Ky kamion që humbet mallin në autostradë është i gjeneruar

8

Pretendimi: Kjo video tregon një kamion, të cilit i bie i gjithë malli në autostradën Tiranë-Durrës.

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

———————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon një kamion, të cilit i bie i gjithë malli në autostradën Tiranë-Durrës.

Megjithatë, video e mësipërme me gjasa është gjeneruar nga programet kompjuterike me inteligjencën artificiale (AI).

Tregues kryesorë karakteristikë të pamjeve të gjeneruara me AI është shkurtësia e videos 8-sekondëshe dhe teksti i deformuar në tabelën në video.

Shumica e programeve AI falas i kufizojnë videot në një skenë të vetme që zgjat rrethe 8-10 sekonda. Kjo sepse, krahasuar me gjenerimin e imazheve, gjenerimi i videove është më i shtrenjtë, më kompleks dhe shumë më i vështirë për t’u mbajtur konsistent.

Ndërkaq, bie në sy edhe teksti i deformuar në tabelën që pretendohet se ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës. Programet AI shpesh hasin vështirësi në gjenerimin e tekstit brenda imazheve.

Një krahasim mes tabelës në video dhe tabelës reale në autostradë zbulon se video që po qarkullon në rrjete sociale nuk është e vërtetë, por me gjasa e gjeneruar me AI.

Video të tilla kanë për qëllim të tërheqin audiencën dhe nxisin komente duke rritur shikueshmërinë e profileve në rrjetet sociale.