Pavarësisht kujdesit, Suedia nuk përdor kripë për akullin që nuk dëmton zogjtë

13

Pretendimi: Në vend të kripës klasike që shkrin akullin gjatë dimrit, por helmon zogjtë dhe kafshët e egra, Suedia ka zhvilluar një lloj kripe të ngrënshme

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi prekës se, në vend të kripës së zakonshme për shkrirjen e borës, Suedia ka nisur të përdorë një alternativë jo-toksike për zogjtë dhe kafshët.

Fatkeqësisht, ky lajm mallëngjyes është i pavërtetë.

Nëse historia do të kishte qenë e vërtetë dhe zogjtë do të tërhiqeshin vërtet nga përbërësit e kripës së hedhur në rrugë, kjo do të kishte rritur ndjeshëm shanset që zogjtë të goditeshin nga makinat dhe do të kishte kontribuar në një rritje të aksidenteve rrugore.

Trafikverket, Administrata Suedeze e Transportit, në seksionin e pyetjeve dhe përgjigjeve në lidhje me kripën në rrugë, e mohon qartazi pretendimin:

Për momentin, postime të rreme në lidhje me metodat e kriposjes së rrugëve po përhapen në mediat sociale. Ideja është se ne në Administratën Suedeze të Transportit po përdorim një lloj të ri kripe rrugore me ngjyrë të kuqe. Kjo nuk është e vërtetë.

Zyrtarja e Komunikimit për Shtypin, Katarina Wolffram, tha për Reuters se Administrata Suedeze e Transportit nuk e ka përdorur kurrë “produktin e pretenduar” dhe nuk ka planifikuar ta bëjë këtë.

Në një provë rreth 20 vjet më parë, Suedia përdori një përzierje kripe dhe sheqeri në zona të vogla testimi, tha ajo. Tani përdor klorur natriumi të zakonshëm me një pastërti minimale prej 97%.

Kjo metodë përdoret vetëm kur asnjë metodë tjetër kundër rrëshqitjes nuk funksionon, sipas faqes së internetit të Administratës së Transportit.

“Ne hedhim kripë në rrugë me trafik të lartë dhe aty ku shpesh ka ndryshime të shpejta të temperaturës. Ka efekte negative të hedhjes së kripës për të cilat jemi të vetëdijshëm, por pa kripë, trafiku kryesisht i rëndë do të ndalonte. Ne po punojmë për të përmirësuar metodat dhe po përpiqemi vazhdimisht të zvogëlojmë sasinë e kripës”, thotë faqja e internetit.

Disa qytete në SHBA dhe Kanada kanë përdorur lëng panxhari ose shëllirë të përforcuar me panxhar, ndër alternativa të tjera, për të veshur rrugët e tyre në dimër.

Niklas Aronsson, oficer shtypi në BirdLife Sweden, tha për Reuters se nuk ishte në dijeni që përdorimi i ekstraktit të panxharit dhe niseshtesë së misrit mund të ishte i dobishëm.

Ka mungesë kërkimesh se si kripa e rrugës ndikon te zogjtë, tha Aronsson, por ai iu referua një studimi të vitit 2005 që shqyrtoi rastet e vdekshmërisë së zogjve përgjatë anëve të rrugëve ku është aplikuar kripë. Studimi sugjeroi se toksiciteti i kripës kontribuoi në vulnerabilitetin e zogjve të vegjël këngëtarë ndaj trafikut rrugor dhe mund të jetë një shkak i drejtpërdrejtë i vdekshmërisë në disa raste.