Fondi total i rindërtimit prej 66 miliardë lekësh, ishte planifikuar të realizohej i ndarë në 3 vite, aq sa është përcaktuar të zgjasë procesi i rindërtimit (2020-2022). Nga kjo shumë, 28 miliardë lekë i përkojnë vitit 2021. Sipas konfirmimit të Ministrisë së Financave, deri në muajin korrik, fondi i këtij viti është realizuar në masën 49%. Më herët ministri Ahmetaj ka garantuar se procesi i rindërtimit përfundon brenda prillit 2022, por kur kanë mbetur vetëm 9 muaj nga mbarimi i këtij afati, rezulton se nuk është realizuar as gjysma e fondit total prej 66 miliardë lekësh, ndërsa po të shtosh edhe fondin ende të padisbursuar nga donatorët, realizimi zbret në 25% të planifikimit.
Në fillim të muajit prill 2021, ministri i Rindërtimit, zoti Arben Ahmetaj në një intervistë për “Report TV“, u zotua se procesi i rindërtimit do të përfundonte plotësisht brenda 1 viti.
“Premtimi jonë, i bazuar në procese konkrete të rindërtimit, është që në pranverën e vitit 2022, diku në prill, nuk do të ketë më asnjë shenjë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, përveç asaj që do kenë qytetarët në memorie.” – u shpreh ai.
Realizimi i fondit të rindërtimit për vitin 2021
Fondi i Rindërtimit është përcaktuar në shumën 66 miliardë lekë, i ndarë në 3 vitet e planifikuara për t’u realizuar (2020-2022). Për vitin 2020 fondi i planifikuar ishte 32 miliardë lekë, për vitin 2021 28 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2022 ishte 6 miliardë lekë.
Ashtu siç kemi raportuar më parë, përgjatë vitit 2021 (janar-maj), shuma më e lartë e disbursuar i përket muajit prill, i cili përkon me muajin zgjedhor. Sot, kur Ministria e Financave ka përditësuar raportimet për shpenzimet e rindërtimit me dy muaj të tjerë (qershor-korrik), muaji prill mbetet ai me shumën më të lartë. Disbursimi gjatë periudhës janar-korrik 2021 nga fondi i rindërtimit është:
1. Janar 2021 – 6 milionë lekë
2. Shkurt 2021 – 901 milionë lekë
3. Mars 2021 – 2,046 miliardë lekë
4. Prill 2021 – 3,929 miliardë lekë
5. Maj 2021 – 2,287 miliardë lekë
6. Qershor 2021 – 1,682 miliardë lekë
7. Korrik 2021 – 2,930 miliardë lekë
Gjatë kësaj periudhe 7-mujore janë disbursuar 13,781 miliardë lekë nga fondi prej 28 miliardë lekësh të vitit 2021 çka përkthehet në realizimin e tyre në masën e vetëm 49% (deri në muajin korrik).
Realizimi i fondit të rindërtimit në total
Ashtu siç kemi shkruar më parë, vetëm gjysma e fondit të rindërtimit është realizuar për vitin 2020, ku u disbursuan 16,591 miliardë lekë nga 32 miliardë që ishte përcaktuar fondi. Për sa i përket vitit 2021, janë disbursuar 13,781 miliardë nga 28 miliardë të planifikuara. Deri në këtë moment, janë disbursuar 30,372 miliardë nga fondi i rindërtimit, ose 46% e fondit total prej 66 miliardë lekësh.
Ky disbursim në masën 46% është bërë përgjatë 19 muajve (janar 2020-korrik 2021). Nëse do përmbushet zotimi i ministrit Ahmetaj, sipas të cilit rindërtimi përfundon në prill të vitit 2022, mbeten vetëm 9 muaj nga afati i vendosur. Për të realizuar plotësisht buxhetin e planifikuar për rindërtimin, do duhej që 54% e fondit të realizohej brenda këtyre 9 muajve të mbetur, që në praktikë vështirë të arrihet.
Më i ulët është niveli i realizimit të fondit në krahasim me faturën sipas Ministrisë së Rindërtimit. Referuar edhe raportimeve të mëparshme duke llogaritur që 66 miliardë lekëve të buxhetit do t’i shtohen 450 milionë euro të donatorëve (300 milionë euro grante + 150 milionë euro kredi), fatura e rindërtimit shkon në rreth 120 miliardë lekë. Për shkak se deri në këtë moment janë disbursuar rreth 30 miliardë lekë për rindërtimin, realizimi real i fondit në raport me faturën është vetëm 25%.
Me vetëm 9 muaj të mbetur deri në përfundim të procesit të rindërtimit, duhet parë se sa dhe si do të realizohet ky afat në nivel buxhetor.