Pretendimi: Ky ushtarak estonez i dha ultimatum Rusisë dhe do të mbrojë Evropën
Verdikti: Foto e manipuluar, AI
Barbara Halla
Një foto e manipuluar me Inteligjencë Artificiale po qarkullon së fundi në rrjetet sociale shqipfolëse nën pretendimin se ajo tregon një ushtarak estonez që kërcënon Rusinë.

Fotoja në fjalë tregon një burrë me një prerje flokësh paksa të çuditshme dhe të veshur me një uniformë ushtarake. Në shqip, ajo ndiqet nga një koment tallës sipas të cilit Estonia i ka dhënë ultimatum Moskës, duke lënë të kuptohet që Estonia është tepër e dobët për ti bërë ballë asaj që postimi e konsideron si “Romën e Tretë.”
Pavarësisht disproporcionit të fuqisë ushtarake mes dy vendeve, verifikime të kryera nga AFP tregojnë që imazhi është i manipuluar dhe toni tallës ndaj ushtrisë së vogël estoneze, janë narrativa manipuluese dhe pro-ruse.
Rezulton se ky imazh u publikua në 18 mars në një profil sllovak facebook-u me mesazhin: “Estonia, me një popullsi prej 1.3 milion banorësh, është gati të mbrojë Evropën nga kërcënimi rus, si dhe Izraelin nga ai iranian.” Në këtë postim, personi në foto identifikohet gabimisht si Martin Helme, kryetari i një partie estoneze. Si fotoja në fjalë dhe mesazhi kanë qarkulluar më tej në mediat sociale sllovake, si në Facebook dhe në Telegram. Toni i këtyre mesazheve dhe komenteve tall Estoninë dhe lavdërojnë forcën e Rusisë.
Hulumtime të mëtejshme të AFP tregojnë se ky imazh ka si burim një llogari pro-ruse në platformën X/Twitter.
AFP zbuloi që burri në fjalë nuk është Martin Helme, po Rain Epler, një pjestar i të njëjtës parti. Fotoja në uniformë që qarkullon në mediat sociale është manipuluar përmes Inteligjencës Artificiale, pasi fotoja origjinale ishte marrë nga një fjalim që Epler ka dhënë në janar 2023.

Për më tepër, një analizë e detajuar e fotos në uniform tregon disa gabime. Uniforma përmban fjalën “Eeesti” që nuk ështe forma e saktë në Estonisht për vendin e tyre. Në uniformat estoneze origjinale, duhet të ishte shkruar “Eesti.” Kryqi që mbahet në foton e gjeneruar dixhitalisht ka po ashtu një kryq që nuk është tipik i uniformave estoneze.






