Si qarkulloi narrativa “Izraeli po blen Shqipërinë!?”

36

Nga Jona Cenameri

Në ditën e saj të gjashtëmbëdhjetë, protesta që nisi për të kundërshtuar projektin në Zvërnec vazhdon të mbledhë mijëra qytetarë në shesh.

Paralelisht me protestën në terren, një betejë tjetër zhvillohet në TikTok, Instagram dhe rrjete të tjera sociale, aty ku lindi edhe vetë mobilizimi fillestar. 

Krahas kundërshtimit të projektit, në hapësirën digjitale kanë qarkulluar edhe pretendime të paverifikuara. 

Një nga më të përhapurit pretendon se pas investimeve të lidhura me Jared Kushner qëndron një plan i Izraelit për të “blerë” Zvërnecin, Vlorën apo edhe Shqipërinë.

Nga videot me dhjetëra e qindra mijëra shikime në TikTok, te postimet në Instagram, Facebook dhe pankartat e shfaqura nga një pjesë e protestuesve, ky pretendim ka kaluar gradualisht nga hapësira digjitale në atë fizike.

“Është parë se zaptimi i tokave kështu ka filluar, me investime të vogla. Sot po e shohim në Lindjen e Mesme ku ka arritur deri në gjenocid. A do ta lejojmë të ndodhë edhe në Shqipëri? Jo.”

Ky është argumenti që një student 20-vjeçar i historisë nga Tirana përdor për të shpjeguar pse ndodhet në protestë. Për të, kundërshtimi ndaj projektit nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e një zone të mbrojtur apo me qeverisjen e vendit, por edhe me zhvillimet në Gaza dhe perceptimin e tij për rolin e Izraelit në botë.

I pyetur se pse e lidhte projektin në Zvërnec me Izraelin, ai argumentoi se familja e Jared Kushner ka mbështetur organizata izraelite dhe se investime të tilla duhen parë në një kontekst më të gjerë politik.

Një tjetër i ri, nën 20 vjeç, i cili në një prej mbrëmjeve ishte edhe folës në podiumin e protestës, e lidhi pjesëmarrjen e tij drejtpërdrejt me kundërshtimin ndaj zionizmit.

“Unë protestoj kundër zionizmit dhe interesave të tyre për t’u zgjeruar edhe në Shqipëri”, tha ai për Faktoje.

Konteksti

Eksperti i gjeopolitikës Ledion Krisafi argumenton se klima ndërkombëtare e krijuar pas luftës në Gaza ka luajtur një rol të rëndësishëm në mënyrën se si një pjesë e publikut i ka interpretuar këto zhvillime.

“Veprimet që Izraeli ka kryer sidomos në Gaza vitet e fundit kanë krijuar një antisemitizëm të fshehur në një pjesë të popullsisë që shfaqet pikërisht në raste të tilla”, thotë ai.

Sipas Krisafit, pretendime të ngjashme kanë qarkulluar në Shqipëri edhe përpara nisjes së protestave.

“Edhe para nisjes së protestave flitej për ardhjen e palestinezëve në Shqipëri, për blerje masive tokash nga izraelitët apo për vendosjen e izraelitëve në Shqipëri”, thotë ai.

Sipas ekspertit, projekti i lidhur me Jared Kushner u bë pika ku këto narrativa të mëparshme u bashkuan me debatin e ri publik.

“Është krijuar një dyshim shumë i madh ndaj çdo veprimi që bën Izraeli me idenë që ajo që ka ndodhur në Gaza apo në Bregun Perëndimor mund të ndodhë kudo ku është Izraeli”, shprehet ai.

“Fakti që Kushner është hebre ndikon drejtpërdrejt në perceptim, pavarësisht se Kushner nuk ka lidhje me shtetin e Izraelit dhe nuk e përfaqëson atë”, shton Krisafi.

Nga rrjetet sociale te pankartat

Mesazhe të ngjashme nuk kanë qenë të izoluara.

Gjatë ditëve të protestës, në pankarta, postera, fjalime dhe biseda me pjesëmarrësit është shfaqur vazhdimisht narrativa se pas investimeve të lidhura me Jared Kushner qëndrojnë interesa izraelite për të kontrolluar territor, prona apo burime në Shqipëri.

Një mbrëmje, tre të rinj me pamje gjimnazistësh mbanin një pankartë të madhe ku shfaqej Benjamin Netanyahu duke kontrolluar politikën shqiptare. 

Në të njëjtën pankartë paraqitej edhe një hartë e Shqipërisë, ku zona e Vlorës ishte mbuluar me flamurin izraelit. Të rinjtë ua shpjegonin turistëve të huaj pankartën duke folur për investimet, Izraelin dhe atë që e konsideronin si “blerje të Shqipërisë”.

