Pretendimi: Jared Kushner do të tërhiqet nga investimi në Sazan dhe Zvërnec për të ndërtuar rezortin në ishullin grek Mykonos
Vlerësimi: E paprovuar
Më 7 qershor 2026, ditën e tetë të protestave kundër projektit që planifikohet të ndërtohet në peizazhin e mbrojtur Zvërnec-Nartë, nisi të qarkullonte gjerësisht në rrjetet sociale dhe mediat shqipfolëse lajmi se dhëndri i presidentit amerikan Trump, Jared Kushner do të tërhiqet për ta dërguar investimin në ishullin grek Mykonos.

Megjithatë, në rrëmbimin për të bërë lajm sensacional, për këtë pretendim nuk jepet ndonjë provë e qenësishme.
I vetmi burim i cituar në këto postime dhe artikuj është një artikull i vetëm, i botuar më 7 qershor nga portali grek Greek City Times, që mban titullin “Ekskluzive: Jared Kushner braktis Sazanin e Shqipërisë për stimujt grekë të Mykonosit.”
Ndërkohë, vetë artikulli i mësipërm në median greke citon “burime të besueshme,” duke u bazuar në një postim në X/Twitter të një gazetari kosovar që jeton në ShBA të quajtur Fitim Çeku. Ky i fundit, ka shkruar më 7 qershor:
“Ekskluzive: Kompania e Jared Kushner po planifikon të tërhiqet nga investimi në Sazan. Burime të Gazeta Journal thonë se Greqia ka ofruar kushte të veçanta për të investuar në Mykonos. Detaje ekskluzive nesër nga burimet tona.”

Ndërsa postimi i tij ka marrë shumë vëmendje, 24 orë më pas, “burimet” e Çekut duket se ende nuk kanë ofruar “detajet ekskluzive” të premtuara.
Vlen të përmendet se më herët këtë muaj, gjatë protestave masive në Tiranë, Çeku ka postuar pretendime se ato po nxiten nga “e majta” për të sulmuar administratën Trump dhe i ka quajtur ato propagandë kundër “zhvillimit të Shqipërisë.”

Në një tjetër postim ai pretendon se “investimet e mëdha ndërkombëtare kanë shkuar gjithmonë në Mal të Zi dhe Greqi. Për herë të parë, Shqipëria do të ketë një investim masiv,” duke falenderuar Ivanka Trump dhe të shoqin Jared Kushner për këtë.

Kjo nuk është hera e parë që Çeku bën parashikime të bujshme, pa asnjë provë.
Në qershor të vitit 2025, ai deklaroi se “në ditët në vijim” pritej që Trump do të kërkonte personalisht dhe publikisht lirimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga paraburgimi në Hagë. Sigurisht, asgjë e tillë nuk ndodhi.
Përkundër këtyre burimeve anonime të cituara në mediat shqiptare dhe greke, Faktoje iu drejtua në 8 qershor me një kërkesë për informacion Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), institucioni në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, i cili funksionon si ndërmjetës mes investitorëve të huaj dhe Qeverisë së Shqipërisë. Në përgjigjen e dërguar, AIDA konfirmoi se “kompania “Atlantic Incubation Partners LLC”, e cila ka shfaqur interes për ishullin e Sazanit, nuk ka depozituar ndonjë shkresë për tërheqje nga ky proces.”

Përgjigja zyrtare e AIDA mbi kërkesën e Faktoje për investimin në Sazan
Bazuar në verifikimet e mësipërme, deri në momentet e publikimit të këtij shkrimi, rezulton se frika për një braktisje të investimit miliardësh në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner në këmbim të lehtësive fiskale në Mykonos nuk ka ndonjë bazë reale.
Një largim i investimit në ishullin e njohur grek ka pak gjasa të ndodhë edhe për faktin se në Mykonos aktualisht nuk ka sipërfaqe të reja të lira për zhvillim, ndërkohë që ndërtimet e reja janë të kufizuara deri në vitin 2030 nga rregulloret e planifikimit. Investimet fokusohen kryesisht tek vilat ekzistuese dhe pronat me leje të vlefshme, të cilat kanë vlerë të lartë për shkak të mungesës së ofertës.






