Erion Veliaj do të vijojë të mbetet në burg. Gjykata e Lartë rrëzoi këtë të mërkurë rekursin e tij për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Rekursi
Veliaj kishte kërkuar zëvendësimin e paraburgimit me një masë më të butë sigurie, pas ndryshimeve të fundit në praktikën e Gjykatës së Lartë për masat e sigurimit.
Treshja e gjyqtarëve Albana Boksi, Sokol Binaj dhe Genti Shala vendosën të lënë në fuqi vendimmarrjen e 24 shkurtit të Apelit të GJKKO-së, ku Veliaj kishte kërkuar zëvendësimin e masës “arrest me burg” me një masë tjetër alternative.
Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025.
Akuzat
SPAK ka renditur ndaj tij 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Shumica e akuzave lidhen me korrupsionin pasiv, të kryer në 9 raste, në raport me disa kompani, për të cilat SPAK thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme. Sipas akuzës, këto subjekte kanë marrë leje ndërtimi dhe kanë përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Pse Veliaj iu drejtua Gjykatës së Lartë
I moshuari nga Lezha Begtash Zeneli, i arrestuar dhe proceduar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, (7.3 Kg kanabis të gjetura afër derës së kotecit e pulave), pa dashjen e tij u kthye në “rast precedent”, (shkak) që Gjykata e Lartë me vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara t’i “hapë derën” e qelive zyrtarëve, ish-zyrtarëve të lartë publik dhe të zgjedhurve vendor.
Ndërsa politika i ka konsideruar si të ashpra masat “arrest me burg”, kryesisht për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë publik, ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale nuk erdhën si nisma të qeverisë apo grupi deputetësh, por nëpërmjet Gjykatës së Lartë.
Kjo i hapi udhë “bumit të kërkesave” ku vetëm brenda këtij muaji çështja e ish-ministrit Ilir Beqja dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj u depozitua në Gjykatën e Lartë për “ndryshim të masës së sigurisë”.
“…Rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e autorit nuk nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e krimit ose nga marzhi i dënimit, por nga vlerësimi i ndërthurur i rrezikshmërisë së veçantë të faktit penal, i mënyrës së kryerjes, pasojave të ardhura, i personalitetit të të pandehurit, i sjelljes së tij, si dhe i rrethanave të tjera të rëndësishme dhe të lidhura ndërmjet tyre për rastin konkret”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës së Lartë






