Ulja e pritshme e shtëpive në Tiranë jo një analizë e Bankës së Shqipërisë

13

Pretendimi: Banka e Shqipërisë ka thënë se çmimet e shtëpive do bien frikshëm në Tiranë në muajt në vijim

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————————-

Një artikull i botuar më 4 nëntor 2025 në portalin Noxblog jep lajmin e mirë se Banka e Shqipërisë ka njoftuar se çmimet e shtëpive në Tiranë “do bien frikshëm” në muajt në vijim.

Megjithatë, lexuesi nuk duhet të lumturohet para kohe. Titulli i mësipërm është një keqintepretim.

Në brendinë e artikullit sqarohet se titulli i referohet botimit të vrojtimit mujor të besimit të bizneseve dhe konsumatorëve nga Banka e Shqipërisë.

Artikulli deklaron se “sipas raportit, Treguesi i Besimit në Ndërtim është rritur me 2.4 pikë përqindje në tetor, duke qëndruar rreth 15 píkë mbi mesataren afatgjatë. […] Megjithatë, Banka thekson se pritjet për çmimet në të ardhmen janë ulur, çka tregon një tendencë drejt stabilizimit ose rënies së çmímeve në tregun e ndërtimit.”

Vrojtimi në fjalë, botuar më 3 nëntor 2025, vërtet raporton se treguesi i besimit në ndërtim u rrit dhe “pritjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar me rënie.”

Megjithatë, ky ‘parashikim’ nuk vjen nga Banka e Shqipërisë, por nga bizneset e anketuar për përpilimin e këtij vrojtimi të besimit, të cilët i janë përgjigjur pyetjes së mëposhtme.

Për krahasim, në muajt e mëparshëm pritja e ndryshimit të çmimeve në këtë sektor ka parë si ulje dhe rritje. 

Ulja më domethënëse ka qenë nga maji në qershor, ndërsa rritja më domethënëse nga korriku në gusht. Krahasimisht, ulja e pritur e çmimeve këtë muaj vështirë se mund të quhet e frikshme. 

Për më tepër, çfarë përgjigjen bizneset e anketuara nga Banka e Shqipërisë dhe çfarë është realiteti i tregut të pronave të patundshme në Tiranë, jo domosdoshmërisht mund të përkojnë.

Titujt e mësipërm dukshëm synojnë të përfitojnë klikime duke tërhequr interesin dhe vëmendjen e publikut.