Ky kontroll në pistë iu kërkua amerikanëve nga kombëtarja senegaleze

4

Pretendimi: Futbollistët e Senegalit janë kontrolluar nga autoritetet doganore amerikane direkt në pistën e aeroportit, menjëherë pas uljes së avionit, në një situatë të pazakontë për një kombëtare futbolli

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————–

Pamje që tregojnë ekipin kombëtar senegalez në ShBA duke iu nënshtruar një kontrolli sigurie në pistën e aeroportit po qarkullojnë në rrjet me pretendimin se situata është e pazakontë për një kombëtare futbolli dhe se ajo tregon racizmin në Kupën e Botës 2026.

Në fakt, video e mësipërme është e vërtetë. Ajo është filmuar në Raleigh, në Karolinën e Veriut, ndërsa ekipi hipte në një fluturim për në San Antonio, ku luajti një ndeshje miqësore kundër Arabisë Saudite. 

Megjithatë, Federata Senegaleze e Futbollit (FSF) sqaroi në një deklaratë se procedurat e pistës “kishin për qëllim kryesisht të optimizonin kohën e udhëtimit të delegacionit dhe të lehtësonin hipjen në fluturimin privat për në San Antonio.”

Duke iu përgjigjur zemërimit në rrjet për trajtimin e lojtarëve, FSF theksoi se të gjitha kontrollet u kryen në përputhje me “rregulloret e zbatueshme të sigurisë së aeroportit” dhe ishin pjesë e një marrëveshjeje për të përshpejtuar udhëtimin.

“Si pjesë e marrëveshjeve logjistike për udhëtimin, autobusi që transportonte ekipin kombëtar u nis nga hoteli në Raleigh për të shkuar direkt në pistën e aeroportit”, tha Federata. “Kjo procedurë u lejoi lojtarëve dhe anëtarëve të stafit të kryenin të gjitha kontrollet e sigurisë dhe të policisë direkt në fund të avionit, pa pasur nevojë të kalonin nëpër zonat e zakonshme të terminalit të aeroportit dhe sallonet e hipjes në bord.”

Ekipi i kolegëve faktverifikues nga TF1 arriti të kontaktojë një anëtar të Federatës Senegaleze që ndodhej me ekipin në San Antonio. Ai shpjegoi gjithashtu se pretendimet rreth videos janë të rreme. 

“Kjo video nuk është bërë me mbërritjen tonë në Teksas, por me nisjen tonë nga Aeroporti i Raleigh në Karolinën e Veriut. Me të dalë nga hoteli, një autobus po priste për të transportuar të gjithë ekipin dhe stafin për të shmangur terminalin. Stafi i aeroportit kishte përgatitur kontrollet e zakonshme të sigurisë për hipjen në një aeroplan, por direkt në pistë, për të shmangur radhët. Na trajtuan shumë mirë. Është e pakuptimtë të flasësh për poshtërim.” pohoi burimi.

Burimi i TF1 konfirmoi gjithashtu se ekipi nuk iu nënshtrua asnjë kontrolli pas mbërritjes në Teksas. Kjo vërtetohet nga pamjet e shpërndara në llogaritë e Federatës Senegaleze. Lojtarët ishin në gjendje të zbrisnin nga aeroplani i tyre me bagazhet e tyre pa u kontrolluar menjëherë. Foto të tjera të postuara në faqen e Facebook e tregojnë këtë.

Kontrolle të ngjashme u kryen edhe me ekipe të tjera evropiane. Në mars, ekipi belg, i cili po udhëtonte për në Shtetet e Bashkuara për të luajtur një ndeshje miqësore në Atlanta, iu nënshtrua të njëjtit lloj kontrolli në pistën e aeroportit të Atlantas. Sipas raportimeve mediatike të asaj kohe, ky sistem u lejonte ekipeve kombëtare të futbollit të “shmangin radhët e gjata në terminal.”

Futbollisti belg Kevin De Bruyne duke u kontrolluar në pistë në Atlanata, ShBA, Mars 2026 

Ndërsa këto procedura nuk janë të pazakonta, është megjithatë e vërtetë se Kupa e Botës në Shtetet e Bashkuara ka patur një fillim të vështirë. Një arbitër somalez, i konsideruar si më i miri në kontinent, u kthye mbrapsht me të mbërritur në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se kishte një vizë të vlefshme.