A është Shqipëria e para në prokurimet publike?

Deklarata e kryeministrit për suksesin e sistemit të prokurimeve përballë raporteve të KE, SIGMA dhe Bankës Botërore

10

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar sistemin e prokurimeve publike si ndër më të suksesshmit në rajon, madje në disa tregues edhe mbi BE-në. Por raportet e Komisionit Europian, SIGMA/OECD, Bankës Botërore dhe Transparency International tregojnë anën tjetër të medaljes. Konkurrencë ende e kufizuar, procedura jo plotësisht transparente dhe përqendrim i lartë i kontratave te një numër i vogël kompanish.

Esmeralda Topi

“Shqipëria është e para në rajon dhe me diferencë nga vendet e tjera të rajonit në të gjithë treguesit e prokurimeve publike, ndërkohë që në disa indikatorë Shqipëria ndodhet mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Europian”, deklaroi kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar sistemin e prokurimeve në vend si një nga historitë më të suksesshme të reformave dhe digjitalizimit të shtetit shqiptar.

Referuar të dhënave zyrtare, Shqipëria raporton më pak procedura me një ofertues sesa mesatarja e Bashkimit Europian dhe në disa indikatorë teknikë rezulton mbi vendet e rajonit. Por balanca prishet kur këto të dhëna vendosen përballë raporteve të Komisioni Europian, SIGMA/OECD, Banka Botërore dhe Transparency International.

Të dhënat zyrtare

Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, rreth 23.5% e procedurave të prokurimit në Shqipëri zhvillohen me një ofertues, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian llogaritet mbi 32%. Në tenderët për punë publike, ky tregues zbret në rreth 12%.

Referuar këtyre indikatorëve, konkurrenca është përmirësuar në krahasim me vitet e mëparshme. Por këto statistika nuk mjaftojnë për të përshkruar cilësinë e sistemit.

Shqipëria ka një volum të lartë shpenzimesh publike që kalon përmes prokurimeve, me mbi 377 mijë procedura. Një analizë për periudhën 2014–2026 tregon se shteti shqiptar ka shpenzuar mbi 2,065 miliardë lekë në prokurime publike, ndërsa:

•             14.8% e procedurave janë zhvilluar me negocim pa shpallje paraprake;

•             20 kompanitë kryesore kanë përfituar rreth 58% të vlerës totale të kontratave;

•             Shqipëria ka nivelin më të lartë të prokurimeve publike si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto në rajon, me 16.5%.

Tregu i kontratave publike rezulton po ashtu i përqendruar. Dhjetë kompanitë kryesore përfituan 30.9% të vlerës totale të tenderëve, ndërsa analiza nxjerr në pah edhe raste të përsëritura dominimi nga kompani të caktuara pranë institucioneve të veçanta.

Edhe në krahasim me rajonin, ka dy anë të medaljes.

Serbia zhvillon 97.6% të procedurave në formë të hapur, ndërsa Shqipëria rreth 52.3%; Mali i Zi ka ulur procedurat me negocim pa publikim në rreth 5%, ndërsa Shqipëria qëndron në 14.8%; Maqedonia e Veriut është vlerësuar me “disa progres”, ndërsa për Shqipërinë Komisioni Europian ruan formulimin “progres i kufizuar”.

Kjo tregon se Shqipëria ka përmirësime në disa tregues, por mbetet prapa disa vendeve të rajonit në indikatorët kyç të transparencës dhe konkurrencës.

Raportet ndërkombëtare

Në kapitullin e prokurimeve publike, Komisioni Europian e mban Shqipërinë prej vitesh në kategorinë “mesatarisht e përgatitur”, pa ndryshime që nga viti 2018 në raportet e tij.

Edhe sipas vlerësimeve të SIGMA/OECD, Shqipëria kalon një volum të lartë fondesh publike përmes prokurimeve — rreth 16.5% të GDP-së, një ndër nivelet më të larta në Ballkanin Perëndimor. Tregues ky që interpretohet edhe si ekspozim më i madh ndaj riskut. Sa më shumë para kalojnë përmes sistemit të prokurimit, aq më kritike bëhet cilësia e kontrollit dhe transparencës.

Në të njëjtën kohë, SIGMA thekson se sistemi mbetet i fragmentuar, me përdorim të lartë të procedurave alternative dhe me zbatim të dobët të reformave, ku hendeku mes ligjit dhe praktikës vazhdon të jetë i dukshëm.

