Pretendimi: Instalacioni i vendosur në mozaikun e Muzeut Kombëtar të Tiranës në nëntor 2025 ka të bëjë me komunitetin LGBT
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————–
Një instalacion i vendosur mbi Mozaikun Shqipëria të Muzeut Kombëtar të Tiranës më 12 nëntor 2025 ka tërhequr vëmendjen e publikut, duke arritur qëllimin e ideatorëve të tij. Mes shumë debateve për këtë vepër dhe mesazhet që tenton të transmetojë, pati edhe nga ata që e interpretuan në rrjetet sociale dhe mediat shqipfolëse si një tentativë për të promovuar komunitetin LGBT. Kjo, në vazhdën e debatit të freskët për përkufizimin e gjinive në ligjin e barazisë gjinore, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në 6 nëntor 2025.

Ky instalacion shfaq gruan në mes të mozaikut, e cila përfaqëson Shqipërinë, si një grua pa flokë. Çka vihet gjithashtu re në instalacion është shenja në gjoksin e djathtë të gruas, që nënkupton një ndërhyrje kirurgjikale.
Përkundër këtyre interpretimeve, këto dy tregues pamorë qartazi evokojnë figurën e një gruaje të prekur nga kanceri i gjirit, pavarësisht prirjeve të saj seksuale.
Në fakt, instalacioni “Dielli i Ditës Tjetër” është prezantuar në 12 nëntor “si dedikim për 1 në 12 gra që diagnostikohen me kancer gjiri, një kujtesë e përbashkët dhe një thirrje për ndërgjegjësim, solidaritet dhe shpresë.”

Artistja Blerta Kambo ka pohuar se instalacioni është krijuar si shprehje solidariteti me 1 në 12 gratë që përballen me kancerin e gjirit.
Për këtë arsye, instalacioni u hap më 12 nëntor 2025 dhe do të qëndrojë për 12 ditë mbi Mozaikun Shqipëria.






