E rreme gjetja e bizhuterive të vjedhura të Luvrit në Ukrainë

7

Pretendimi: Bizhuteritë e vjedhura nga muzeu i Luvrit u gjetën në Ukrainë midis aseteve të sekuestruara nga Timur Mindich, një mik i ngushtë i presidentit ukrainas Zelensky

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se bizhuteritë e vjedhura nga muzeu i Luvrit në Paris më 19 tetor 2025 janë gjetur në Ukrainë midis aseteve të sekuestruara të biznesmenit ukrainas Timur Mindich.

Megjithatë, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë provë apo burim që e mbështet atë.

Nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga NABU, Luvri apo ndonjë agjenci tjetër franceze apo ukrainase që e konfirmon historinë.

Duket se ky pretendim e ka zanafillën në një video që pretendohet se është nga NABU, Agjencia Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës, dhe duket se tregon gjetjen e gjerdanit të famshëm prej smeraldi të Marie Louise të Austrisë.

Video paraqitet si një komunikim zyrtar i NABU. Megjithatë, agjencia ka konfirmuar për Deutsche Welle se video është e rreme dhe “produkt i propagandës pro-Kremlinit ose i dikujt që dëshiron të përhapë dezinformata.” Zyra e shtypit e agjencisë konfirmoi për AFP se “NABU nuk i ka gjetur bizhuteritë e humbura të Luvrit të Marie-Louise si pjesë e hetimit të saj kundër individit në fjalë (Timur Mindich, red.)”

Anomalia e parë që vërrehet është zëri i tregimtarit, i cili ka një shqiptim të panatyrshëm, një ritëm mekanik dhe gabime në fjalë. Zëri në video pretendon se NABU kreu kontrolle shtëpish “në fillim të tetorit” për të gjetur bizhuteritë. Megjithatë, kjo nuk përkon me kohën e vjedhjes së Luvrit, e cila nuk ndodhi deri më 19 tetor.

Më tej, klipet që tregojnë agjentë të NABU në veprim nuk kanë lidhje me çështjen e xhevahireve; këto në fakt janë marrë nga kanali zyrtar i agjencisë në YouTube dhe dokumentojnë operacione të vërteta antikorrupsion, por në kontekste krejtësisht të ndryshme.

Gjerdani në video është prova më e dukshme e manipulimit. 

Duke e krahasuar atë me fotot autentike të gjerdanit të Maria Luisa të Austrisë, të ruajtur në Luvër, dalin në pah ndryshime domethënëse.

Në video shfaqet një kapëse e madhe e artë, e cila mungon në origjinal. Numri dhe forma e gurëve nuk përputhen. Gurët e varur janë më të shumtë dhe më pak të detajuar. Rendi i gurëve është gjithashtu i pasaktë, ashtu si edhe forma e kuadrateve. Së fundmi, disa seksione tregojnë turbullim dhe shkrirje, tipike për imazhet e gjeneruara me porgrame kompjuterike të inteligjencës artificiale.

Gjerdani i vërtetë (majtas) dhe i gjeneruar (djathtas)

Bizhuteritë e Luvrit mbeten të zhdukura.

Në mesin e nëntorit 2025, NABU zbuloi një rrjet të gjerë korrupsioni në sektorin e energjisë të Ukrainës. Agjencia vlerëson se afërsisht 100 milionë dollarë u përvetësuan.

Një kontroll u krye në shtëpinë e Andriy Yermak, shefit të stafit të presidentit ukrainas që nga viti 2020, i cili dha shpejt dorëheqjen. Dy ministra gjithashtu lanë postet e tyre.

Megjithatë, nuk ka informacion në lidhje me një kontroll të banesës së Timur Mindich. Një bashkëpunëtor i ngushtë i Volodymyr Zelensky, Mindich akuzohet se ka udhëhequr operacionin. Sipas raporteve të medias, ai u largua nga Ukraina pak para se të shpërthente skandali.