Anesti Barjamemaj
Këto ditë të fundit të majit bimësia është harlisur së bashku me plehrat që nuk mungojnë asnjëherë në kanale dhe Agroni, banor në rrugën “Pelivan Leskaj” në Vlorë, shumë pranë kanalit të Siavit, i druhet përmbytjes së rradhës me ardhjen e vjeshtës. “Këtë vit ka qenë situatë pak më e qetë, por sërish kemi frikë se mos rikthehen përmbytjet”, pohoi ai.
Vërshimet nga reshjet e dendura të tetorit 2024, nuk kursyen as banesën e tij, e cila ndodhet në një distancë jo më larg se 20 metra nga ky kanal. “Vërshimi i ujërave për shkak të bllokimit të kanaleve mbuloi shtëpinë duke nxjerrë jashtë përdorimit një pjesë të pajisjeve elektroshtëpiake. Më është bërë dëm gati 10 milionë lekë”, tha Agroni për Faktoje.
Banesa e Agronit nuk ishte e vetmja që u prek nga përmbytjet. Uji mbuloi lagje të tëra në Vlorë, ku qindra shtëpi e biznese pësuan dëme të shumta. Sipas të dhënave nga Emergjencat Civile, 323 banesa dhe 73 biznese u dëmtuan dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur u akorduan rreth 200 mijë euro fonde.
Të njëjtin shqetësim për përmbytjen e rradhës ka dhe këshilltari bashkiak nga radhët e opozitës, Besmir Brahimi, gjithashtu banor i lagjes ku kalon kanali i Siavit. “Problematika e kanaleve kulluese është shumëvjeçare dhe kam pritur të kishte vendime drastike në bashki dhe studime të thelluara për të mirëmbajtur këto kanale, por ende asgjë. Kam denoncuar që në kanal derdhen ujëra të zeza që rëndojnë situatën e bllokimit, por nga bashkia nuk do t’ia dijë njeri deri tani”, thotë Brahimi.

Nga të dhënat e grumbulluara për këtë shkrim, kanalet kulluese në Vlorë mbartin shumë probleme edhe nga derdhja në to e ujërave të zeza që vështirësojnë më tej mbushjen me mbetje plastike të hedhura në mënyrë të pakujdesshme. Në këto rrethana pastrimi i kanaleve të ujërave të larta, që bëjnë pjesë te kanalet kulluese mbetet jo efektiv edhe në rast se do të kryhej i plotë. Ky fakt pranohet ‘off the record’ nga zyrtarë të ndryshëm lokal, por vërtetohet edhe nga vëzhgimi në terren i Faktoje.
Pastrimi kryhet, por garancitë mungojnë
Shqetësimin e Agronit dhe banorëve të tjerë të rrezikuar nga përmbytjet në Vlorë e përforcojnë edhe shifrat e situatës së pastrimit dhe mirëmbajtjes së kanaleve në Raportit të Performancës së Bashkive 2025, i publikuar nga Agjencia për Mbështetjen për Vetëqeverisjen Vendore.
Të dhënat për bashkinë Vlorë zbulojnë se Bashkia Vlorë ka gati 95 përqind të kanaleve të kullimit funksionalë përkundrejt mesatares kombëtare që rezulton në nivelin e 64.29 %. Megjithatë, në realitet situata është ndryshe. Vëzhgimi i Faktoje tregon se pavarësisht aksioneve të ndërrmara nga bashkia e ndihmuar edhe me mjete të ushtrisë, problemi i bllokimit të kanaleve nuk po gjen zgjidhje. Banorët vijojnë të hedhin mbetje plastike dhe të derdhin ujërat e zeza në këto kanale, çka pamundësojnë mirëmbajtjen e tyre.
Për ekspertin e pushtetit vendor, Agron Haxhimali, kjo performancë nuk lidhet direkt me buxhetin, por me prioritetet. “Nuk mendoj se s’kanë kapacitete, mendoj se duhet ta vendosin prioritet. Sigurisht shërbimi duhet mbështetur më shumë me burime financiare edhe nga qeveria dhe vetë bashkia”, tha Haxhimali për Faktoje.

Sipas tij, Vlora ndryshe nga bashki të vogla ka avantazh, pasi ka buxhet më të madh, “çka do thotë se kapaciteti financiar është më i lartë e për rrjedhojë kapacitete për mirëmbajte dhe investime janë të mundshme”.
Ndërsa ekspertja e ekonomisë, Merita Toska, problemin nuk e shikon vetëm te mungesa e angazhimit nga institucionet, por te “ekspozimi ndaj reshjeve intensive dhe përmbytjeve, presioni urban dhe ndërtimor, bllokimi i kanaleve nga mbetje apo inerte, si dhe nevoja për koordinim ndërmjet bashkisë, strukturave të ujitjes dhe kullimit, emergjencave civile dhe komuniteteve lokale. Raportime lokale kanë evidentuar raste të bllokimit të kanaleve kulluese në Vlorë nga mbetjet urbane dhe inertet, duke shtuar rrezikun për përmbytje”.
Sipas saj përgjegjësia nuk duhet të bjerë vetëm mbi Bashkinë Vlorë që ka përgjegjësinë kryesore për mirëmbajtjen e kanaleve, pasi “kapacitetet aktuale nuk duken të mjaftueshme për një mirëmbajtje sistematike dhe parandaluese të të gjithë rrjetit”.

