Reforma territoriale, PS ndryshon rregullat e ‘lojës’

Heq paritetin dhe veton për PD, Mazniku: “Nuk kemi më kohë për të humbur”

51

Mazhoranca ndryshon rregullat e komisionit për reformën territoriale, duke hequr paritetin dhe veton. Lëvizja e papritur, sipas Arbjan Maznikut, zhbllokon punën e komisionit pas bojkotit të opozitës.  

Në ditën kur sytë e publikut ishin ngulur tek Kushtetuesja për çështjen “Balluku” dhe tek Bordi i Paqes, mazhoranca zgjodhi të lëvizë gurët e saj tek reforma territoriale. 

Komisioni i posaçëm, i ngritur për këtë proces, vendosi t’i propozojë Kuvendit ndryshimin e projektvendimit mbi mënyrën e funksionimit të tij. Pariteti i numrave mes mazhorancës dhe opozitës, si edhe e drejta e vetos, hiqen nga “loja”. 

“Dashamirësia e mazhorancës dhe e Kuvendit për të krijuar barazi dhe bashkëkryesi është kthyer tashmë në një mekanizëm bllokimi për vijimësinë e punës. Ne nuk kemi më kohë për të humbur. Koncepti i paritetit dhe bashkëkryesisë të mos jenë më, që t’i hapim vetes mundësi për të pasur kuorum për të arritur objektivat që brenda korrikut të kemi mbyllur reformën,” argumentoi Arbjan Mazniku në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit. 

“Mbetemi të hapur për opozitën…” theksoi më tej ai. 

Në një mbledhje që nuk i mbushi dhjetë minuta mazhoranca i hapi rrugën vetes për të marrë vendime mbi një nga reformat më të rëndësishme, territorialen. 

Në bazë të vendimit të Kuvendit, mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme kur në to marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Komisioni synon që vendimmarrja të arrihet me konsensus për të gjitha çështjet që shqyrton.

Për çështje të veçanta për të cilat nuk kanë gjetur konsensus do të vlerësohet dhe mund të kërkohet ekspertiza e Komisionit të Venecias dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Lëvizja e fundit e mazhorancës i jep asaj  dorë të lirë për të çuar përpara diskutimet, duke shmangur bllokimin e krijuar nga bojkotet e fundit të opozitës. Strategjia e kryeministrit, e artikuluar më herët në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së, po zbatohet hap pas hapi. Propozimet e Komisionit të Posaçëm për reformen territoriale pritet t’i propozohen Kuvendit në një seancë plenare.