BallinaPertej30 qershor, në gjysmën e bashkive zgjedhje pa garë

30 qershor, në gjysmën e bashkive zgjedhje pa garë

KLEVIS PALOKA

Dhe pak orë na ndajnë nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Këto zgjedhje do të bëhen për 61 bashki ku në 31 prej tyre do të ketë vetëm një kandidat. Në këto 31 bashki janë paraqitur kandidatë vetëm nga Partia Socialiste. Ndërsa në 30 bashkitë e tjera do të ketë një përballje midis kandidatëve të Partisë Socialiste (PS) dhe Bindjes Demokratike (BD).

Funksionimi i KZAZ-ve

Në bazë të Kodit Zgjedhor në Republikën e Shqipërisë janë përcaktuar 90 Komisione të Zonave të Administrimit zgjedhor (KZAZ). Në bazë të këtij kodi dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë. Për shkak se partitë opozitare si Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk u rregjistruan në zgjedhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori një vendim për t’i zëvendësuar vakancat e krijuara nga mosrregjistrimi i PD-së dhe LSI-së.

                                                   Pjesë e shkëputur nga Kodi Zgjedhor

Situata në KZAZ

Duke u bazuar nga dekreti i presidentit më 10 qershor për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve vendore, bashkitë të cilat administrohen nga forcat opozitare i kanë kërkuar KQZ-së që të lirojë ambientet publike që ky institucion do t’i përdorë për zhvillimin e zgjedhjeve.

Në këto kushte situata në disa KZAZ të ndryshme në vend u shoqërua me disa problematika. 

Kështu për shembull mosbindje civile pati të mërkurën e 18 qershorit në Bashkitë e djathta të Shkodrës dhe Tropojës. Ishin burime zyrtare nga KQZ që njoftuan se në gjimnazin “Shejnaze Juka” në Shkodër hynë protestues dhe pasi u konfrontuan me forcat e policisë, i vunë flakën njërës prej klasave të katit të parë të shkollës ku ishte vendosur KZAZ-ja nr.3. Për pasojë u dogj baza materiale e sjellë nga KQZ-ka për votimin e 30 qershorit.

Situata të ngjashme pati më herët edhe në ambientet e Pallatit të Sportit në Shkodër kur u regjistrua konfrontim fizik i mbështetësve të opozitës me komisionerët e KZAZ-ve si dhe forcave të policisë. Ambientet e Pallatit të Sportit janë marrë në mbrojtje nga Policia e Shtetit.

Pas dekretit të presidendit edhe të tjera bashki si ajo e Beratit, Matit, Lezhës, Kukësit, Klosit, Skraparit, Kavajës, Bilishtit e Gjirokastrës kërkuan lirimin e mjediseve që janë në pronësi të bashkisë me arsyetimin e zbatimit të dekretit të Presidentit Meta për moszhvillim të Lokaleve 2019. 

Edhe pse bashkitë që janë në qeverisjen e opozitës kanë bërë thirrje që nuk do të lejojnë që zgjedhjet të zhvillohen në ambientet që menaxhohen nga këto bashki, KQZ-ja ka shpërndarë materialet zgjedhore nëpër KZAZ. 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img