Panorama e Bashkisë Vlorë, pranohen problemet
Për të përditësuar të dhënat zyrtare për situatën e mirëmbajtjes së kanaleve në vitin 2026, iu drejtuam me një kërkesë për informacion bashkisë Vlorë.
Në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Bashkia Vlorë deklaron se për vitin 2025, buxheti i dedikuar për Sektorin e Bordit të Ujitjes dhe Kullimit pranë Bashkisë Vlorë ka qenë në vlerën 27,644,000 lekë, në kategorinë “Shpenzime Operative”. Ajo që bie në sy është se shpenzimet kryesore shkojnë për energji elektrike për hidrovorët dhe për karburant për mjetet e Bordit të Kullimit.
Për vitin 2026 ka një rritje të buxhetit për këtë sektor, por sërish duket se fondet nuk janë të mjaftueshme. “Për vitin 2026, buxheti i miratuar për Sektorin e Bordit të Ujitjes dhe Kullimit është: 18,380,000 Lekë të rinj në kategorinë “Shpenzime Operative”; 35,011,000 Lekë të rinj në kategorinë “Shpenzime Operative Specifike dhe Investime”. Nga fondi i shpenzimeve operative, pjesën kryesore e zë: Karburanti për funksionimin e mjeteve dhe eskavatorëve të angazhuar në pastrimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese, në vlerën 11,500,000 lekë të reja”, deklaron Bashkia Vlorë në përgjigje të kërkesës për informacion.

Vetë institucioni gjithashtu pranon problemin e pastrimit të kanaleve, por edhe të amortizimit të tyre, duke treguar edhe arsyet që nisin nga ndërtimet mbi kanale e deri te faktorët natyrorë, gjë që shkaktuan edhe përmbytjet në tetor të vitit 2024 dhe u pasuan nga disa përmbytje të tjera.
“Realizimi i pastrimit 100% të rrjetit është hasur me disa vështirësi objektive, ndër të cilat: shtrirja e gjerë territoriale e rrjetit të kanaleve kulluese dhe ujitëse; amortizimi i theksuar i infrastrukturës ekzistuese; prania e ndërtimeve dhe zaptimeve të paligjshme mbi kanale; vështirësitë në aksesimin e disa segmenteve me mjete të rënda; prurjet e vazhdueshme të mbetjeve urbane, inerteve dhe materialeve të ngurta në kanale; mungesa e investimeve rehabilituese të plota ndër vite; kushtet atmosferike dhe reshjet intensive në periudha të caktuara, të cilat kanë krijuar nevojë për ripastrime të vazhdueshme”, pohon Bashkia Vlorë.
Bashkia Vlorë konfirmon se kanalet kulluese janë plotësisht në varësi të bashkisë dhe se në periferi, në zonat rurale vëmendja për pastrimin e kanaleve ka qënë më e lartë se në qytet.
Problematika e administrimit të kanaleve
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas përmbytjeve të tetorit 2024 evidentoi se kanali i Siavit dhe Naukës që përshkojnë gjithë qytetin e Vlorës kanë problematika të shumta administrimi. Për pastrimin e tyre pas përmbytjeve u angazhuan edhe mjetet e Forcave të Armatosura që zgjidhën situatën emergjente.
Bashkia Vlorë argumenton se “ndërhyrjet në këto segmente kanë kërkuar koordinim institucional, procedura administrative shtesë dhe investime rehabilituese specifike, duke ndikuar në ritmin e realizimit të pastrimit të plotë të rrjetit kullues”.
Pavarësisht punës, që nga zyrtarët e bashkisë pohohet se është e përjavshme, sërish pastrimi i kanaleve nuk bëhet i plotë. Në muajt e fundit, Bashkia Vlorë ka shembur dhjetëra ndërtime pa leje që kishin bllokuar rrjedhën e kanaleve kulluese, por do të duhen edhe shumë javë të tjera që të shemben të gjitha godinat e paligjshme.
Kanalet kulluese përveç se janë në menaxhim të bashkisë, janë edhe përgjegjësi e Ujësjellës Kanalizime Vlorë. Në një përgjigje me shkrim për Faktoje, drejtori i UKV Klevis Kaso flet për një tjetër problematikë që ndikon negativisht në punën e tyre.

