Adenokromi, arsyeja më pak e mundshme për syrin e nxirë të Ballukut 

Konspiracioni në rrjet pas shfaqjes publike të zv.kryeministres

86

Një shfaqje publike e zv.kryeministres Belinda Balluku ku duket se ajo ka një të nxirë në pjesën e syrit të majtë ka frymëzuar konspiracionistët online për të pretenduar se kjo shenjë dëshmon se Balluku “ka marrë Adenochrom.”

Adrenokromi, një përbërës kimik që rrjedh nga oksidimi i adrenalinës, mbetet subjekt i shumë teorive konspirative dhe pretendimeve spekulative. 

Ai është studiuar në vitet 1950-70, por sot nuk ka asnjë përdorim mjekësor. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) nuk e ka aprovuar përdorimin e adrenokromit. Mbi të gjitha, nëse një kabal elitash do ta donte gjithsesi këtë substancë të deklaruar të padobishme nga shkenca, nuk do t’i duhej të rrëmbenin fëmijë nëpër tunele nëntokësore për ta përftuar atë. Adrenokromi mund të krijohet në laborator, madje mund të blihet në internet lehtësisht.

Joseph A. Schwarcz, drejtori i Zyrës për Shkencën dhe Shoqërinë në Universitetin McGill, shkruan se teoria konspirative e adrenokromit ka ngjyrime anti-Semite, duke cituar një histori të gjatë të akuzave se hebrenjtë përdorin gjakun e fëmijëve të krishterë në ritualet e tyre fetare. Këto akuza kanë shërbyer historikisht për të justifikuar dhe nxitur persekutimin e hebrenjve në Europë.

Pretendimi se adrenokromi mund të shkaktojë sy të nxirë është një mit pa bazë shkencore.

Një sy i nxirë, ose hematoma periorbitale, ndodh kur enët e gjakut rreth syrit dëmtohen, shpesh për shkak të traumave ose lëndimeve. Gjendja karakterizohet nga ënjtje dhe njollosje rreth syrit, e cila vjen si pasojë e grumbullimit të gjakut nën lëkurë. 

Shkaqet e zakonshme të syve të nxirë përfshijnë goditje të drejtpërdrejtë në zonën e syrit, si nga një grusht ose rënie; aksidente ose lëndime që përfshijnë kokën ose fytyrën ose gjendje mjekësore ose trajtime që ndikojnë në mpiksjen e gjakut që mund të çojnë gjithashtu në sy të nxirë.

Sytë e nxirë shkaktohen kryesisht nga trauma fizike ose gjendje mjekësore që ndikojnë në enët e gjakut, jo nga komponimet kimike si adrenokromi.