e vogël, pasi mori dhuratën e saj, u shtri në krevat dhe nisi të qante: “Më gjeni një mami. Dua një mami.”
Një fjali që, sipas saj, thotë gjithçka. Mesazhi i saj për familjet që hezitojnë të hapin derën për një fëmijë pa përkujdesje prindërore është i thjeshtë:
“Merreni, rriteni, edukojeni, jepini dashuri dhe ngrohtësi. Nuk është e nevojshme t’i lini pasuri. Nëse i jepni arsim, përkujdesje dhe dashuri, i keni falur botën. Mos prisni gjatë për t’i gëzuar zemrën një fëmije. Nga përvoja ime, në fund do të merrni shumë më tepër dashuri sesa do të jepni.”
A mund të funksionojë ky model ?
Drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë Shkodër, Edita Shoshi thekson se po aq i rëndësishëm sa largimi i fëmijëve nga institucionet është edhe parandalimi i ndarjes së tyre nga familjet. “Ne investojmë shumë në ndërhyrjet e hershme dhe në mbështetjen e familjeve në nevojë. Veçanërisht për familjet në situata vulnerabël, përfshirë komunitetin rom, ofrohen shërbime që lidhen me arsimin, punësimin, strehimin dhe përfshirjen sociale. Synimi është që asnjë fëmijë të mos përfundojë në kujdes institucional për shkak të varfërisë apo përjashtimit social”, thekson drejtoresha.
Ajo nënvizon se, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së fëmijëve, largimi i një fëmije nga familja konsiderohet gjithmonë masa e fundit.
“Deinstitucionalizimi nuk matet me numrin e institucioneve që mbyllen, por me numrin e fëmijëve që arrijnë të rriten në një familje, të ndihen të mbrojtur dhe të kenë mundësi për një të ardhme më të mirë. Ky është standardi që duam të ndërtojmë në Shkodër dhe që mund të përqafohet në të gjitha bashkitë”, përfundon Edita Shoshi.
Nga rrëfimet e nënave kujdestare, tek vizioni i institucioneve vendore, historia e Shkodrës dëshmon se transformimi social nuk është thjesht një reformë, por një udhëtim i mbushur me zemër dhe shpresë. Çdo fëmijë që gjen një shtëpi, çdo familje që fuqizohet, është një dëshmi e gjallë se dashuria dhe kujdesi mund të ndryshojnë fatin e një jete. Ky proces nuk matet me statistika, por me buzëqeshjet e fëmijëve që ndihen të sigurt, me zemrat e prindërve që hapin dyert e tyre, dhe me komunitetet që mësojnë të jenë më të ndjeshme e më të bashkuara. Shkodra po tregon se e ardhmja e kujdesit social është tek familja, tek solidariteti dhe tek besimi se çdo fëmijë meriton një vend ku të ndjehet i dashur.







