Bashkia e Kavajës ende nuk e jep bonusin mujor prej 5 mijë lekësh për bebet e sapolindura, një premtim i bërë nga Fisnik Qosja gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit. Edhe pse ky premtim ishte pjesë e angazhimeve të fushatës, deri më tani asnjë nga familjet që kanë sjellë në jetë një fëmijë nuk ka e marrë bonusin mujor. Kjo konfirmohet zyrtarisht për Faktoje.al edhe nga Bashkia e Kavajës.

“Do të ofrojmë bonuse mujore në vlerën 50 mijë lekë në muaj për çdo lindje të re në Bashkinë Kavajë në vitin e parë të jetës”, premtoi Qosja më 23 shkurt 2023, në një intervistë për Panorama, duke shtuar se kjo do të realizohej brenda 6-mujorit të parë në krye të këtij institucioni.

Edhe më 10 mars 2023, ai e përsëriti premtimin: “Do japim bonuse mujore në vlerën 5000 ALL (5 mijë lekë të reja në muaj) për çdo lindje të re në Bashkinë Kavajë, në vitin e parë të jetës”.

Kur ka kaluar rreth 1 vit e gjysmë nga ky zotim i kryebashkiakut Qosja, Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Kavajës. Zyrtarisht institucioni sqaron se nuk jepen bonuse mujore prej 5 mijë lekësh për lindjet e reja.

“Bashkia nuk jep më bonuse”, është kjo përgjigjia e shkurtër nga Bashkia Kavajë.

Faktoje.al pyeti edhe pranë Gjendjes Civile nëse kishin informacione në lidhje me këtë bonus, por konfirmuan se nuk kishin dijeni për dhënien e tyre. Ndërkohë mësuam se në 10 muajt e vitit 2024 janë regjistruar 102 lindje në Bashkinë Kavajë.

“Lindje të mbajtura në Bashkinë Kavajë nga janari i vitit 2024 deri në tetor të 2024 janë në total 102 lindje”, bën të ditur Gjendja Civile Kavajë.

Jonida është nënë e një djali 9 muajsh, por thotë që nuk ka dëgjuar dhe as nuk ka marrë bonus për beben e saj.

“Djalin e kam lindur në maternitet në Tiranë, por është i regjistruar këtu në Kavajë. Nuk na kanë dhënë bonus, nuk di gjë. Kam marrë vetëm çekun e lindjes së bebit, 400 mijë lekshin (të vjetra)”-tregon ajo.

Nisur nga verifikimi i kryer, vendosëm që premtimin për dhënien e bonusit për lindjet e reja ta kategorizojmë deri tani të pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Artikulli paraprakHistoria e gjatë e narrativave kundër BE-së të Viktor Orbanit
Artikulli tjetërI pabazë studimi për metalet në brendësi të vaksinave Covid
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.