.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në Facebook73 viktimat e tërmetit në Turqi me prejardhje të vjetër shqiptare

73 viktimat e tërmetit në Turqi me prejardhje të vjetër shqiptare

Në media të ndryshmë shqiptare po qarkullon një lajm ku thuhet se nga tërmeti tragjik në Kahramanmaras të Turqisë kanë humbur jetën mbi 70 shqiptarë. Rezulton se lajmi është nxjerrë nga konteksti. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë sqaroi se bëhet fjalë për “familje apo persona që janë me prejardhje të vjetër shqiptare, por kanë shtetësi turke”.

 

“Kryetari i shoqatës: 73 shqiptarë vdiqën nga tërmeti në Turqi.”– ky është një nga dhjetra titujt që po qarkullon në media të ndryshme në Shqipëri gjatë ditëve të fundit. Mediat referojnë si burim informacioni një interviste të dhënë nga Kryetari i Shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve, Evren Kaya për Kosova Press. Një prej tyre është dhe portali albaniacelebrity.blogspot.com.

“Tani në Kahramanmaras 70 veta na kanë vdekur. Edhe në Hatay, tre persona shqiptarë na kanë vdekur. Aty i kam pa në Facebook edhe çfarë kam dëgjuar po ju tregoj… Tani për ushqim nuk është problem, por për tu ngrohur se ftohtë është shumë. Stufat po i dërgon shteti nga mundet, disa që nuk po munden me u lajmërua po edhe ne sa po mundemi po u ndihmojmë”, – shkruan portali teksa citon intervistën e Kaya për KosovaPress.

Nga verifikimet e bëra rezulton se lajmi është nxjerrë nga konteksti, pasi zyrtarisht Kosova nuk konfirmon asnjë humbje jetë nga tërmeti tragjik i 6 shkurtit në Turqi.

Në një reagim zyrtar për Radio Evropa e Lirë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë bën me dije se në mesin e viktimave nga tërmetet që kanë goditur Turqinë nuk ka asnjë shtetas kosovar, por se bëhet fjalë për “familje/persona që kanë shtetësi turke, por janë me prejardhje të vjetër shqiptare”.

Ky reagim i MPJD-së vjen pas deklarimeve të Evren Kaya, kryetar i Shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve të Turqi, se 70 shqiptarë janë në mesin e të vdekurve.

Po ashtu, MPJD shtoi se disa shtetas të Kosovës kanë kërkuar ndihmë në Ambasadën dhe Konsullatën e Kosovës në Ankara, përkatësisht në Stamboll.

Sipas informacioneve të ministrisë, për periudhën 10-13 shkurt, dy studente nga Kosova që gjenden në qytetin Adana, kanë kontaktuar Ambasadën e Kosovës në Turqi dhe i kanë njoftuar se janë vendosur në një konvikt universitar dhe janë mirë me shëndet.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara po vazhdon komunikimin me të dy studentet dhe po shqyrton të gjitha mundësitë që të realizojë kthimin e tyre në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, më 13 shkurt një familje nga Kosova ka informuar Ambasadën se është larguar nga Gaziantepi për në Ankara dhe ka nevojë për fletë udhëtimi për t’u kthyer në Kosovë.

Për fat të mirë, deri më sot edhe Tirana zyrtare nuk ka publikuar ndonjë informacion për shtetas shqiptarë që mund të kenë humbur jetën në tërmetin e 6 shkurtit në Turqi. Në Turqi jeton një komunitet i madh me origjinë shqiptare

Komuniteti i shqiptarëve në Turqi llogaritet të jetë nga 500 mijë deri në 1.3 milionë, ndërsa sipas disa burimeve tjera numri i personave me prejardhje shqiptare është rreth 5 milionë. Kjo pakicë përbëhet nga shqiptarë të cilët erdhën në Turqi gjatë periudhës osmane, kryesisht shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e sotme, nga Çamëria, si dhe në numër më të vogël nga Shqipëria dhe Mali i Zi i sotëm, të cilët mërguan si pasojë e persekutimit serb dhe grek pas fillimit të Luftërave Ballkanike.

 

 

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img