Vaksinat kundër Covid-19 nuk e ndalojnë transmetimin e virusit, por rrisin imunitetin e të vaksinuarve dhe kjo dihej që në fillim të nisjes së procesit të vaksinimit. Artikujt e shpërndarë në portale mbi këtë çështje, duke përdorur tituj ‘sensacional’, thjesht përhapin informacione të rreme.
Artikuj të publikuar në portale flasin për një “lojë të fshehtë” të Brukselit në lidhje me çështjen e vaksinave të Covid-19. Ky pretendim është bazuar mbi një përgjigje zyrtare që ka dhënë Agjencia Europiane e Barnave (EMA), ndaj kërkesës së disa eurodeputetëve nëse në tetorin 2022, duke kërkuar pezullimin e autorizemeve të vaksinave të Pfizer dhe Moderna. Përgjigjja e EMA, është publikuar nga eurodeputeti holandez Marcel de Graaff, duke u fokusuar në një pjesë të saj, aty ku thuhet se “vaksinat e Covid-19 nuk janë autorizuar nga EMA për të ndaluar transmetimin e virusit”. Kjo pjesë ka mjaftuar për të ndërtuar në publik pretendimin se EMA e dinte që vaksinat nuk janë efikase, por megjithatë i detyroi qytetarët që të vaksinoheshin.
“Shpërthen bomba’ në Bruksel: Europa e dinte që në fillim lojën me vaksinat dhe të Green Pass”-shkruan portali “Patriotik Media”.Më tej, në brendësi të shkrimit thuhet: “EMA dhe për rrjedhojë Europa e dinin që në fillim se vaksina nuk e parandalonte ngjitjen e Covid”.
Por, çfarë ka deklaruar EMA në lidhje me vaksinat? Agjencia Europiane e Barnave dhe organizma të tjerë botërore kanë theksuar herë pas here se vaksinat kundër Covid-19 nuk janë të autorizuara në mënyrë specifike për parandalimin e transmetimit të virusit nga një person në tjetrin. Por, vaksina e Covid ndihmon në mbrojtjen e njerëzve duke krijuar një përgjigje imune, në mënyrë që pacientët të mos sëmurën rëndë nëse preken nga virusi.
“Vaksinat kundër Covid-19 mund të ofrojnë mbrojtje shtesë për njerëzit që kishin Covid-19, duke përfshirë mbrojtjen kundër shtrimit në spital nga një infeksion i ri”, sqaron gjithashtu Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC.
Edhe publiku shqiptar është familjarizuar gjatë periudhës së pandemisë me rolin që luajnë vaksinat në rritjen e imunitetit ndaj viruseve. Në një sërë intervistash, mjeku Ilir Alimehmeti ka treguar rolin që kanë vaksinat në parandalimin e virusit.
“Vaksina nuk e ndalon transmetimin, por vetëm nuk lejon që të shtrohen të gjithë në spital, por një pjesë e popullsisë pra ul rrezikshmërinë. Vaksina duhet të bëhet për shëndetin personal jo për të shkuar turist apo për të pirë kafe”, ka thënë Alimehmeti një vit më parë.
Faktoje ka verifikuar një sërë artikujsh mbi teoritë konspirative që kanë qarkulluar në lidhje me vaksinat kundër Covid-19.