Ky kontroll i policisë letoneze jo nga ngatërresa e flamurit rus

6

Pretendimi: Kjo video tregon një grua që ndalohet nga policia në Letoni sepse dyshohej se mbante një çantë me flamurin rus

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————-

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video që tregon dy policë duke folur me një grua. Video shoqërohet me pretendimin se policia e kishte ndaluar gruan sepse kishin ngatërruar ngjyrat e çantës së saj me flamurin rus.

Megjithëse video e mësipërme është e vërtetë, pretendimi që e shoqëron është i rremë.

Kontaktuar nga Faktoje, kreu i Marrëdhënieve me Publikun në Policinë e Shtetit të Letonisë, Simona Gravite, shpjegoi se ngjarja e mësipërme ka ndodhur në 9 maj 2026 në qytetin Salaspils.

Më 9 maj në Rusi festohet Dita e Fitores, që shënon fitoren e Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë naziste në vitin 1945. 

Më 9 maj të këtij viti, sqaroi Gravite, Policia Shtetërore e Letonisë veproi në një mënyrë të përforcuar në të gjithë territorin e vendit me qëllim parandalimin e shkeljeve që lidhen me “glorifikimin e agresionit ushtarak dhe krimeve të luftës.” Kështu, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe vendeve përkujtimore dhe vendeve ku njerëzit mund të mblidheshin.

Sa i përket incidentit të mësipërm, Gravite shpjegoi se “policia i kushtoi vëmendje edhe individëve që kishin mbërritur në vendin specifik me qëllim sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e identitetit të tyre. Në këtë rast, dokumentet e identifikimit të personit u kontrolluan, nuk u gjetën shkelje dhe nuk u vendos asnjë gjobë.”

Kështu, sipas policisë letoneze, policia e ndaloi gruan në video për të përcaktuar identitetin e saj, jo sepse çanta e saj mbante ngjyrat e flamurit rus.