Pretendimi: Tenori italian Andrea Bocelli ka anulluar koncertet e tij ne New York pas zgjedhjes së kryebashkiakut Zohran Mamdani
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se tenori italian Andrea Bocelli, ndër artistë e personazhe të tjerë të njohur, ka anulluar koncertet e tij në New York pas zgjedhjes së kryebashkiakut Zohran Mamdani, duke thënë: “Unë nuk këndoj për komunistët.”

Postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë provë, burim apo referencë që mbështet pretendimin e tij.
Një kërkim në Google News nuk gjeti asnjë raportim të anulimit të koncerteve të Bocelli në New York.
Për më tepër, më 13 nëntor 2025, ekipi i Bocelli mohoi këtë pretendim nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të Facebook te Bocelli.

“Na ka rënë në sy se në internet qarkullojnë një numër lajmesh të rreme dhe postimesh mashtruese — përmbajtje e gjeneruar ose e amplifikuar përmes faqeve jozyrtare të mediave sociale dhe faqeve të internetit të bazuara në inteligjencën artificiale,” shkruan postimi. “Me mirësi u kujtojmë të gjithëve që të besojnë vetëm kanalet zyrtare të Andrea Bocelli dhe burimet e akredituara të shtypit për informacion të verifikuar. […] Gjithashtu dëshirojmë të sigurojmë audiencën tonë se të gjitha datat e koncerteve në New York, 17 dhe 18 dhjetor në Madison Square Garden, janë KONFIRMUAR siç janë njoftuar.”






