5 vjet nga premtimi, linja Tiranë – New York ende një ‘ëndërr amerikane’

3697

Në shtator të 2018, kryeministri Edi Rama premtoi nisjen e fluturimeve direkte nga Tirana në New York, përmes kompanisë Air Albania. Por verifikimet e Faktojes tregojnë se fluturimet me ‘Nolin’ drejt SHBA-ve janë në kufijtë e një ‘ëndrre amerikane’. Të paktën deri në vitin 2025, linja direkte mes Tiranës dhe New Yorkut është mision i pamundur.  Aeroporti “Nënë Tereza” ende nuk e ka statusin “One Stop Security” nga Komisioni Evropian dhe as miratimin e Administratës Federale të Aviacionit Civil të SHBA-ve.

Esmeralda Topi

Në fund të vitit 2019, sipas premtimit të kryeministrit Edi Rama, flotës së avionëve Air Albania do t’i shtohej “Noli”, me linjën direkte Tiranë – New York.

“Ambicia jonë është që deri në fund të vitit të ardhshëm të çojmë direkt nga Tirana në New York, Imzot Nolin”,shprehej Rama gjatë ceremonisë së përurimit të kompanisë së parë shqiptare të fluturimeve “AIR ALBANIA”, në shtator të vitit 2018.

Ndonëse kanë kaluar pesë vite nga ky angazhim, verifikimet tregojnë se ende nuk ka një linjë direkte nga Tirana në New York. Nëse destinacioni juaj i radhës është New Yorku, mundësitë për të shkuar atje me pikënisje aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë janë disa, por përmes operatorëve të tjerë si ITA Airways, Austrian apo Lufthansa. Çmimi për një udhëtim vajtje-ardhje nga Tirana në New York për pjesën e mbetur të majit deri në fillim të muajit qershor, varion nga 65,000- 90,000 lekë të reja.

Megjithatë, kryeministri duket se nuk heq dorë nga ambicia e tij. Zbritjen e ‘Nolit’ në pistën e Rinasit, Rama e riktheu në vëmendjen e shqiptarëve edhe këtë vit, por pa dhënë afate konkrete.

“Ja edhe Fishta zbriti në Tiranë duke e çuar në katër avionë flotën e kompanisë sonë të flamurit. Vijojmë me Nolin së shpejti!”, shkruante Rama në rrjetin social facebook më 31 mars, teksa ndante me ndjekësit disa fotografi të avionit ‘Fishta’ të stacionuar në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’.

Çfarë thonë autoritetet përgjegjëse

Për të mësuar mbi arsyet e vonesës pesëvjeçare në përmbushjen e premtimit për një linjë direkte mes Tiranës dhe New York-ut me kompaninë shqiptare Air Albania, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Instrukturës dhe Energjisë më 5 prill.

Më 11 prill, ministria e Infrastrukturës e delegoi kërkesën për informim pranë Autoritetit të Aviacionit Civil me argumentin se arsyeja e vetme që justifikon dërgimin e kërkesës një autoriteti tjetër është mungesa e informacionit të kërkuar.

Autoriteti i Aviacionit Civil


Qeveria Shqiptare po punon intensivisht në këtë drejtim me shumë aktorë të tjerë brenda dhe jashtë vendit pasi është një sipërmarrje që kërkon koordinim të gjerë, sipas Autoritetit të Aviacionit Civil në përgjigjen dërguar Faktojes më 25 prill. 

“Hapi i parë është hedhur tashmë, ECAC (Konferenca Evorpiane e Aviacionit Civil) ka nisur kryerjen e një Auditi të plotë ndërkombëtar të sigurisë pasi sistemi ynë kombëtar i aviacionit civil duhet t’i nënshtrohet disa aktiviteteve mbikqyrëse paraprake dhe në vijim të përmbushë disa detyrime të cilat i shërbejnë këtij qëllimi dhe jo vetëm. Përpara një vendimmarrjeje mbi statusin e “One Stop Security” për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, priten gjithashtu edhe vizita inspektuese nga ana e Komisionit Evropian.”, argumenton Autoriteti i Aviacionit Civil, duke theksuar se pas pesë vitesh është hedhur vetëm ky hap, që gjithsesi pritet të përmbyllet gjatë vitit 2025.

Po ashtu, sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, fluturimet ajrore ndërkombëtare në drejtim të SHBA, kërkojnë koordinim dhe miratim dhe nga ana e Administratës Federale të Aviacionit Civil (FAA) të SHBA-ve, përsa i përket treguesve të operimit dhe sigurisë ajrore.  

“Ju sigurojmë se Autoriteti i Aviacionit Civil mbetet plotësisht i angazhuar që kërkesat e sipërmendura, të cilat janë parakushte rregullatore, të përmbushen sa më shpejt, në mënyrë që t’i hapet rruga çdo operatori shqiptar për të vijuar me marrëveshjet komerciale në dobi të hapjes së këtij tregu dhe lëvizjes së pasagjerëve tanë.”, thekson Autoriteti i Aviacionit Civil, por pa dhënë afate konkrete mbi përmbushjen e angazhimit të kërkuar.

