Aurora SHPATAJ & Alked LUKU
Në prag të festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, kryebashkiaku Erjon Veliaj njoftoi shtyrjen e punimeve për rijetëzimin e Kopshtit Zoologjik. Deklarata publike e Veliajt erdhi një javë pasi Faktoje iu drejtua zyrtarisht Bashkisë se kur do të përfundonin punimet për këtë vepër. Paraprakisht, nga një verifikim në terren në mesin e dhjetorit, gazetarët e Faktoje kishin konstatuar se ishte e pamundur që punimet të mbylleshin në fund të këtij viti, edhe pse Bashkia kishte konfirmuar se në bazë të kontratës, projekti përfundonte brenda dhjetorit 2021.
“Shiko pritëm 30 vjet, 3 muaj nuk janë asgjë. Shiko më mirë që tani shtuam dhe këto kafazët e rinj për luanët, më mirë marrim të gjithë kohën e duhur.” – u shpreh kryetari i bashkisë Erjon Veliaj ndërsa inspektonte punimet në terren, vetëm pak ditë para se të skadonte afati i premtuar më herët, për hapjen e Kopshtit Zoologjik më 31 dhjetor.
“Unë them përsa kohë ka mbaruar pjesa më e madhe edhe përsa kohë që shtyrja e afatit ndodh edhe prej shirave, por edhe prej kafshëve të reja ekzotike. Unë them ta marrim me terezi e ta bëjmë tamam që të jetë 100% të përdorshme se sa të nxitohemi për fundin e vitit.”- u justifikua kryebashkiaku, i cili iu drejtua zbatuesve të projektit:
“Nëse ne vazhdojmë me këtë ritëm, të rikuperojmë dhe ditët që pësuam nga shirat e kapim ditën e verës apo mendoni më herët për Shën Valentin a diçka?”
Dalja e tij publike erdhi thuajse një javë pasi Faktoje i ishte drejtuar me një një kërkesë zyrtare për informacion Bashkisë Tiranë, ku interesohej se në çfarë faze janë punimet e Kopshtit Zoologjik.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë më 16 dhjetor 2021
Paraprakisht, Faktoje gjatë një verifikimi në terren, në mesin e muajit dhjetor, kishte konstatuar se ishte e pamundur që punimet për kopshtin Zoologjik të mbylleshin brenda këtij muaji.
Foto nga kantieri i punimeve në Kopshtin Zoologjik, dhjetor 2021
Afati për hapjen në dhjetor të Kopshtit Zoologjik, ishte konfirmuar për Faktoje nga Bashkia Tiranë, përmes një shkrese zyrtare, dërguar në shtator të këtij viti.
Përgjigja e Bashkisë Tiranë, 21 shtator 2021
“Punimet në këtë objekt janë drejt përfundimit të tyre dhe përfundojnë sipas parashikimeve në dhjetor 2021. Ju sqarojmë se data 1 Qershor nuk është data e përfundimit të punimeve sipas kontratës, por ishte një dëshirë e mirë për të përfunduar para kohe, në festën e fëmijëve. Kjo datë nuk u arrit për shkak të punimeve të paparashikuara të hasura gjatë pastrimit të bazamentit”- thuhet në përgjigjen e Bashkisë për Faktoje në muajin shtator.
Më herët, në muajin maj të këtij viti, bashkia Tiranë konfirmonte një tjetër afat për përfundimin e projektit.
“Punimet për rikonceptimin e Koopshtit Zoologjik janë realizuar në masën 60 për qind. Këto punime, sipas afatit kontraktual të tyre përfundojnë në datën 18.06.2021. Vlera e plotë e kontratës së sipërmarrjes është 739 908 795. 98 lekë me TVSH.”-thuhej në përgjigjen e datës 7 maj.
Përgjigje e bashkisë Tiranë dërguar Faktojes në maj 2021
5 premtimet e dështuara të kryebashkiakut Veliaj për Kopshtin Zoologjik!
në vitin 2015, rijetëzimi i Kopshtit Zoologjik ka qenë një ndër premtimet e bëra që në mandatin e parë si kryebashkiak nga zoti Veliaj.
Në 13 tetor të vitit 2018 ai deklaroi se në vitin pasues do të nisnin punimet për Kopshtin Zoologjik.
“Ne do të vemë disa para mënjanë, do të financojmë kopshtin e ri Zoologjik, këtu ku jemi do të bëhett komplet nga e para, do të jetë ndoshta nga më të bukurit, në të gjithë rajonin tonë. Do të bashkojmë të gjithë kopshtin Zoologjik më atë Botanik, pra që dhe bota e bimëve dhe e kafshëve të jetë e përzier”- u zotua Veliaj tre vite më parë.
Edhe në vitin 2019 u përsërit i njëjti premtim.
Në 2020-n zoti Veliaj prezantoi projektin, duke njoftuar edhe nisjen e punimeve për zbatimin e tij.
Në prill 2021, kryebashkiaku Veliaj dha lajmin e mirë për komunitetin e sidomos për fëmijët:
“Tani që po afron ky 1 qershor, do të jetë një surprizë fantastike për fëmijët, kopshti Zoologjik.”