Rindërtimi në Kombinat, banesat po dorëzohen, por problemet vijojnë

Rindërtimi në zonën e Kombinatit vijon të shoqërohet me vonesa, paqartësi dhe problematika funksionale

32

Jona Cenameri

Gjashtë vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019 dhe pas  premtimeve të përsëritura për përfundimin e rindërtimit, procesi në zonën e Kombinatit vijon të shoqërohet me vonesa, paqartësi dhe problematika funksionale. Verifikimi më i fundit i “Faktoje” në terren tregon se, ndonëse disa godina të reja janë ndërtuar dhe procesi i shpërndarjes së banesave ka nisur, shumë banorë vijojnë të jetojnë mes pritjes, konfuzionit dhe mungesës së menaxhimit bazë.

Premtimet pas tërmetit

Zona e Kombinatit ishte një nga më të goditurat nga tërmeti i vitit 2019, me rreth 1,500 familje të mbetura pa strehë. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës prezantuan që në vitin 2020 projektin për rindërtimin e Kombinatit si një zonë të re banimi, me pallate të reja, infrastrukturë shoqëruese dhe shërbime publike.

Në vitet në vijim, afatet për përfundimin e rindërtimit u shtynë disa herë. Premtime të përsëritura nga përfaqësues të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës krijuan pritshmëri të reja, por procesi në terren vijoi të ecte më ngadalë se deklaratat publike.

Çfarë ka verifikuar “Faktoje” ndër vite

“Faktoje” e ka ndjekur rindërtimin në Kombinat që prej vitit 2020. Në verifikimet e mëparshme është konstatuar se pallate të shpallura për shembje qëndronin ende në këmbë, se ndërtimi i godinave të reja vonohej dhe se familjet e prekura nga tërmeti vazhdonin të jetonin me qira, shpesh me bonus të pasigurt dhe pa informacion të qartë për shortin.

Në shtator 2020, ish-ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj deklaronte se themelet e pallateve në Kombinat do të hidheshin brenda tetorit të atij viti. Në pranverën e vitit 2022, ai premtoi se “nuk do të kishte më asnjë shenjë nga tërmeti i vitit 2019”, një zotim që rezultoi i pambajtur, pasi shumë godina të dëmtuara vijonin të qëndronin në këmbë. Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë viteve 2022-2024, premtoi disa herë se familjet e para do të futeshin “brenda vitit”, më pas “në fillim të vitit tjetër”, por pa dhënë një afat konkret të respektuar.

Edhe në vitin 2024, “Faktoje” raportoi se disa pallate, ndonëse dukeshin të përfunduara nga jashtë, nuk ishin ende funksionale për banim.

Verifikimi në terren, dhjetor 2025

Më 29 dhjetor 2025, “Faktoje” u rikthye në terren në zonën e Kombinatit, në rrugën “Shaban Bardhoshi”, ku janë ndërtuar katër godina të reja banimi në formë U-je. Njëra prej tyre ishte ende në proces ndërtimi, ndërsa tre të tjerat ishin pjesërisht të populluara.

Në oborrin mes pallateve, një burrë rreth të pesëdhjetave, që po lëvizte i pasigurt nga një hyrje te tjetra, na ndaloi dhe pyeti: 

“Ku është hyrja 7B? Se aty më duket do më dalë shorti… Ende nuk më ka dalë, presim javën e dytë të janarit”

Ai shpjegoi se, ndonëse banorët kanë nisur të hyjnë në këto pallate prej më pak se një viti, shumë familje ende nuk e dinë se kur dhe ku do të sistemohen.

Sipas banorëve, çdo godinë parashikohet të strehojë rreth 150 familje, pra afro 600 familje në total, por një nga pallatet nuk ishte ende i përfunduar, ndërsa tre të tjerët nuk ishin mbushur plotësisht.

Pritja

Një banore rreth të tetëdhjetave, e cila kishte marrë çelësat e apartamentit, u ankua për mungesën e kushteve minimale:

“Na kanë futur në pallat, por ashensori nuk punon. Për ne të moshuarit është shumë e vështirë”

Sipas saj, të gjitha godinat janë të pajisura me ashensorë, por në disa raste ata nuk janë vënë në funksion, për shkak të mungesës së administratorit apo dakordësisë me këtë të fundit. 

Zonja gjithashtu shtoi se problem është edhe pastrimi i godinave nga brenda, por edhe rreth e përqark.

Teksa fliste, pranë saj u afrua një mikeshë, gjithashtu e moshuar, të cilës ende nuk i kishte dalë shorti:

“Unë jam akoma jashtë. Pres prej vitesh. Disa nga të shpromësuarit kanë marrë nga 4-5 hyrje njëherësh, ndërsa ne të tjerët presim. Madje muajin e fundit na kanë ulur edhe bonusin e qirasë”

Ajo e përshkroi situatën si të padrejtë dhe të paqartë, duke shtuar se mungesa e informacionit i ka lënë banorët në pasiguri të vazhdueshme.

Infrastruktura 

Një tjetër banor i zonës tregoi se në Kombinat pritet të ndërtohen edhe godina të tjera, por aktualisht nuk ka asnjë shenjë konkrete për nisjen e punimeve:

“Na kanë thënë që do bëhen dhe pallate të tjera, por këtu s’po punohet. Ne vetëm presim të mbarojnë trotuaret, të pastrohet zona dhe, me shpresë, të shtrohet rruga”

Ndërkohë, zona përreth pallateve ishte e mbushur me mbetje ndërtimi, copa betoni, kuti kartoni dhe mbeturina të tjera. Banorët thanë se ritmi i shpejtë i popullimit, i kombinuar me mungesën e menaxhimit, ka krijuar kaos në hapësirat e përbashkëta.

Punimet që vazhdojnë

Përpara katër godinave të reja të rindërtuara në zonën e Kombinatit, “Faktoje” konstatoi praninë e tabelave zyrtare informuese të vendosura nga Bashkia e Tiranës. Sipas të dhënave të pasqyruara në to, investitori i projekteve ishte Bashkia Tiranë.

Në njërën nga këto tabela objekti ishte “ndërtimi i infrastrukturës publike brenda unazës së re të zonës”. Afati i ndërtimit të objektit ishte 12 muaj por nuk pasqyrohej data e nisjes apo përfundimit të punimeve. Vlera e objektit shkonte në 285,000,000 lekë pa TVSH. 

Në tabelën e dytë në zonë objekti ishte “hartimi i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 7 në zonën zhvillimore ‘Kombinat”. Afati i ndërtimit të objektit ishte 17 muaj por sërish nuk pasqyrohej data e nisjes apo përfundimit të punimeve. Vlera e objektit shkonte në 541,400,000 lekë pa TVSH. 

Procesi i rindërtimit në Kombinat, ndonëse i avancuar krahasuar me vitet e mëparshme, vijon të mbetet i papërfunduar në praktikë.

Përfundimi

Verifikimi i fundit i “Faktoje” tregon se rindërtimi në Kombinat ka hyrë në një fazë ku një pjesë e banesave janë ndërtuar dhe procesi i shpërndarjes ka nisur, por problematikat kryesore mbeten të pazgjidhura. Pritja për shortin, funksionimi i pjesshëm i ashensorëve, mungesa e administrimit dhe infrastruktura e papërfunduar dëshmojnë se procesi është ende larg përfundimit të plotë.

Gjashtë vite pas tërmetit, për shumë banorë të Kombinatit, rindërtimi vazhdon të jetë më shumë një histori pritjeje sesa një zgjidhje e mbyllur.