Destinacionet me Air Albania

Aktualisht,Air Albania operon me një flotë prej 3 avionësh, (Naim Frashëri, Migjeni dhe Lasgush Poradeci) të cilët udhëtojnë në 12 destinacione të ndryshme, kryesisht europiane. Avioni me emrin Fishta, ndonëse është stacionuar prej muajit mars në Rinas, ende nuk ka nisur operimin.

Këtë fillim maji, kompania Air Albania ka lajmëruar zgjerimin e flotës së avionëve me dy të tjerë.

“Ekipet tona do të marrin në dorëzim dy avionët totalish të rinj, AirBus 320, me kapacitet total prej 360 vendesh.” Kjo është gjenerata e re e avionëve të cilët priten të zbresin në pistat shqiptare, për t’u ngritur drejt destinacioneve në të gjithë Evropën dhe më gjerë.’, njofton Air Albania në faqen e saj zyrtare.

Dy avionët e rinj të tipit Airbus A320 që pritet t’i shtohen flotës së Air Albania janë marrë me qira afatgjatë nga kompania amerikane GA Telesis.

‘GA Telesis, LLC (“GAT”) njofton dërgimin e dy avionëve A320 me qira afatgjatë për Air Albania. Avionët janë pjesë e flotës në pronësi të GA Telesis dhe janë dërguar për Air Albanian në tremujorin e parë të vitit.’, njofton kompania amerikane në faqen e saj zyrtare.

Misteri i financave të Air Albania-s

Referuar të dhënave zyrtare nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ‘Nënë Tereza’, në fund të vitit 2022 Air Albania rezulton kompania e dytë më e madhe në tregun e fluturimeve, pas kompanisë me kosto të ulët Wizz Air. Por paravësisht këtij pozicionimi në treg, gjendja financiare e Air Albanias, kompanisë flamur të Shqipërisë është mister. Prej vitit 2018, kompania nuk i dorëzon bilancet financiare vjetore në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndaj në motorrin e kërkimit të Air Albania-s në QKB kompania shfaqet me një flamur i kuq. Kjo shenjë nënkupton se subjekti nuk ka depozituar pasqyrat financiare vjetore raportuese, mbajtja e të cilave sipas ligjit është e detyrueshme.

Burimi: QKB

Sipas ekstraktit historik të kompanisë, Air Albania ka dorëzuar në QKB vetëm bilancin e vitit 2018, kur nuk kishte ende aktivitet. Ndërkohë, bilancet e viteve pasardhëse, afatet e të cilëve janë shkelur me kohë, ende nuk janë dorëzuar.

QKB i pezulloi aktivitetin Air Albania-s

Në shtator të vitit të kaluar Qendra Kombëtare e Biznesit i pezulloi përkohësisht licencën kompansië ajrore Air Albania, pasi nuk kishte deklaruar pronarët përfitues siç e sanksionon ligji.

Prej datës 1 shtator deri në 7 shtator të 2022, kompania rezulton me status të pezulluar.

Shkeputur nga ekstrakti historik i kompanise Air Albania

“Jam informuar sot paradite që është një proces rutinë, i ndodh disa kompanive kur ato nuk dorëzojnë dokumentacionin e duhur justifikues për të pasur gjithë dritën jeshile nga QKB. I është kërkuar Air Albania-s, duke qenë se një nga pronarët është Turkish Airlines, është pronar i huaj, ndoshta i pamësuar me rregullat e Republikës së Shqipërisë që të dorëzojë menjëherë përfituesin fundor, pasi ky ka qenë edhe problemi i shtruar nga QKB-ja. Në informacionin tim di që do të kryhet brenda ditës së sotme, nuk është asgjë e jashtëzakonshme.”, deklaroi shtatorin e kaluar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, teksa foli për pezullimin e aktivitetit të kompanisë Air Albania nga QKB.

Ligji “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, parashikon që të gjitha subjektet raportuese të regjistruara në Shqipëri kanë detyrim regjistrimin e pronarëve përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Afati fillestar ishte data 30.6.2021, por që më pas u shty deri më 30 qershor të 2022 për shkak të problemeve që u hasën me zbatimin e tij. Sipas ligjit, mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues brenda 40 (dyzet) ditësh pas përfundimit të afatit të përcaktuar, dënohet me gjobë në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë;

Air Albania u krijua në vitin 2018, si një kompani kombëtare e fluturimeve, ku shteti, përmes “Albcontrol” ka 10% të aksioneve, kompania “MDN INVESTIMENT”, ka 41% të aksioneve dhe 49% e aksioneve i përkasin kompanisë Turkish Airlines.