Mbi normat e OBSH, nga “Pazari i Ri” tek “21 Dhjetori”, zhurmat që po na “luajnë nga fiqiri”

Sheshi “Italia”, Rruga e Kavajës, Pazari i Ri, Kryqëzimi i “21 Dhjetorit” e deri Zogu i Zi, zonat me nivelet më të larta të zhurmës dhe mbi normat e lejuara nga OBSH dhe BE

33

Nga Jona Cenameri

Çdo mëngjes, Tirana zgjohet mes zhurmës. Para se të hapen dyqanet dhe kafenetë, dëgjohet trapani i pallatit ngjitur, çekiçi mbi beton, motorët që kalojnë me shpejtësi dhe boritë e makinave të bllokuara në trafik. 

Në kryeqytet, zhurma është bërë pjesë e përditshmërisë. Ajo të ndjek nga mëngjesi deri natën vonë: në rrugë, në zyra, pranë shkollave, në lagjet ku ndërtohen pallate të reja apo në zonat ku muzika e lokaleve përzihet me trafikun. Për shumë banorë, kjo është kthyer në normalitet. Por ekspertët paralajmërojnë se organizmi nuk “mësohet” kurrë realisht me ndotjen akustike.

“Ekspozimi kronik ndaj ndotjes akustike konsiderohet sot një faktor i rëndësishëm risku për shëndetin mendor nëpërmjet aktivizimit të mekanizmave neuropsikologjike,” thotë psikiatrja Arjana Rreli. 

Sipas saj, zhurma urbane aktivizon vazhdimisht sistemin e stresit në organizëm, duke rritur sekretimin e hormoneve si kortizoli dhe adrenalina. “Kjo çon në rritje të niveleve të ankthit, irritabilitetit, lodhjes mendore, vështirësive në përqendrim dhe uljes së pragut emocional ndaj stresorëve të përditshëm”, shpjegon ajo.

Sipas Rrelit, një nga efektet më të dokumentuara është ndikimi në cilësinë e gjumit. “Edhe kur individit i duket se është mësuar me zhurmën, sistemi nervor vazhdon ta regjistrojë atë si stimul”, thotë ajo, duke shtuar se zgjimet e shpeshta dhe fragmentimi i gjumit ndikojnë më pas në ankth, depresion dhe mirëfunksionimin psikosocial.

Ky shqetësim nuk lidhet vetëm me perceptimin subjektiv të qytetarëve. 

Raportet 

Raporti “Environmental Noise in Europe 2025” i Agjencisë Europiane të Mjedisit (EEA), e konsideron ndotjen akustike një nga rreziqet kryesore mjedisore për shëndetin publik në Europë. 

Sipas raportit, rreth 112 milionë europianë, më shumë se 20% e popullsisë, ekspozohen ndaj niveleve të dëmshme të zhurmës nga trafiku rrugor, hekurudhor dhe ajror. Sipas standardeve të OBSH-së numri i të ekspozuarve rritet në rreth 150 milionë njerëz, ose mbi 30% e popullsisë europiane. 

OBSH rekomandon që zhurma nga trafiku rrugor të mos kalojë 53 decibel gjatë periudhës ditë-mbrëmje-natë dhe 45 decibel gjatë natës, pasi efektet negative në shëndet mund të shfaqen edhe në nivele më të ulëta se pragjet aktuale europiane. 

Sipas EEA-së, ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes akustike lidhet çdo vit me rreth 73 mijë vdekje të parakohshme në Europë, 49 mijë raste të reja sëmundjesh kardiovaskulare dhe 23 mijë raste diabeti të tipit 2. Raporti thekson gjithashtu se zhurma kronike lidhet me çrregullime të gjumit, probleme të shëndetit mendor dhe dëmtime njohëse tek fëmijët. 

“Një pjesë e pacientëve raportojnë hipervigjilencë, tension të vazhdueshëm psikofiziologjik dhe vështirësi në relaksim për shkak të ekspozimit të përditshëm ndaj trafikut, ndërtimeve apo muzikës me volum të lartë,” thotë Rreli. Sipas saj, ky ndikim është më i theksuar tek personat me çrregullime ankthi, stresi apo humori, ku zhurma mund të 

bëhet faktor përkeqësues i simptomave ekzistuese.

Tirana 

Në Shqipëri mungon ende një hartë e plotë kombëtare për ndotjen akustike, por monitorimet alternative të realizuara nga Co-PLAN dhe projekti GreenAL/Green Lungs tregojnë se Tirana përballet me nivele të larta zhurme, të lidhura kryesisht me trafikun, ndërtimet dhe aktivitetin urban intensiv. 

Monitorimi i Co-PLAN i realizuar në 13 pika të kryeqytetit nxori se nivelet më të larta të ndotjes akustike u regjistruan në Sheshin Italia me 72.2 decibel, pranë shkollës “Mihal Grameno” me 71.2 decibel dhe në Rrugën e Kavajës me 70 decibel. 

Edhe zona të tjera problematike si Pazari i Ri dhe Kryqëzimi i “21 Dhjetorit” regjistruan nivele deri në 69 dhe 68 decibel. 

OBSH

Sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ekspozimi i vazhdueshëm mbi 55 decibel konsiderohet i dëmshëm për shëndetin dhe mirëqenien. Megjithatë, sipas monitorimit të Co-PLAN, edhe zona që rezultuan relativisht më pak të ekspozuara ndaj zhurmës, si Zogu i Zi, regjistruan vlera nga 56 deri në 58 decibel, mbi pragun e rekomanduar nga OBSH. 

Në një qytet si Tirana, ku ndërtimet janë të vazhdueshme dhe trafiku mbetet i rënduar në shumicën e akseve kryesore, problemi nuk mund të shihet më vetëm si bezdi urbane.

BE

Bashkimi Europian kërkon që shtetet të monitorojnë ndotjen akustike dhe të hartojnë plane për uljen e saj, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron për ndikimin që zhurma ka në shëndetin fizik dhe mendor.

Por në Tiranë, ndërsa qyteti vazhdon të zgjerohet mes kantierëve, trafikut dhe betonit, qetësia mbetet gjithnjë e më e rrallë. 

Në shumë lagje, zhurma nuk ndalet as natën, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se pasojat vazhdojnë të grumbullohen në heshtje, në gjumin e fragmentuar, ankthin e përditshëm dhe lodhjen mendore të një qyteti që rrallë arrin të heshtë.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë