.

.

BallinaGjurmo Paranë450 milionë euro të Rindërtimit nuk reflektohen ende në buxhetin e shtetit

450 milionë euro të Rindërtimit nuk reflektohen ende në buxhetin e shtetit

Shqipëria shkoi në Konferencën e Donatorëve në shkurt të vitit 2020 me një faturë mbi 1 miliardë euro për rindërtimin nga tërmeti. Pavarësisht se kjo faturë nuk përputhej me buxhetin që Ministria e Rindërtimit bëri publike në fillim të vitit 2021 prej 62 miliardë lekësh, ky institucion tha se nuk kishte diferencë mes faturës dhe buxhetit po të llogariteshin grantet dhe kreditë. Fondi i Rindërtimit nuk ka pësuar ndryshime edhe me mbylljen e këtij sesioni parlamentar, sipas raportimit të Ministrisë së Financave. Në të nuk figurojnë grantet dhe kreditë e pretenduara nga Ministria e Rindërtimit, duke lënë në këmbë diferencën e madhe mes faturës së dëmeve të tërmetit dhe buxhetit të rindërtimit.

Më 17 shkurt të vitit 2020, Shqipëria shkoi në Konferencën e Donatorëve me një faturë për rindërtimin pas tërmetit që tejkalonte shifrën prej 1 miliardë eurosh. Nga ana tjetër, buxheti që bëri publik në shkurt të vitit 2021 për të tre vitet që do të zgjaste procesi i rindërtimit ishte rreth 62 miliardë lekë ose rreth 511 milionë euro. Ashtu siç kemi shkruar më parë, ekziston një diferencë mes faturës dhe buxhetit, buxhet i cili ka lëvizur përgjatë konferencave të ministrit Ahmetaj, e cila deri në këto momente nuk është qartësuar.

Më 7 maj 2021 Ministria e Rindërtimit na ka sjellë një përgjigje për këtë çështje, rreth 5 muaj pasi i kishim dërguar kërkesën për informacion, të cilën na u desh ta ankimonim tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit.

Përgjigjja e Ministrisë së Rindërtimit, 7 maj 2021

Në përgjigjen e saj, Ministria thekson se nuk ka diferenca financiare mes buxhetit për rindërtimin dhe faturës, po të merrnim në konsideratë grantet dhe kreditë, të cilat në total shkojnë në 450 milionë euro. Në këtë shumë përllogariten 300 milionë euro grante dhe 150 milionë euro kredi.

Në javën e parë të korrikut është mbyllur sesioni parlamentar për legjislaturën e nëntë, ndërsa rishikimi i fundit që i është bërë buxhetiti përket datës 22 qershor 2021, nëpërmjet një Akti Normativ. Në buxhetin e rishikuar që ka raportuar Ministria e Financave dhe Ekonomisë në faqen e saj zyrtare, Fondi për Rindërtimin ka një vlerë prej rreth 66 miliardë lekësh. Nga këto 62 miliardë lekë i përkasin shpenzimeve nga buxheti i shtetit (29 milardë – viti 2020, 28 miliardë – viti 2021, 6 miliardë – viti 2022), ndërsa 3 miliardë lekë janë grante.

Buxheti i rishikuar sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë

Ne iu rikthyem përgjigjes që na dha Ministria e Rindërtimit (paraqitur më sipër), sipas të cilës nuk ka diferenca mes faturës së rindërtimit dhe buxhetit në rast se do t’i shtonim këtij të fundit 450 milionë euro (300 grante +150 kredi).

Për të bërë përllogaritjen e Ministrisë së Rindërtimit, ne i shtuam zërit të granteve 300 milionë euro, ose 33.424 miliardë lekë, ndërsa zërit të shpenzimeve 150 milionë euro kredi ose 18.215 miliardë lekë.

Diferenca mes buxhetit të MFE dhe faturës sipas Ministrisë së Rindërtimit

Nga tabela më lart rezulton se janë rreth 51.6 miliardë lekë ose rreth 430 milionë euro shpenzime të pareflektuara në Buxhetin e Shtetit për rindërtimin. Duke përllogaritur që 150 milionë euro janë kredi, edhe borxhi publik duhet të raportohet më i lartë se në buxhetin e fundit të miratuar.

Ministri i Rindërtimit, zoti Arben Ahmetaj, duke folur në emisionin “Log” në fillim të muajit prill 2021, kishte bërë me dije që diferenca në faturë do të reflektohej me ndryshimet që do i bëheshin buxhetit.

“Vitin tjetër unë mendoj që do ta shtojmë.” – tha ai.

Deri në mbylljen e sesionit paralamentar kjo gjë nuk ndodhi, edhe pse gjatë vitit 2021 janë bërë katër ndryshime buxhetore, respektivisht në shkurt, mars, prill dhe qershor.

Diferenca në fondin e rindërtimit pas rishikimit të buxhetit

Nga ana tjetër, çdo fond i rindërtimit do të duhej që të kalonte përmes buxhetit të shtetit, sipas deklaratës që ministri Ahmetaj dha menjëherë pas Konferencës së Donatorëve, më 17 shkurt 2020 në emisionin “Opinion“.

“Të gjitha kalojnë në buxhet, të gjitha, të gjitha kalojnë në buxhet, por mënyra e administrimit dhe implementimit është dy korsi: njëra që bëhet nëpërmjet agjencive zbatuese shqiptare, dhe njëra që mund KFV të vendosë të bëjë, ose si qeveria turke që ka zgjedhur Entin Kombëtar të banesave të Turqisë si njësi zbatuese.” – u shpreh zoti Ahmetaj.

Deri në përfundim të sesionit parlamentar rezulton se jo e gjithë fatura e rindërtimit është e reflektuar në buxhetin e shtetit për vitet 2020-2022. Paralelisht, jo të gjitha fondet janë vendosur në dispozicion për përfundimin e procesit nga Kuvendi. Duke marrë në konsideratë që qeveria është angazhuar të perfundojë procesin e rindërtimit brenda prillit 2022, dhe që për të filluar një procedurë kërkohet që në fillim të jenë vendosur të gjitha fondet në dispozicion në buxhet, është për t’u parë se si do të përfundojë procesi i rindërtimit brenda 8 muajve të ardhshëm.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img