Soda e bukës nuk lufton kancerin edhe pa presionin e farmaceutikës

7

Pretendimi: Hulumtimet e sotme vërtetojnë se soda e bukës lufton kancerin

Verdikti: E paprovuar

———————————————————-

Në rrjetet konspiracionsite, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se soda e bukës është ilaçi më i lirë në botë, i cili është ‘varrosur’ nga kompanitë e mëdha farmaceutike. Postimet më tej pretendojnë se në 1924 mjekët përdornin sodën e bukës për të luftuar infeksionet, ndërsa hulumtimet e ditëve të sotme kanë provuar se soda lufton kancerin.

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm, nuk sillet asnje provë, burim apo referencë. Nuk citohet asnjë burim historik dhe as “hulumtimi i sotëm.”

Soda e bukës, e njohur edhe si bikarbonat natriumi, është një përbërës kimik që përdoret zakonisht në gatim dhe pastrim shtëpiak. Është një substancë alkaline, që do të thotë se zvogëlon aciditetin. Kjo veti ka bërë që ajo të përdoret edhe për qëllime mjekësore, të tilla si lehtësimi i urthit ose mostretjes duke neutralizuar acidin e tepërt të stomakut.

Disa studime kanë shqyrtuar nëse bikarbonati i natriumit mund të përdoret për të ndryshuar nivelet e pH-it të tumoreve, të cilat studimet kanë treguar se lulëzojnë në mjedise acidike. Bikarbonati i natriumit është alkalik, që do të thotë se zvogëlon aciditetin.

Një studim të tillë sugjeroi se bikarbonati i natriumit “mund të ndikojë në kanceret e transplantuara në minj ose qelizat e rritura në laborator, duke neutralizuar aciditetin në mikroambientin që rrethon menjëherë një tumor”.

Një punim shkencor i vitit 2020 shqyrtoi gjithashtu përdorimin e bikarbonatit të natriumit si një formë e “terapisë tampon” për të zvogëluar aciditetin e tumorit, por paralajmëroi se “nuk ka prova klinike të mjaftueshme për të mbështetur që terapia rutinë kundër kancerit mund të zëvendësohet me ujë të pijshëm që përmban sodë buke”.

Megjithatë, sipas  Cancer Research UK, organizata më e madhe e pavarur në botë për kërkimin e kancerit, “nuk ka pasur prova klinike të publikuara të bikarbonatit të natriumit si një trajtim për kancerin”. Organizata paralajmëron gjithashtu se “dozat e larta të bikarbonatit të natriumit mund të çojnë në pasoja shumë serioze”.

Dr. Thomas Drake, hulumtues klinik në Universitetin e Edinburgut, tha për Full Fact se “ndërsa është e vërtetë që në laborator kushtet alkaline vrasin qelizat kancerogjene, këto kushte vrasin edhe qelizat normale. Si qelizat normale ashtu edhe ato kancerogjene nuk mund të rriten në kushte acidike ose alkaline. Konsumi i sasive të mëdha të bikarbonatit të natriumit nga goja nuk ka gjasa të ketë ndonjë përfitim në trajtimin ose rrezikun e kancerit dhe nuk ka shije shumë të mirë. Në fakt, konsumimi i sasive të mëdha do të rezultojë në thjesht nxjerrjen e tij në urinë dhe potencialisht mund të jetë i dëmshëm, veçanërisht për njerëzit me probleme me veshkat.”

Dr. Suzanne Zaremba, lektore e të ushqyerit në Shkollën e Mjekësisë, Universiteti i Dundee, tha: “Në fund të fundit, nuk ka literaturë shkencore që të mbështesë konsumin e sodës bikarbonat ose dietave alkaline për shërimin e kancerit. Individët që jetojnë me kancer janë jashtëzakonisht të prekshëm ndaj ‘kurave të kancerit’ që nuk mbështeten nga prova shkencore dhe për këtë arsye nuk përfshihen në udhëzimet e trajtimit klinik. Këto moda janë potencialisht shumë të rrezikshme për shëndetin.”

Terapitë e paprovuara kundër kancerit kanë një ndikim negativ në shëndet. Disa studime kanë zbuluar se përdorimi i terapive të paprovuara kundër kancerit shoqërohet me një rrezik në rritje të vdekjes tek pacientët me kancer, pasi ato i bëjnë pacientët të refuzojnë terapitë mjekësore të pranuara kundër kancerit.

Në vitin 2012 një ish-onkolog italian i quajtur Tullio Simoncini nuk u lejua të vazhdonte praktikën, sepse kishte përdorur bikarbonatin e natriumit në vend të kimioterapisë. Sipas agjencisëitaliane të lajmeve ANSA, Tullio Simoncini u dënua për vrasje të paqëllimshme në vdekjen e një pacienti, tumori në tru i të cilit u trajtua pa sukses me ose sodë buke.