Shtatë muaj më parë, pas dyshimeve për korrupsion, Komisioni Evropian i pezulloi Shqipërisë miliona euro grante për bujqësinë nga programi IPARD. Autoriteteve shqiptare iu deshën 5 muaj kohë për t’i dorëzuar raportin “llogaridhënës” KE-së, i cili vijon shqyrtimin e tij prej dhjetorit. Nga vendimi ekstrem për ndërprerjen e fondeve, AZHBR vijon të identifikojë projekte me shkelje. Faktoje mësoi se 23 prej tyre refuzojnë të kthejnë fondet e përfituara. Komisioni Evropian këmbëngul që autoritetet vendase ta trajtojnë seriozisht çështjen.

Esmeralda Topi

Anila Denaj u rikthye në qeveri për të drejtuar ministrinë e bujqësisë, dy muaj pas pezullimit të miliona eurove grante që Shqipëria merrte si mbështetje për bujqësinë nga Bashkimi Evropian përmes programit IPARD.

Në korrik, Komisioni Evropian ndrepreu pagesat për IPARD II dhe njëkohësisht ‘ngriu’ IPARD III. Kur Brukseli lajmëroi vendimin ekstrem Shqipëria po bëhej gati të niste programin IPARD III, që parashikonte 146 milionë euro mbështetje në bujqësi.

“…komisioneri, nëpërmjet drejtorisë së bujqësisë të KE, ka adresuar lënien në pritje për IPARD 3, i cili ka 9 nëntë programe, kërkon një institucion zbatues më të fortë, që të mësojë nga gabimet në IPARD 2 dhe të bëhet gati për 3-shin.”, deklaroi ministrja e bujqësisë Anila Denaj, gjatë një interviste televizive pak kohë pas marrjes së detyrës.

Ku jemi sot?

Autoriteteve shqiptare iu deshën 5 muaj punë që të përpilonin një raport të detajuar mbi këtë çështje. Ministria e Bujqësisë i tha Faktoje se po bashkëpunon me strukturat e BE-së për plotësimin e kërkesave dhe kushteve që duhet të përmbushen.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nëpërmjet strukturave menaxhuese dhe zbatuese të Programit IPARD, ka përgatitur një raport të detajuar me një plan masash për adresimin e problematikave dhe rritjen e kapaciteteve institucionale per sigurimin e metejshem te zbatimit te kushteve dhe kritereve të Marrëveshjes Sektoriale dhe Marrëveshjes Financiare”, theksoi në një përgjigje për Faktoje, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Raporti i detajuar që referojnë autoritetet shqiptare është dorëzuar pranë Komisionit Evropian fundvitin e shkuar.

“Autoritetet shqiptare i dhanë përgjigjen Komisionit Europian më 20 dhjetor 2023. Shërbimet përgjegjëse të Komisionit aktualisht po analizojnë informacionin e dhënë për të vendosur për hapat e mëtejshëm.”, i tha Faktoje Olof Gill, zëdhënës për tregtinë dhe bujqësinë pranë Komisionit Evropian.

Në pritje të hapave pasues, Brukseli nuk harron të ripërsërisë thirrjen ndaj institucioneve në Shqipëri që ta trajtojnë çështjen me seriozitet.

“Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje.”, thekson Gill duke shtuar:

‘Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale edhe në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet. Meqenëse procedura është në vazhdim e sipër, nuk mund të jepet asnjë informacion i mëtejshëm.’

Shtohen debitorët, AZHBR kërkon paratë

Vendimi ekstrem ndaj Shqipërisë, vuri në lëvizje edhe Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural. AZHBR iu ka kërkuar kthimin e parave të gjithë përfituesve të programit IPARD II që rezultojnë me shkelje të kushteve të kontratës.  

Të dhënat e siguruara nga Faktoje përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se 23 prej subjekteve përfituese refuzojnë të kthejnë shumat e përfituara duke u listuar si borxhlinj nga AZHBR.

Burimi: AZHBR

Nga verifikimi i fundit i Faktoje, kjo listë është shtuar me 10 biznese të cilat kryesisht kishin marrë para për investime në agroturizme.

IPARD ‘oksigjen’ për bujqësinë

Përmes programit IPARD II, i cili u zbatua gjatë viteve 2014 dhe 2020, Shqipëria përfitoi mbi 71 milionë euro fonde. Nga ana tjetër, Shqipëria priste të përfitonte 146 milionë euro të tjera përmes IPARD III.  

“Fondet IPARD ishin i vetmi burim oksigjeni për bujqësinë shqiptare, pasi mbështetja buxhetore është e papërfillshme. Institucionet duhet të marrin përgjegjsitë që ju takojnë në mënyrë që Komisioni Evropian të çel këto fonde sërish dhe sa më parë.”, thotë Eduard Sharka, kryetar i Shoqatës së Fermerëve.

Ndërsa ekspertja Esmeralda Ballesha shton se në këto kushte, kërkohet më shumë mbështetje buxhetore për bujqësinë.  

“Do të duhet që fondet kombëtare të cilat fillojnë të jenë të aksesueshme në fillim të vitit t’i bëhet një rishikim në bazë të nevojave reale që ka ky sektor, nëse do të duam që ai të jetë ende një sektor prioritar.”, argumenton ajo.

Por ndonëse, bujqësia mori goditje nga pezullimi i fondeve IPARD, buxheti i këtij viti jo vetëm që nuk u rrit, por është ulur.

Burimi: Ministria e Financave

Në këto kushte, Eduard Sharka që përfaqëson shoqatën e fermerëve i druhet një viti të vështirë.

“Pas tre vitesh stanjacion, viti 2024 do të jetë edhe më i vështirë. Braktisje nga fermerët dhe ulje e ndjeshme prodhimi, sepse në këto kushte bujqësia mund të konsiderohet me plotë gojë e braktisur.”, shprehet ai.

Sektori i bujqësisë këtë vit do të marrë të paktën 9% më pak financime se një vit më parë. Fondet për Ministrinë e Bujqësisë rezultojnë 14,1 miliardë lekë nga 15,6 miliardë lekë që ishin në 2023. Dhe shkurtime të mëdha janë pikërisht në fondet akorduar fermerëve dhe zhvillimit rural. Nga 10 miliardë lekë që ishte vlera e masave kombëtare mbështetëse të prodhimit bujqësor në 2023, këtë vit janë planifikuar 7,1 miliardë lekë, rreth 30% më pak.

Përfundim

14 korrik, Komisioni Evropian informoi qeverinë shqiptare se kishte ndërprerë grantet për bujqësinë nga programi IPARD, për shkak të dyshimeve për korrupsion. 

“Që nga korriku 2023, Komisioni Evropian ka ndërprerë rimbursimin e shpenzimeve IPARD për Shqipërinë. Aktualisht, ndërprerja prek shpenzimet e bëra gjatë tremujorit të parë, të dytë dhe të tretë të vitit 2023”, pohon për Faktoje Olof Gill, zëdhënës për tregtinë dhe bujqësinë pranë Komisionit Evropian.

Ndërprerja e fondeve IPARD II u bë në një kohë që Shqipëria priste të niste programin e mbështetjes në bujqësi IPARD III me 146 milionë euro grante.

“Njëkohësisht, Komisioni Evropian vuri në pritje fondet për të gjitha masat e programit IPARD III,” përfundon reagimin e tij Gill.

Programi i mbështetjes në bujqësi IPARD ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha vendet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante.