BallinaPertejEmergjenca e zjarreve/ Zjarrëfikësit në “luftë” pa pajisje dhe makineri

Emergjenca e zjarreve/ Zjarrëfikësit në “luftë” pa pajisje dhe makineri

Zjarret gjatë këtij sezoni veror kanë djegur rreth 700 hektarë tokë në të gjithë vendin, vetëm gjatë dy muajve, 500 prej të cilëve në Vlorë.

Kreu i emergjencave civile, Haki Cako u ka bërë apel bashkive që të jenë të përgatitura me mjete, njerëz, pajisje dhe buxhet për mbrojtjen civile, si një detyrim primar për ta. Por cili është investimi që ka bërë deri më sot pushteti qendror dhe lokal, për të përballuar emergjenca të tilla?

Faktoje verifikoi se në 27 drejtori të forcave zjarrëfikse është rritur ndjeshëm numri i punonjësve. Në vitin 2014 ishin 103 punonjës, ndërsa në vitin 2021 numri i punonjësve është 517 persona. Buxheti i pervitshëm shkon kryesisht për paga, dhe jo për përmirërimin e infrastrukturës, apo të veshjeve specifike. Edhe sipas Ministrisë së Financave, buxheti për Emergjencat Civile nga viti 2015 deri në tre mujorin e parë të vitit 2021 ka ardhur në rënie. Investimet më të mëdha shkojnë për paga dhe shumë më pak për investime kapitale. Në vitin 2017 ky buxhet ka qenë 0, ndërsa në vite të tjera shpenzimet kapitale kanë shkuar për trajnime, blerje kompjuterash apo raftesh.

*Pamje nga sipërfaqet e djegura në Vlorë, Foto:Inva Hasanaliaj_www.faktoje.al

 

Në ditën e nëntë të flakëve që kanë përfshirë zonën e Vlorës, flakët ka mbërritur pranë fshatit Dukat.

Kemi tre ditë që flemë jashtë, kemi frikë për veten për fëmijët. Kanë dalë gjithë burrat e fshatit  që po ndihmojnë. Më e keqja nuk ka ardhur se në dimër nga shirat do rrokullisen gjithë gurët nga mali do na zënë nën vete”- tha për Faktoje.al T.F, 68 vjeçe nga fshati Dukat.

Banorët e kësaj zone aktualisht gjendeshin në mal duke ndihmuar Forcat e Armatosura dhe zjarrëfiksit me kova uji, të cilat i ngjisnin nga shtëpitë deri në lart.

*Banorët e Dukatit duke ndihmuar forcat zjarrëfikse 08/04/2021 Foto:Inva Hasanaliaj

Vlora është varta e cila sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ende vijon të jetë problematike.

Në terren Forcat e Armatosura dhe ato të Agjencisë së Mbrojtjes Civile, ishin rreshtuar në sheshin e fshatit në gadishmëri bashkë me dy makina zjarrëfikse, të cilat nuk mund të përdoreshin për shkak të terrenit të vështirë.

*Forcat e Armatosura, Zjarrëfikset dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile 08/04/2021 Foto:Inva Hasanaliaj

Deri në orën 12 të mesditës helikopteri i vetëm kishte sjellë 4 zjarrëfikës në majën e malit të paisjur me pompa uji ku njëra prej tyre mban vetëm 20 litra ujë.

*Zjarrëfiksit e paisur me poma uji duke u afruar në vatrën e zjarrit 08/04/2021 Foto:Inva Hasanaliaj

Mungesa e pajisjeve speciale si në veshje, ashtu edhe në mjete për të shuar zjarrin ishte diçka që bie në sy.  Një grup prej 9 ushtarësh të Forcave të Armatosura,  u ngjitën drejt malit me vetëm 4 lopata.

*Ushtarët e  FA  duke u ngjitur në mal 08/04/2021 Foto:Inva Hasanaliaj

*Ushtarët e  FA  duke pritur për shkak të pamundësisë për të përparuar 08/04/2021 Foto:Inva Hasanaliaj

Mungesa e veshjeve speciale për një situatë të tillë vërehej edhe te zjarrëfiksit, të cilët ishin pranë vatrës në afërsi të fshatit.

*Zjarrfikës të angazhuar gjatë aksionit për shuarjen e flakëve në Karaburun (fshati Dukat) 08/04/2021 Foto:Inva Hasanaliaj

Situata në drejtorinë Zjarrëfikëse të Vlorës

Në drejtorinë Zjarrëfikse të Vlorës, mungesa e investimeve dukej që nga godina, e cila ipërket periudhës së pushtimit italian. Pajisja me uniforma nuk bëhet çdo vit. Sipas të dhënave që Faktoje.al disponon nga bashkia Vlorë investimi i fundit për veshje/uniforma është bërë nga ky institucion në vitin 2018.

*Pjesë nga përgjigjja e  kërkesës për informim dërguar bashkisë Vlorë

*Drejtoria Zjarrëfikse Vlorë 08/04/2021 Foto:Inva Hasanaliaj

Sipas drejtorit të kësaj strukture, Kastriot Bega, për këtë strukturë rezultojnë 15 makina (përfshirë edhe makinat zjarrëfikse). Vetëm 7 makina zjarrëfikëse janë në gjendje pune, të tjerat janë jashtë funksionit dhe qëndrojnë brenda godinës duke zënë hapësirë të konsiderueshme.

*Drejtoria Zjarrëfikse Vlorë makinat e amortizuara 08/04/2021 Foto:Inva Hasanaliaj

 

Jashtë funksionit ishte edhe makina me shkallë, e cila sipas punonjësve është mjaft e rëndësishme gjatë situatave ku ka zjarre në pallate, apo godina të larta.

*Drejtoria Zjarrëfikse Vlorë makinat e amortizuara 08/04/2021 Foto:Inva Hasanaliaj

Nga 7 makina zjarrëfkëse, që ka në dispozicion Vlora, vetëm njëra prej tyre është blerje e re, ndërsa të tjerat të dhuruara në vitin 1997.

*Drejtoria Zjarrëfikse Vlorë makinat në dispozicion  08/04/2021 Foto:Inva Hasanaliaj

.

Kreu i emergjencave civile, Haki Cako u ka bërë apel bashkive që të jenë të përgatitura me mjete, njerëz, pajisje dhe buxhet për mbrojtjen civile, si një detyrim primar për ta.

Sa të përgatitura janë Drejtoritë Rajonale të zjarrfikësve në vend?

Faktoje dërgoi kërkesa për informacion në 61 bashkitë e vendit për të mësuar se si kanë qenë investimet nga viti 2014 deri në vitin 2021, për drejtoritë e zjarfikëseve.  Nga 61 bashki kthyen përgjigje vetëm 27.

*Grafiku Faktoje.al/ Të dhënat nga bashkitë respektive

 

Nga informacioni i mbledhur mbi investimet që janë bërë në 27 drejtori të forcave zjarrëfikse në vendin tonë dhe ajo që bie dukshëm në sy është fakti se nga viti 2014 deri në vitin 2021, kemi të bëjmë me një rritje progresive të të punësuarve.

Punësimet

Nga viti 2014 deri në vitin 2021 vihet re një pesëfishim i  personelit të zjarrëfikseve për çdo një nga 27 bashkitë që kanë dërguar informacionin.

2014 : 103

2015: 142

2016: 347

2017: 395

2018: 424

2019: 435

2020: 432

2021: 517

Nga të dhënat e  dërguara nga bashkitë, vihet re se se numri i punonjësve vinte duke u rritur nga viti në vit. por nuk ndodh e njëjta gjë edhe me paisjet, apo me  investimet bazike si uniforma dhe veshje specifike.

Rasti tipik është ai i bashkisë së  Tropojës e cila në përgjigjen e  saj thekson se nga 2014-2021 për këtë drejtori janë paguar vetëm pagat.

*Përgjigjja nga bashkia Tropojë

Rast tjetër është edhe ai i Lezhës ku për këtë drejtori nga viti 2014 deri në vitin 2021, janë blerë vetëm njëherë uniforma dhe kjo ka ndodhur në vitin 2017.

*Përgjigjja nga bashkia Lezhë

Për bashkinë e Dimalit e cila ka 17 punonjës në këtë sektor është blerë vetëm një uniformë në vitin 2020.

*Përgjigjja nga bashkia Dimal

Nga të dhënat që kemi marrë rezulton se investimet për makinat zjarrëfiksëse  janë në raport të zhdrejtë me numrin e  punësimeve.  Në total janë 64 makina për 27 bashki, nga të cilat 6 janë jashtë funksionit, pasi janë të amortizuara,  Bashkia Devoll ka vetëm një makinë zjarrëfikëse  të cilën aktualisht e  ka jashtë funksionit.

Agjencia e Mbrojties Civile

Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion në Agjencinë e Mbrojtjes Civile, për të cilën është ende në pritje të përgjigjes.

*Kërkesa dërguar Agjencisë së Mbrojtjes Civile

Faktoje kontaktoi me Ministrinë e Mbrojtjes për të mësuar investimet që janë bërë në kuadër të fuqizimit të Agjencisë së Mbrojtjes Civile, por në vend të një përgjigje  morëm një ftesë për në një seancë sqaruese,  ku pretendohej te jepej përgjigje për çdo një nga pyetjet.

*Përgjigjja nga Ministria e Mbrojtjes në datën 24/06/2021

Pasi zgjodhëm datën për takimin nuk morëm asnjë përgjigje nga Ministria për detaje të mëtejshme.Ne dërguam përsëri një email ku kërkojmë përgjigje për kërkesën e  dërguar por nuk kemi asnjë reagim nga ky institucion.

Si paraqitet buxheti për emergjencat Civile nga viti 2012 deri në vitin 2020?

 

Faktoje bëri një kërkim në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave , dhe rezulton se buxheti për këtë strukturë nga viti 2015 deri në vitin 2021 ka ardhur në rënie (pa përfshirë këtu dy fatkeqësitë natyrore të tërmetit dhe pandemisë së Covid-19).

*Grafik me të dhënat e marra nga investimet vjetore për Agjencinë e Mbrojties Civile nga viti 2015 deri në vitin 2021

*Grafik me të dhënat e marra nga investimet vjetore për Agjencinë e Mbrojties Civile nga viti 2015 deri në vitin 2021

Nga ky informacion mësuam se investimet më të mëdha shkojnë për pagat ndërsa më pak për investimet kapitale.  Në vitin 2017 ky buxhet ka qenë 0 ndërsa në vite të tjera shpenzimet kapitale kanë shkuar për trajnime, blerje kompjuterash apo raftesh.

*Shpenzimet me dhe pa fatkeqësitë natyrore

Sipas një llogaritje të thjeshtë pa pasur dy fatkeqësitë natyrore vlera e investimeve kapitale për strukturën e Agjencisë së Mbrojtjes Civile nga viti 2015 deri në tremujorin e parë të 2021 rezulton 134.21.835 milionë lekë, pra gjashtë herë më pak sesa kur ndodhën fatkeqësitë.

Po ashtu ajo që vihet re është fakti se investimet rriten menjëherë gjatë emergjencave dhe bien në vitet në vijim.

Në “lupën” e Kontrrollit të Lartë të Shtetit

Në lidhje me situatën e zjarret e ditëve të fundit Kontrolli i Lartë i Shtetit me urdhër të kreut të saj Arben Shehu, ka nisur një kontroll mbi të gjitha hallkat e strukturave të reagimit kundër zjarrit. Në datën 30/07/2021 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur kontrollin në terren, ndaj strukturave që menaxhojnë shuarjen e zjarreve. Kontrolli do të verifikoj menaxhimin që po bëhet për procesin e shuarjes së zjarreve ,duke nisur që përdorimi i pajisjeve si dhe anën organizative . KLSH gjithashtu do të verifikoj tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve .

Ditë e fundit edhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, ka raportuar se janë në pranga tre shtetas të dyshuar për zjarrvënie, ndërkohë që ka apeluar për të gjithë banorët dhe në vençanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqje kullosore, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do përballen me ligjin.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img