I rremë ky ekzekutim i filantropit Soros 7 vite më parë

8

Pretendimi: Ky imazh tregon miliaderin George Soros përpara ekzekutimit të tij 7 vite më parë.

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————–

Në hapësirat konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një imazh që pretendohet se tregon një nga shënjestrat e preferuara të teorive konspirative, miliarderin George Soros, përpara se ai të ekzekutohej 7 vite më parë.

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm, nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë, aq më pak e jashtëzakonshme.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm është botuar fillimisht në një artikull i një portali grek që shpërndan rregullisht teori konspirative dhe keqinformim.

Artikulli i vitit 2020 pretendon se “Soros është arrestuar dhe burgosur në burgun e sigurisë maksimale në Gjirin e Guantanamos, GITMO.”

Më tej, ai pretendon edhe se ish presidenti amerikan George Bush është arrestuar, “duke u përballur me akuza për tradhti të lartë, pedofili, pastrim parash dhe të tjera,” ndërsa ish presidenti amerikan Barack Obama “u arrestua në shtator 2019 dhe më pas u ekzekutua në tetor.”

Sigurisht, as për këto pretendime nuk sillet ndonjë provë apo burim.

Lajmi për vdekjen e Soros nuk është botuar në asnjë media ndërkombëtare apo vendase.

Kjo nuk është hera e parë që qarkullon pretendimi se Soros ka ndërruar jetë. Në 15 maj 2023, gati 3 vite pas ekzekutimit te tij të pretenduar, 93-vjeçari u detyrua të postonte në Twitter për të përgënjeshtruar lajmet se ai kishte vdekur.

“Thashethemet se unë kam pësuar një infarkt në zemër jane krejt të rreme. Jam gjallë dhe i shëndetshëm.”

Soros ka qenë prej kohësh shënjestër e një sërë teorish konspirative që e fajësojnë atë për një gamë gati të mbinatyrshme ligësish. Faktoje ka verifikuar edhe më parë lajme të rreme që kanë shënjestruar miliarderin 93-vjeçar.