Pretendimi: Kryeministri Edi Rama jep njoftimin për rritje pensionesh që po trondit pensionistët
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————
“Rritje pensionesh?! Edi Rama jep njoftimin që po trondit pensionistët – Shpresë apo zhgënjim i ri?”, lajmëron një postim në Facebook më 14 janar 2026, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.

Megjithatë, pensionistët dhe dashamirësit e tyre nuk duhet të gëzohen para kohe. Ky lajm, dhe gjithë artikulli, janë të rreme.
Në brendinë e artikullit pretendohet se në një komunikim publik, Rama ka lënë të kuptohet se qeveria “po shqyrton mundësinë e një ndërhyrjeje të re në skemën e pensioneve.” Rama gjithashtu citohet të ketë thënë se “pensionistët janë një shtresë që ka dhënë shumë për këtë vend dhe meriton më shumë dinjitet.”
Një tregues fillestar që duhet të na bëjë dyshues është mungesa e ndonjë burimi, reference, apo detaji identifikues si data dhe vendi i deklaratës së Ramës.
Artikulli flet gjithashtu për debat në opinion publik pa iu referuar ndonjë burimi specifik, përdor fjalë të pacaktuara si “disa” dhe “shumëkush” dhe flet për “ekspertë të ekonomisë” pa dhënë asnjë emër apo institucion.
Termat e vagullt dhe të përgjithshëm të përdorur në artikull, si dhe mungesave e detajeve specifike, na bën të dyshojmë më tej se artikulli jo vetëm që është i rremë, por me gjasa është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale.
Është e vërtetë se Rama foli për pensionet së fundmi në podkastin e tij të 11 janarit. Megjithatë, ai nuk foli për ndonjë ndryshim në skemën e pensioneve dhe nuk tha se pensionistët kanë dhënë shumë për vendin dhe meritojnë më shumë dinjitet, siç pretendohet në artikull.

Çfarë tha Rama për pensionet në podkastin e 11 janarit 2026
Më herët, në tetor 2025, Rama ka deklaruar se nga janari 2026, pensionet do të rriteshin çdo muaj me 600-1800 lekë në varësi të llojit.
Profili i Facebook që ka ndarë këtë lajm të rremë ka ndarë dhe më parë lajme të rreme të ngjashme, duke pretenduar se gazetari shqiptar Enkel Demi kishte ndërruar jetë dhe se vrasësi i politikanit të ndjerë Sokol Olldashi ishte zbuluar.






