Jona Cenameri
Tre vite pas premtimit për “përfundimin e rehabilitimit të rrugëve dhe kanaleve kulluese në njësinë administrative Levan”, situata në terren mbetet larg përmbushjes së plotë të premtimit.
Rrugët dytësore në disa fshatra janë të amortizuara, ndriçimi publik është i pamjaftueshëm, mungon vijëzimi, sinjalistika rrugore dhe trotuaret, ndërsa shumë nga kanalet kulluese janë ende të bllokuara ose të pastruara pjesërisht nga vetë banorët.
Premtimi
Në prill 2023, pak javë para zgjedhjeve vendore, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, premtoi “përfundimin e rehabilitimit të infrastrukturës rrugore dhe pastrimin e kanaleve kulluese” në njësinë administrative Levan, që përfshin fshatrat Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Qarr, Bishan, Shtyllas, Bashkim, Pishë Poro, Boçovë dhe Ferras.
Dy verifikimet e mëparshme të “Faktoje”, në nëntor 2023 dhe tetor 2024, treguan se ky premtim ishte pjesërisht i mbajtur, pasi ndërhyrjet ishin të pjesshme dhe shumë zona vijonin të përmbyteshin sa herë kishte reshje.
Verifikimi në terren (nëntor 2025)
“Faktoje” konstatoi se infrastruktura në pjesën më të madhe të fshatrave të njësisë administrative Levan mbetet e paplotë dhe e amortizuar, me ndryshime të vogla nga një zonë në tjetrën.
Pamja e përgjithshme tregon se ndërhyrjet për përmirësimin e rrugëve dhe pastrimin e kanaleve kulluese kanë qenë të pjesshme, dhe të pamjaftueshme.
















Në Peshtan të Madh, ndonëse rruga kryesore është e shtruar, ndriçimi i rrallë, tek tuk jo funksional sipas banorëve, dhe mungesa e trotuareve dhe sinjalistikës rrugore e bën qarkullimin të vështirë. Një mësuese e zonës e përshkruan situatën “veçanërisht problematike pranë shkollës”, ku këto mungesa rrisin rrezikun për aksidente.
Në Peshtan të Vogël, gjendja është më e rënduara nga gjithë njësia: rrugët janë të dëmtuara, pa ndriçim dhe sinjalistikë, ndërsa mungon lidhja me fshatin fqinj. Kanalet janë të mbuluara me bimësi të dendur, dhe për pastrimin e tyre kujdesen vetëm disa banorë të moshuar. “Të rinjtë janë larguar, ne të vjetrit s’kemi më fuqi ta bëjmë vetë,” thotë një çift i moshuar.
Në Shtyllas situata përsëritet: fshati përmbytet pas çdo shiu për shkak të kanaleve të bllokuara. “Kanalet i kemi pastruar vetë, se bashkia nuk ka ardhur,” shprehet një banor. Rrugët janë të shtruara, por pa trotuare, me ndriçim të pakët dhe sinjalistikë minimale.
Në Qarr, kushtet janë disi më të mira, rrugët janë të shtruara dhe kanë trotuare, ndriçim, ndonëse jo të shpeshtë dhe sinjalistikë minimale, ndërsa kanalet kryesore janë nën tokë dhe funksionale sipas banorëve.
Në Martin, ndriçimi ekziston, por është i pakët dhe vijëzimi mungon, ndërsa kanalet duken të pastruara nga vetë banorët.
Në Bishan, kanalet janë të mbushura me mbeturina dhe kallamishte. Edhe pse rruga është e shtruar, banorët ankohen për mungesën e trotuareve, ndriçimit dhe sinjalistikës rrugore.
Fshatrat Poro dhe Pishë Poro kanë rrugë kryesore të shtruara dhe ndriçim funksional, por mungojnë trotuaret, sinjalistika dhe sistemet e kanalizimit. Ndërkohë, në fshatrat Bashkim dhe Boçovë, rrugët janë të shtruara, por pa trotuare e ndriçim të mjaftueshëm.
Kanalet janë të zëna dhe pastrimi bëhet nga banorët. “Vetëm rruga kryesore është bërë, pjesa tjetër është harruar,” tha një banore e Boçovës.
Në Ferras, rrugët janë të shtruara, por pa vijëzim e sinjalistikë, ndriçimi është i rrallë dhe kanalizimet mungojnë. Banorët pohojnë se pastrimi nuk është bërë prej muajsh, ndërsa gjatë reshjeve uji del në sipërfaqe duke rrezikuar banesat pranë rrugës.
Në tërësi, pamja e njësisë Levan tregon për një model të përsëritur: rrugë të shtruara pjesërisht, ndriçim të kufizuar, sinjalistikë të munguar dhe kanale që pastrohen vetëm falë banorëve.
Përgjigjja e Bashkisë Fier
Në përgjigjen zyrtare për “Faktoje”, Bashkia Fier deklaron se: “Aktualisht, të gjitha qendrat e fshatrave të Njësisë Administrative Levan janë të lidhura me rrjet rrugor të shtruar/asfaltuar. Rehabilitimi i infrastrukturës rrugore ka filluar që në vitin 2015 dhe do të vazhdojë deri në vitin 2030.
Në sistemin vaditës/kullues të kësaj njësie ka filluar ndërhyrja për pastrimin dhe rehabilitimin që prej vitit 2016, duke sjellë ndryshime të konsiderueshme”
Institucioni shton se “kanalet e para dhe të dyta janë pastruar dhe sistemuar, ndërsa për kanalet e treta kërkohet bashkëpunimi me banorët për mirëmbajtjen e tyre”
Megjithatë, verifikimi në terren tregon se shumë nga kanalet janë ende të bllokuara nga bimësia dhe mbeturinat, çka tregon se ndërhyrjet janë të pjesshme, dhe të pamjaftueshme.
Përfundimi
Nga krahasimi i të dhënave zyrtare me gjendjen reale në terren, “Faktoje” konstaton se premtimi për përfundimin e rehabilitimit të rrugëve dhe pastrimin e kanaleve kulluese në njësinë Levan mbetet pjesërisht i mbajtur.
Edhe pse Bashkia Fier raporton për “punë të vazhdueshme deri në vitin 2030”, situata aktuale tregon një proces të ngadalshëm, me ndërhyrje të pjesshme dhe mungesë mirëmbajtjeje.
Problemet e përmbytjeve, mungesa e ndriçimit dhe sinjalistikës, si edhe pastrimi i kufizuar i kanaleve, dëshmojnë se banorët e Levanit vazhdojnë të përballen me të njëjtat sfida.

Njësia Administrative Levan; Fshatrat: Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Qarr, Bishan, Shtyllas, Bashkim, Pishë Poro, Boçovë dhe Ferras.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.






