Më 8 tetor 2025, Këshilli i Ministrave firmosi një vendim që i ndalon zyrtarisht shqiptarëve të dijnë se si shpenzohen paratë e tyre nga pushtetarët. 

Një vendim i ri i Këshillit të Ministrave (VKM) i jep Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare të drejtën që të blejë bileta avioni, të rezervojë hotele apo shërbime të tjera për zyrtarët e lartë të shtetit përmes kontratave konfidenciale me kompani private.

Në dukje, një ndryshim teknik. Në thelb, një ndarje midis pushtetit dhe qytetarëve: një mur tjetër që ngrihet mes atyre që paguajnë taksa dhe atyre që i shpenzojnë frytet e punës së qytetarëve.

“Konfidencialiteti” që fsheh luksin

VKM-ja që pritet të hyjë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, thotë se Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka të drejtë “të mbrojë të dhënat personale dhe të ruajë informacionin e detyrueshëm mes palëve”. 

Fjalë burokratike që, në praktikë, përkthehen kështu: publiku nuk mund të dijë më sa kushton një udhëtim i kryeministrit, një natë qëndrimi në hotel i ministrit apo një fluturim i një delegacioni shtetëror.

Është një vendim që i jep pushtetit komoditetin e luksit, pa rrezikun e turpit publik.

Studiuesi Afrim Krasniqi, e quan VKM-në “një kthim prapa në standardet demokratike”:

Ky vendim bie në kundërshtim me parimet e transparencës, llogaridhënies dhe me detyrimin e institucioneve publike për të dhënë informacion të detajuar për përdorimin e buxhetit të shtetit,” – shpjegon Krasniqi, sipas të cilit në asnjë vend demokratik nuk ndodh që kontrata të tilla të jenë konfidenciale. 

Për një vend që kërkon anëtarësimin në Bashkimin Europian, ky akt është një shuplakë ndaj transparencës, një rikonfirmim i qeverisjes pa llogaridhënie.

Standardet e BE-së, ku Shqipëria dëshiron të anëtarësohet, e bëjnë detyrë që krahas pasurisë dhe të ardhurave të politikanëve, të deklarohen qartë edhe shpenzimet e udhëtimeve, akomodimit dhe çdo shpenzim tjetër publik,” argumenton për Faktoje, Afrim Krasniqi.

Sipas tij, ky vendim bie ndesh jo vetëm me etikën publike, por edhe me detyrimet që Shqipëria ka marrë ndaj BE-së, ku transparenca është kriter kyç i anëtarësimit.
“Në vend që ta zgjerojmë transparencën, – thotë ai, – ne po e mbyllim atë”.

Një betejë që Faktoje e njeh mirë

Ishte viti 2022, kur pas akuzave për shpenzime marramendëse në udhëtime charter, kryeministri Rama deklaroi se gjithçka ishte “brenda buxhetit të qeverisë”. Ne kërkuam provat. Por përgjigja që morëm ishte befasuese: “faturat tatimore janë të natyrës private”.

Faturat tatimore të lëshuara nga kompania ajrore Air Albania janë të natyrës private dhe pa efekt mbi individë” pretendoi Kryeministria asokohe, duke shtuar se “Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare nuk është e përligjur të komunikojë elemenë material të kësaj natyre

Sipas qeverisë, privatësia e kompanisë që shet biletat është më e rëndësishme se e drejta e qytetarëve për të ditur se si përdoren paratë e tyre.

Në një rast tjetër, Faktoje fitoi në gjykatë të drejtën për t’u pajisur me faturat e udhëtimeve të ministrit të jashtëm, por vendimi gjyqësor kurrë nuk u zbatua. 

Shkak për këtë “hermetizim” të informacionit, me gjasë ishte ngjarja e 2019-ës kur Faktoje zbuloi se qëndrimi një natë në Romë i ministres së Drejtësisë në kabinetin Rama 1 në 2019-ën, Etilda Gjonaj, i kushtoi buxhetit të shtetit 700 euro. 

Heshtja që kushton

Në fund të ditës, kjo nuk është thjesht një çështje ligjore. Është një çështje morali publik.

Çdo euro që shkon për një biletë luksoze ose një suitë qeveritare është një para që del nga xhepat e njerëzve që punojnë, paguajnë dhe jetojnë me sakrifica.E nëse qeveria kërkon të fshihet pas një kontrate “konfidenciale”, pyetja mbetet e hapur:
Kujt i shërben kjo fshehtësi, interesit të publikut, apo rehatisë së pushtetit?