Kaso shprehet se në muajt e fundit kanë mbyllur dhjetëra derdhje të paligjshme të ujërave të zeza në kanalet kryesore të Vlorës, që ndikojnë në zhvillimin më te shpejtë të bimësisë, por sërish ka ende shumë banesa e biznese që janë evidentuar se ndotin kanalet.
“Ne do të vazhdojmë intensivisht punën për mbylljen e çdo derdhje deri në atë të fundit. Si edhe do të punojmë për konstatimin e ndonjë familje e cila dëmton mbylljen e kryer nga ana jonë”, pohoi Kaso duke shtuar se relacioni i është dorëzuar dhe autorieteteve të tjera dhe ka nisur puna për koordinimin e aksionit për të përmirësuar shërbimin për qytetarët.
Kaso shtoi se ka pasur raste kur familje të ndryshme kanë gjetur rrugë alternative për shmangur bllokimin e derdhjes së ujërave të zeza në kanalet kulluese, por në pak raste nuk është kryer dot ndërhyrja për shkak të terrenit. “3 familje mbeten në pamundësi për mbyllje e tyre për shkak të terrenit”, tha ai.
Ekspertja Merita Toska problemin e shikon edhe te ligji për vetëqeverisjen vendore. Ajo thotë se bashkive u janë dhënë kompentenca të shumta, por nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për të kryer efektivisht punët që u takojnë.
“Ligji për administrimin e ujitjes dhe kullimit u ngarkon bashkive përgjegjësi konkrete për administrimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e një pjese të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit që u është transferuar në pronësi ose administrim. Kjo do të thotë se bashkitë kanë rol të drejtpërdrejtë në mirëmbajtjen e kanaleve, por ky rol kërkon mjete financiare, pajisje, staf teknik, planifikim vjetor dhe koordinim institucional”,thotë Toska.
Sipas ekspertes shumë bashki përballen me kufizime të theksuara buxhetore dhe i kryejnë ndërhyrjet pas reshjeve që sjellin përmbytje. “Të ardhurat e veta vendore shpesh nuk janë të mjaftueshme për të përballuar të gjitha funksionet e transferuara, veçanërisht në bashkitë me territor të gjerë rural, rrjet të madh kanalesh, zona të ekspozuara ndaj përmbytjeve dhe nevoja të larta për ndërhyrje periodike. Në këto kushte, mirëmbajtja e kanaleve shpesh mbetet pas prioriteteve më të dukshme publike, si pastrimi urban, ndriçimi, rrugët, shërbimet sociale apo emergjencat e menjëhershme”, shprehet ajo.
Por megjithatë, Toska shton se bashkitë nuk janë formalisht të përjashtuara nga përgjegjësia dhe nuk mund të justifikojnë plotësisht mosveprimin vetëm me mungesën e fondeve.
Për ekspertin e pushtetit vendor, Agron Haxhimali, mirëmbatja e kanaleve kulluese është çështje menaxhim i shërbimeve publike dhe çështje aftësive administrative dhe sipas tij kujdesi duhet në të katërta stinët.
“Asnjë neglizhencë në kontrollimin e sistemit nuk duhet toleruar. Marrin buxhet nga kategoria e tranfertave sektoriale. Nuk mund të them nëse janë shumë, mendoj që shërbimi nuk është kostuar drejtë nga buxheti qendror. Megjithatë bashkia ështe e lejuar të mbështesë sektorin me burime nga të ardhurat e veta. Asnjëherë dhe për asnjë shërbim dhe kudo, s’do ketë mjete fianciare që “ngop” plotësisht shërbimin. Por një standard duhet vendosur dhe duhet përmbushet me politika të harmonizuara ndërqeveritare”, shprehet Haxhimali.
Ndikimi negativ edhe në turizëm
Nga ana tjetër këshilltari bashkiak, Besmir Brahimi, shkakun e mospastrimit të kanaleve e shikon edhe tek përplasja institucionale mes bashkisë dhe ujësjellësit pasi nuk është e qartë se ne varësi të kujt janë këto kanale. Buxhetimi për këtë sektor është shtuar pohon edhe Brahimi, por problemi lidhet edhe me mungesën e një studimi fizibiliteti për mirëmbajtjen e kanaleve.
“Shpresoj që ky studim të dalë sa më shpejt, pasi është një kompani eksperte e hidroteknikës. Mendoj se ky studim i plotë mund të gjejë problematikat dhe ta shpëtojë Vlorën njëherë e mirë nga përmbytjet”, deklaron Brahimi.
Në përfundim, problematika e kanaleve kulluese në Vlorë mbetet një sfidë e vazhdueshme që nuk mund të zgjidhet vetëm nga Bashkia. Ndryshimet klimatike, derdhja e ujërave të zeza, mbetjet urbane dhe ndërtimet pa leje e kanë bërë situatën më komplekse. Zgjidhja kërkon një qasje të integruar mes bashkisë, institucioneve të tjera dhe vetë komunitetit, për të siguruar mirëmbajtje parandaluese të kanalizimeve, në mënyrë që Vlora të mbrohet nga përmbytjet dhe të ruajë potencialin e saj turistik.







