Pretendimi: Këngëtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut Shpat Kasapi vdiq si pasojë e vaksinës anti-Covid
Verdikti: E paprovuar
————————————————————-
Grupet anti-vaksinë vijojnë të shfrytëzojnë vdekjen e kujtdo për të pretenduar se shkaku është e ashtuquajtura ‘vraksina’ anti-Covid. Viktima më e fundit e kësaj teorie është këngëtari shqiptar Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë papritur më 26 nëntor 2025.

Postimi i mësipërm shoqërohet me një video ku shihet Kasapi teksa pohon se ka marrë dy doza vaksine. Megjithatë, postimi nuk sqaron se cilat vaksina, dhe nuk provon asnjë lidhje mes vaksinave dhe vdekjes.
Sipas burimeve mediatike, Shpat Kasapi u nda nga jeta për shkak të një arresti kardiak.
Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, rreziku nga miokarditi dhe perikarditi pas marrjes së vaksinës anti-Covid ekziston kryesisht tek meshkujt adoleshentë dhe të rinj. Kur vdiq, Kasapi ishte 40 vjeç.
Për më tepër, rastet e miokarditit/perikarditit që janë raportuar pas vaksinimit zakonisht kanë ndodhur brenda një jave nga vaksinimi. Ataku kardiak i pësuar nga Kasapi në 2025 nuk ka gjasa të ketë ndodhur një javë pas vaksinimit.
Nuk ka prova se Shpat Kasapi vdiq si pasojë e efekteve anësore të vaksinës anti-Covid.
Konspiracionistët anti-vaksinë kanë lidhur vdekjet e një numri personash me vaksinën anti-Covid edhe më parë. Faktoje ka përgënjeshtruar disa nga këto pretendime.






