Pretendimi: Kjo video tregon një moment të tensionuar mes ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————
Në prill 2026, në rrjete sociale dhe mediat shqipfolëse qarkulloi një video që pretendohet se tregon një “moment të tensionuar” mes Ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Mediat pretendojnë se video “nxjerr në pah problemet në rritje mes dy vendeve.” Video po ndahet pikërisht në momentet që Kina u ofrua si një negociatore e re pas dështimit të bisedimeve të para të paqes mes ShBA dhe Iranit në Pakistan.


Megjithatë, lexuesi i vëmendshëm mund të ketë vënë re se të dy burrat në video duken goxha më të rinj seç janë tani. Kjo sepse video që po qarkullon si pasqyruese e “problemeve në rritje mes vendeve” është mbi 10 vjeç.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi që po qarkullon online është shkëputur nga një video më e gjatë e hedhur në Youtube nga llogaria e Zyrës së Kryeministrit izraelit më 18 dhjetor 2013.

Sipas përshkrimit të videos, ajo tregon deklaratat e Netanyahu dhe Yi në fillim të takimit të tyre, i cili u raportua në atë kohë edhe nga Ministria e Jashtme e Kinës. Sipas medias vendase, Netanyahu bëri thirrje për lidhje më të mëdhaja tregtare, ndërsa Wang Yi theksoi rëndësinë e bisedimeve të paqes me Palestinën. Netanyahu përsëriti se Irani nuk duhet të kishte “aftësi” për të zhvilluar armë bërthamore.
Më tej, video e plotë hapet me dy burrat që shtrëngojnë duart, përpara se të qëndrojnë pas podiumeve të ndara. Netanyahu më pas i uron Wang mirëseardhjen në Jerusalem.
Wang dhe Netanyahu shtrëngojnë duart përsëri në fund të fjalimit të kryeministrit izraelit.
Wang tha më pas se ishte shumë i lumtur që po vizitonte Izraelin për herë të parë si Ministër i Jashtëm.
“Shumë nga kolegët e mi më thanë se sapo vizituan Izraelin, do të dashuroheshin me këtë vend. Qëllimi i vizitës sime këtë herë është të zbuloj sekretin e kësaj,” vazhdoi Wang.
Ai gjithashtu theksoi “miqësinë e thellë dhe tradicionale” midis popullit të Kinës dhe Izraelit.
Kështu, kjo video që po qarkullon në prill 2026 si një moment tensioni që dëshmon ftohjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Izraelit është xhiruar 13 vite më parë.






