Një trillim ky sekret i tmerrshëm i zbuluar në arkivin e Vatikanit

33

Pretendimi: Kasaforta sekrete nën Vatikan hapet pas 5000 vitesh dhe përmban një zbulim të tmerrshëm

Verdikti: E paprovuar, Clickbait

—————————————————————–

Një postim që ka marrë mbi njëqind pëlqime në Facebook pretendon se një kasafortë sekrete nën Vatikan është hapur pas 5000 vitesh dhe përmban një zbulim të tmerrshëm, ndërsa përdoruesit ftohen të klikojnë në lidhjen në komente për të lexuar më tepër.

Nëse mendoni se titulli ekzagjeron me sasinë e viteve, duke qenë se Vatikani dhe vetë Krishtërimi nuk janë më të vjetër se dymijë vjet, keni të drejtë.

Artikulli i referuar në komente nis me: “Për më shumë se pesë shekuj, Vatikani ka ruajtur mistere”. Dukshëm sasia e viteve e pretenduar në titull është rezultat i një gabimi në llogaritje. 5 shekuj nuk janë 5000 vjet, por 500.

Megjithatë, artikulli nuk jep ndonjë informacion të mëtejshëm mbi ndonjë zbulim të tmerrshëm. Ai na fton të klikojmë sërish, kësaj radhe në një lidhje që na dërgon në një video 8-minutëshe në Youtube.

Megjithatë, as teksti i treguar ngurtë nga një zë femëror nuk flet për ndonjë zbulim të tmerrshëm të bërë së fundmi.

Ai duket se ndërthur ngjarje reale zbulimesh arkeologjike ndër vite në ose lidhur me Vatikanin, me personazhe dhe ngjarje krejt fiktive, pa bërë dallimin mes të vërtetave, ekzagjerimeve dhe trillimeve.

Titulli i artikullit keqinformon në mënyrë jo etike me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve.

Arkivi Apostolik i Vatikanit, i njohur më parë si Arkivi Sekret i Vatikanit është depoja qendrore e të gjitha akteve të shpallura nga Selia e Shenjtë. Ai ka 85 kilometra rafte, 35 mijë volume dhe dokumente nga 12 shekuj. Papa Pali V e ndau Arkivin Sekret nga Biblioteka e Vatikanit, ku studiuesit kishin një qasje shumë të kufizuar, dhe arkivi mbeti krejtësisht i mbyllur për të huajt deri në fund të shekullit të XIX, kur Papa Leo XIII e hapi arkivin për studiuesit, më shumë se një mijë prej të cilëve tani shqyrtojnë disa nga dokumentet e tij çdo vit.