Pretendimi: Kjo është një pamje e Ali Ahmetit të shtruar në spital
Verdikti: I pavërtetë
Barbara Halla
Një fotografi që ka qarkulluar në Facebook përgjatë fushatës elektorale të shtatorit pretendonte se Ali Ahmeti, udhëheqësi i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, ndodhej i shtruar në spital. Postimi që shoqëron foton pretendon se kjo gjendje shëndetësore ishte pasojë e një tubimi të koalicionit të partive shqiptare VLEN, të cilët janë kundërshtarët e BDI. Megjithatë, nuk ka asnjë dëshmi të besueshme që një gjë e tillë ka ndodhur, ndërsa verifikimi i pamjes ngre dyshime për një imazh të krijuar përmes Inteligjencës Artificiale.

Lajmi se Ahmeti është dërguar në spital nuk është konfirmuar nga asnjë media e njohur, dhe nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga partia vetë apo njoftim nga institucionet shëndetësore që të mbështesi këtë pretendim. Këtu bëhet fjalë për një foto to gjeneruar me Inteligjencë Artificiale për të vënë në lojë kryetarin e BDI, pavarësisht se kjo foto është shpërndarë nga një faqe që pretendon se poston komente dhe analiza politike.
Origjina joreale e fotos mund të dallohet përmes një vëzhgimi të afërt që tregon natyrën artificiale të sfondit, si dhe kontrastin e ngjyrave midis dhomës së errët dhe fytyrës së ndriçuar të Ahmetit, e cila ka një pamje plastike dhe jo natyrale. Gjithashtu, portreti I Ahmetit në foto është një pamje e një moshe më të hershme se ajo aktuale e politikanit 66-vjeçar.
Kjo foto e Ahmetit, si një figurë kyçe në politikën e Maqedonisë së Veriut, duket se është pjesë e goditjeve politike përgjatë fushatës elektorale që parapriu zgjedhjet vendore të 19 tetorit në Maqedoninë e Veriut. Këto zgjedhje erdhën pas zgjedhjeve parlamentare të 2024, ku koalicioni i djathtë VMRO-DPMNE fitoi dukshëm. Ky rezultat u përsërit edhe në zgjedhjet vendore, ku VMRO-DPMNE pati po ashtu një fitore të dukshme kundër kndërshtarëve të majtë. Sipas raportimeve të fundit, VMRO-DPMNE fitoi kryebashkitë në 53 nga 81 zonat ku kandidoi.
Ndërkohë, siç raporton edhe Balkan Insight, situata në zonat shqiptare është më e komplikuar. Koalicioni VLEN, që është pjesë e koalicionit qeverituar VMRO-DPMNE, arriti të fitonte 5 bashki në raundin e parë, siç fitoi po ashtu dhe BDI. Pra, ezkiston një rivalitet mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që duket te ketë nxitur dhe fotografinë-parodi të Ali Ahmetit në rrjetet sociale.






