E manipuluar kjo kronikë televizive për rastet e hantavirus në Kosovë

11

Pretendimi: Hantavirusi ka mbërritur në Kosovë dhe kjo video tregon një prezantues që po numëron rastet e hantavirusit të regjistruar në vend

Verdikti: E pavërtetë

———————————————-

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon lajmi se hantavirusi ka mbërritur në Kosovë. Ky lajm shoqërohet me videon e një prezantuesi, i cili flet për numrin e “rasteve” në disa qytete të vendit.

Hantavirusi është një sëmundje e rrallë, por serioze që zakonisht transmetohet nga brejtësit, veçanërisht përmes jashtëqitjes ose urinës së tyre.

Më 4 maj 2026, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) raportoi një shpërthim të hantavirusit në anijen turistike MV Hondius, të ankoruar në ishullin e Kepit të Gjelbër. Ky shpërthim infektiv kishte shkaktuar tre vdekje dhe një pacient në gjendje kritike, sipas deklaratës.

Megjithatë, kosovarët nuk duhet të alarmohen. Lajmi është i pavërtetë.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti versionin e plotë të videos së mësipërme. 

Ajo është botuar nga kanali në Youtube i medias kosovare ATV më 12 maj 2026. Prezantuesi në video nuk flet për hantavirusin kur numëron rastet nëpër qytete, por për fruthin. 

Më 12 maj 2026, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njoftoi se nga 16 prilli 2026 në Kosovë janë konfirmuar 14 raste me fruth: 5 raste në Ferizaj, 3 në Prishtinë, 3 në Kaçanik, dhe nga një rast në Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan.

Ndërkaq, në një njoftim të 8 majit 2026, IKShPK informoi qytetarët se “ethet hemorragjike me sindromë veshkore (EHSV), të shkaktuara nga hantaviruset, nuk janë sëmundje e re në Kosovë. Numri i rasteve të raportuara ndër vite mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm. Gjatë periudhës 2021–2025 janë raportuar gjithsej tetë raste, sipas viteve: dy raste në vitin 2021, një rast në vitin 2022, me nga dy raste në vitin 2023 dhe 2024 dhe një rast në vitin 2025. Këto të dhëna tregojnë një prevalencë të ulët të sëmundjes në vend.”

Pretendimi se hantavirusi ka “mbërritur” në Kosovë është përgënjeshtruar edhe nga kolegët e Hibrid.info.