Edhe Banka Botërore identifikon probleme të përsëritura që lidhen me mënyrën se si funksionon sistemi në praktikë. Ndër to përmenden:

•             mbispecifikimi i kritereve të tenderëve, që kufizon konkurrencën reale,

•             ndryshime të kontratave pas nënshkrimit, që rrisin vlerën e projekteve pa garë të re,

•             si edhe raste të ndërhyrjeve politike në proceset e vlerësimit.

Në këtë tablo, Transparency International e vendos prokurimin publik në Shqipëri në kategorinë e sektorëve me risk të lartë korrupsioni. Një nga treguesit më domethënës është edhe ai i “flamujve të kuq”. Rreth 35% e tenderëve më të mëdhenj shfaqin shenja të mungesës së konkurrencës ose të rreziqeve procedurale, sipas monitorimeve të saj.

Biznesi dhe ekspertët

Në këtë kontekst, eksperti i financave publike Eduart Gjokutaj nga qendra ALTAX thekson për Faktoje se:“Korrupsioni në prokurimet publike përbën një nga burimet kryesore të humbjeve financiare për ekonominë shqiptare, duke deformuar konkurrencën, rritur kostot e investimeve dhe ulur cilësinë e shërbimeve publike.”

Ai shton se “vetëm nga prokurimet dhe shpenzimet publike të administruara nga pushteti qendror, vendor dhe kompanitë publike, kostoja e korrupsionit vlerësohet të arrijë deri në 470 milionë euro në vit”.

Nga ana tjetër, Konfederata e Industrive në Shqipëri, vlerëson se është vështirësuar pjesëmarrja e operatorëve të huaj në tendera.  

Konfindustria sjell si shembull dy tendera ndërkombëtarë për “Bypass-in e Elbasanit”, ku, sipas saj, kërkesa për ekuivalentim të licencave brenda afateve të ngushta krijon pengesa për pjesëmarrjen e operatorëve të huaj, duke kufizuar konkurrencën dhe rritur kostot e projekteve publike.

Në vlerësimin e tyre ky grupim biznesesh thotë se kufizimi i konkurrencës ndikon jo vetëm në rritjen e kostove të investimeve infrastrukturore, por edhe në cilësinë e punimeve dhe në përputhshmërinë me standardet europiane, duke prekur sektorë kyç si infrastruktura, energjia dhe teknologjia.

KLSH

Një auditim i Kontrollit të Lartë i Shtetit në Agjencinë e Prokurimit Publik nxjerr në pah se, përtej përmirësimeve teknologjike, sistemi vazhdon të përballet me mangësi institucionale dhe ligjore.

KLSH vëren mospërputhje mes ligjeve dhe akteve nënligjore për afatet e ankimimit në prokurimet e mbrojtjes dhe sigurisë, mungesë të dokumenteve standarde për ankandet publike, si dhe kritere që mund të kufizojnë pjesëmarrjen e biznesit të vogël.

Audituesit ngrenë si shqetësim faktin se Agjencia e Prokurimit nuk ka kryer asnjë hetim administrativ për kontratat koncesionare gjatë viteve 2021–2022, ndërsa sektori përgjegjës për PPP-të dhe koncesionet funksiononte me staf të paplotësuar dhe pa trajnime të specializuara.

Sipas KLSH-së, Agjencia e Prokurimit nuk ka përmbushur plotësisht detyrimin për të monitoruar procedurat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, ndërsa u evidentuan edhe dobësi në arkivimin e dosjeve të tenderëve dhe në administrimin financiar.

Nisur nga këto gjetje, KLSH kërkon masa të menjëhershme për harmonizimin e legjislacionit, forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe rritjen e kontrollit mbi PPP-të, koncesionet dhe procedurat sensitive të prokurimit.

Përfundim

Deklarata e kryeministrit Edi Rama mbështetet në disa tregues që tregojnë përmirësim të sistemit të prokurimeve publike, veçanërisht në krahasim me mesataren e BE-së në indikatorë të veçantë.

Megjithatë, të dhënat e mbledhura tregojnë se konkurrenca mbetet e kufizuar; një pjesë e konsiderueshme e procedurave zhvillohet pa transparencë të plotë; tregu i prokurimeve është i përqendruar në një numër të vogël kompanish; dhe problemet strukturore janë të përsëritura prej më shumë se një dekade.

Ndaj, deklaratën e kryeministrit se ‘“Shqipëria është e para në rajon dhe me diferencë nga vendet e tjera të rajonit në të gjithë treguesit e prokurimeve publike, ndërkohë që në disa indikatorë Shqipëria ndodhet mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Europian’, e kategorizojmë gjysmë të vërtetë.