Në ditë të ndryshme të protestës janë parë edhe pankarta të tjera me referenca ndaj Izraelit, flamuj izraelitë të vendosur mbi harta të Shqipërisë, figura të Netanyahut dhe slogane që lidhnin projektin në Zvërnec me humbjen e kontrollit mbi territorin shqiptar.

Kur u pyetën se ku i kishin dëgjuar këto pretendime, shumë prej të rinjve të intervistuar nuk referuan një burim të caktuar.

“Kështu flitet” apo “e kam dëgjuar verdallë” ishin disa prej përgjigjeve më të zakonshme.

Të gjithë të rinjtë e intervistuar nga Faktoje pohuan se kishin hasur përmbajtje të shumta në rrjetet sociale që lidhnin projektin në Zvërnec me Izraelin.

Vëzhgimet e tyre përputhen me përmbajtjet që kanë qarkulluar online. Në TikTok, Instagram, Facebook dhe platforma të tjera janë shpërndarë video, meme dhe imazhe që lidhnin projektin me pretendime se Izraeli po “blinte” Shqipërinë.

Një nga materialet më të shpërndara ishte një imazh i krijuar me inteligjencë artificiale që paraqiste gardhin e vendosur në Zvërnec me një tabelë që tregonte një kufi mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Verifikimi i kryer nga Faktoje tregoi se imazhi ishte gjeneruar me inteligjencë artificiale dhe nuk paraqiste një situatë reale në terren. Megjithatë, ai vazhdoi të shpërndahej gjerësisht në rrjetet sociale.

Po ashtu kanë qarkulluar harta të Shqipërisë me flamurin izraelit të vendosur mbi Vlorën, si dhe video që promovonin teori të ndryshme konspirative lidhur me investimet.

Një tjetër episod që e solli temën e Izraelit në qendër të debatit ishte vendosja e flamujve izraelitë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kuadër të Javës së Kulturës Izraelite.

Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, deklaroi se shpresonte që protestuesit do t’i respektonin simbolet izraelite, ashtu siç Izraeli respekton simbolet shqiptare.

Më pas flamujt u hoqën dhe u zëvendësuan me materiale të tjera promovuese të javës kulturore. Protestues të ndryshëm bënë gjithashtu thirrje publike që çështja të mos përdorej për përçarje apo provokime.

Roli i rrjeteve sociale

Profesori i sociologjisë, Prof. Dr. Fatos Tarifa, thotë se ndikimi i rrjeteve sociale në formimin e opinionit publik e bën veçanërisht të rëndësishëm verifikimin e informacionit që qarkullon në to.

“Është jo vetëm e mundur, por edhe e zakonshme që informacioni i rremë të pranohet si i vërtetë”, thotë ai.

Tarifa sjell shembullin e një studenteje që, sipas tij, i kishte thënë se kishte dalë në protestë sepse besonte se “kryeministri ia ka shitur Sazanin Izraelit”.

Megjithëse shprehet mbështetës i protestës dhe i kërkesave të saj për qeverisje më të mirë, ai argumenton se, narrativat që nuk mbështeten në fakte të verifikuara mund ta largojnë debatin nga qëllimet fillestare të lëvizjes.

“Flamujt e Izraelit në bulevard, memet dhe parullat kundër Izraelit apo kundër kryeministrit të atij shteti nuk i shërbejnë qëllimit të protestës”, thotë Prof. Dr. Tarifa.

Sipas tij, vetëm informacioni i mbështetur në fakte dhe argumente të verifikueshme mund të ndihmojë një lëvizje qytetare të ruajë legjitimitetin e saj dhe të arrijë objektivat që i ka vënë vetes.

Eksperti i teknologjisë Tomi Kallanxhi argumenton në anën tjetër, se rrjetet sociale kanë luajtur rol kyç në amplifikimin e këtyre pretendimeve.

Sipas Kallanxhit, algoritmet favorizojnë përmbajtjet që krijojnë reagime emocionale dhe polarizim.

“Mjafton një element vizual. Për shembull, imazhi i krijuar me inteligjencë artificiale që paraqiste një gardh apo kufi mes Shqipërisë dhe Izraelit në Zvërnec. Një material i tillë mund të ndihmojë në nisjen, ndërtimin dhe përforcimin e një narrative që më pas shpërndahet online”

Ai shton se TikTok është një nga platformat ku narrativa të tilla gjejnë terren të favorshëm.

“Kemi parë shumë herë që teoritë konspirative ecin në TikTok. Shpesh krijohet ideja se po dëgjon një version alternativ të së vërtetës”