I pasaktë ky rekord evropian për shtëpitë e shqiptarëve

9
Ndertime_ne_Tirane_Faktoje
Ndertime_ne_Tirane_Faktoje

Pretendimi: 95% e shqiptarëve zotërojnë një shtëpi

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————————————–

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon lajmi se 95% e shqiptarëve zotërojnë një shtëpi. 

Nëse e hasni këtë lajm duke shfletuar në shtëpinë e prindërve apo në banesën ku jetoni me qera dhe ai ju duket i pabesueshëm, keni instinkte të mira!

Në fakt, lajmi i mësipërm është një keqintepretim i të dhënave të botuara nga zyra statistikore e Bashkimit Evropian, Eurostat.

Është e vërtetë se, sipas Eurostat, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të pronësisë së banesave në Europë. Megjithatë, kjo nuk matet me individë që janë pronarë, por me njësi familjare që e zotërojnë shtëpinë e tyre.

Kështu, sipas Eurostat, 95.5% e familjeve shqiptare, dhe jo e shqiptarëve, zotërojnë shtëpinë e tyre. Kjo shifër e lartë përgjithësisht shpjegohet me procesin e privatizimit të banesave që ndodhi në vend pas rënies së ekonomisë kolektiviste në fillim të viteve 1990.

Familjet shqiptare Eurostat i ndan në 8 lloje: një person beqar, një person beqar me fëmijë në varësi, dy të rritur, dy të rritur me një fëmijë në varësi, dy të rritur me dy fëmijë në varësi, dy të rritur me 3+ fëmijë në varësi, tre ose më shumë të rritur, dhe tre ose më shumë të rritur me fëmijë në varësi.

Tabela nga Eurostat tregon llojet e familjeve shqiptare që zotëronin shtëpinë e tyre në 2023

Në grafikun e poshtëm, ku janë përkthyer të dhënat e mësipërme në mënyrë pamore, vërehet se pjesa më e madhe e familjeve që zotërojnë banesën e tyre janë familjet me 3 ose më shumë anëtarë të rritur.

Kjo shpërndarje e pronësisë përkon me një tjetër gjetje të Eurostat. Megjithëse shumica dërrmuese e familjeve shqiptare zotërojnë shtëpinë e tyre, 57.1% e popullsisë në Shqipëri jeton në banesa të mbipopulluara, kur familja që jeton aty nuk ka mjaftueshëm dhoma për numrin dhe përbërjen e anëtarëve të saj. 

Ndërkaq, censi i vitit 2023 i kryer nga zyra statistikore shqiptare Instat gjeti se 82.5% e Njësive Ekonomike Familjare (NjEF) janë pronarë të banesës ku jetojnë ose janë në proces të marrjes së aktit ligjor të pronësisë. Madhësia mesatare e një NjEF në 2023 ishte 3.2 anëtarë.