Jona Cenameri

Godina e parkimit publik në qendër të Durrësit, e premtuar për të lehtësuar trafikun dhe mungesën e vendeve të parkimit, nuk është ende funksionale, megjithëse kanë kaluar të gjitha afatet e shpallura për përfundimin e saj. “Faktoje” konstatoi në terren se objekti duket i përfunduar në pamje të parë, por nuk është i hapur për përdorim.

Premtimi

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2023, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, e përfshiu ndërtimin e parkimit publik me kate dhe me një kapacitet prej mbi 300 vendesh, në listën e premtimeve elektorale, si masë për zgjidhjen e trafikut në qendër të qytetit.

“Për ta mbyllur me zgjidhjen e çështjeve të trafikut që ka qyteti i Durrësit, duke ndërtuar një godinë parkimi publik në qendër të qytetit,” deklaroi Sako më 19 prill 2023.

Ky projekt ishte përmendur edhe më herët, në tetor 2022, kur u sqarua se investimi është financim i Qeverisë së Shqipërisë përmes Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), ndërsa Bashkia e Durrësit është vetëm përfituese.

Faktet

Sipas Open Procurement, kontrata për ndërtimin e parkimit është lidhur më 13 dhjetor 2022, me kohëzgjatje 12 muaj. Pra sipas saj afati i përfundimit i takonte të ishte dhjetori i vitit 2023. Më pas, afatet ndryshuan në mënyrë të përsëritur.

Në tetor 2023 kur Faktoje shkoi për ta verifikuar premtimin në terren, tabela e kantierit shënonte një afat të ri, prill 2024.

FSHZH në përgjigje ndaj kërkesës sonë për informacion në vitin 2024, raportoi progres me rreth 75% të punimeve të përfunduara dhe lajmëroi tetorin 2024 si afatin e përfundimit të parkimit publik.

Në tetor 2024, kur Faktoje u rikthye sërish për verifikimin e dytë në terren, u konstatua se, ndonëse struktura ishte ngritur, objekti mbetej jo funksional.

Verifikimi në terren  (tetor 2025)

Më 7 tetor 2025, “Faktoje” u rikthye për të tretën herë në terren për verifikim. Godina dukej e përfunduar, të paktën nga pamja e jashtme, por nuk ishte ende funksionale. Objekti ishte i mbyllur dhe mungonte njoftimi për datën e hapjes.

Për sqarim, “Faktoje” kërkoi nga Bashkia Durrës informacion nëse ndërtimi ka përfunduar, nëse objekti është vënë në funksion, apo nëse ka ende punime dhe cilat janë arsyet e vonesës.

Përgjigjja e Bashkisë Durrës

“Në lidhje me parkimin publik ju informojmë se ky projekt nuk është hartuar nga Bashkia Durrës, nuk ndiqet si investim nga Sektori i Ndjekjes së Investimeve Publike. Projekti financohet nga FSHZH, e cila përgjigjet për procedurat e tjera administrative. Bashkia Durrës është përfituese e këtij investimi,” sqaron institucioni.

Përgjigjja e FShZh

“Punimet ndërtimore kanë përfunduar. Aktualisht po punohet për pastrimin e godinës, lidhjen dhe testimet me rrjetin e energjisë elektrike, si dhe testimet e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza. Pas kolaudimit të rrjeteve inxhinierike, godina do të vihet në funksion,” bëri të ditur FSHZH për “Faktoje”.

Përfundimi

Edhe pse struktura fizike është përfunduar, parkimi nuk është vënë në funksion dhe nuk i shërben ende qëllimit publik. Pavarësisht deklarimeve për “përfundim punimesh”, kolaudimi dhe vënia në punë vijojnë të zvarriten.

Në këto kushte, “Faktoje” e kategorizon deri më tani premtimin për ndërtimin dhe vënien në funksion të parkimit publik me kate në qendër të Durrësit si të pambajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.