Keqinformimi mbi atë çka po ndodh në Ukrainë ka shoqëruar luftën në këto 11 muaj prej nisjes së sulmit nga Rusia në shkurt 2022. Artikulli me titull “Fitorja e Madhe e Rusëve – Për 6 Ditë Pushtuan Qytetin Soledar” publikuar në 11 Janar, është një nga këto raste. “Faktoje” verifikoi se informacioni i ofruar për publikun shqiptar është i njëanshëm, duke “shitur” propagandën ruse për fakt.
Jona Plumbi
Një artikull i publikuar në 11 janar në portalin mast.al pretendon se Rusia ka arritur një fitore të madhe në Ukrainë, duke pushtuar qytetin Soledar brenda 6 ditëve.
“Kreu i Wagner PMC deklaroi kontrollin e plotë të qytetit Soledar. Flamuri rus valëvitet në qendër të qytetit. Menjëherë pas këtij informacioni rusët goditën në Harkovo një depo municionesh.” – kështu nis artikulli i portalit në fjalë, ku mes të tjerash pretendohet edhe se “Zelenski pranoi dorëzimin e qytetit duke deklaruar: ‘Duhet të nderoj heronjtë e Brigadës së 46-të ajrore për betejën që dhanë në Soledar. Ju falenderoj luftëtarë!’”
“Faktoje” verifikoi deklaratën e kreut të shtetit ukrainas, Volodymir Zelenski, i cili e falenderoi vërtetë Brigadën e 46-të ajrore, por në asnjë moment nuk pranoi dorëzimin e qytetit. Në videon e shpërndarë nga zyra e Presidentit të Ukrainës në kanalin YouTube në datën 11 Janar, e cila është zbardhur e plotë në faqen web të presidencës ukrainase, Zelenski dëgjohet të thotë se “Sot, dua t’u bëj një nderim të veçantë luftëtarëve të brigatës së 46-të kundërajrore për trimërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre në mbrojtje të Soledarit. Faleminderit luftëtarë!”
Një ditë më vonë, Zelensky doli me një tjetër video-mesazh, duke iu përgjigjur pikërisht propagandës ruse e cila pretendonte kapjen e plotë të qytetit të Soledarit. Në deklaratën e tij ai tha se “Tani shteti terrorist [Rusia] dhe propagandistët e tyre po mundohen të pretendojnë se një pjesë e qytetit Soledar – qytet i cili thuajse u shkatërrua i gjithi nga pushtuesit – është një arritje e Rusisë. […] Por beteja vijon.”
Kontekst
Themeluesi i forcave mercenare ruse që prijnë sulmin e Moskës në qytetin Soledar në Ukrainën lindore pretendoi se trupat e tij kishin marrë kontrollin e qytetit në 10 Janar. Ky pretendim u mohua nga zyrtarët ukrainas.
Pretendimi se qyteti Soledar në Ukrainë kishte rënë në duart e rusëve u shpërnda në Telegram nga vetë sipërmarrësi që ka themeluar Wagner Group, Yevgeny V. Prigozhin.
Por ministria e mbrojtjes ukrainase po atë natë publikoi në Twitter pretendimin se “Rusia po vijon të mundohet të marrë plotësisht qytetin.”
Instituti për Studimet e Luftës, me bazë në Washington, deklaroi pas këtij njoftimi të rusëve se pretendimet që Rusia të ketë marrë kontrollin e plotë të qytetit Soledar, janë false.
Një tjetër pretendim i ngritur nga artikulli i publikuar nga mast.al është se “Rusia e pushtoi qytetin Soledar për 6 ditë”. Në fakt, lajmërimet për hyrjen e trupave Ruse në këtë qytet kanë nisur prej muajit Gusht 2022.
Kjo u mbështet edhe nga separatistët pro-rusë në 11 Gusht 2022.
Përfundimi
Artikulli i publikuar nga mast.al, përpos ofrimit të njëanshëm të propagandës ruse si fakt, ka keinterpretuar deklaratën e presidentit ukrainas Volodymir Zelensky lidhur me dorëzimin e qytetit Soledar në duart e rusëve. Lexuesve u është ofruar një informacion i pafaktuar, pa dhënë aspak kontekst dhe madje duke keqinterpretuar deklarata që gjenden lehtësisht në rrjet.