.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë2 vite pas tërmetit, banorët e Marikajt dhe Marqinetit ende “në qiell të hapur”

2 vite pas tërmetit, banorët e Marikajt dhe Marqinetit ende “në qiell të hapur”

Dy vite pas tërmetit të 26 nëntorit, banesat individuale të dëmtuara në fshatrat Marikaj dhe Marqinet nuk janë shembur ende. Kjo konfirmohet zyrtarisht për Faktoje nga bashkia e Vorës, por edhe nga banorë të zonës, ku ka edhe nga ata që po jetojnë akoma në çadra.

……………………………

Në fshatin Marikaj të Vorës ka ende banorë që jetojnë në çadër edhe pse po mbushen 2 vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Me të birin e sëmurë, F. banore e këtij fshatit i ngrys ditët në një çadër të vendosur në oborrin e saj. Shtëpia, ndonëse në hyrje mban shenjën “Objekt i pabanueshëm”, ende nuk është shembur për t’i hapur rrugë rindërtimit.

“Jam shumë e varfër, me fëmijën e sëmurë dhe nuk më japin shtëpi me qira, sepse nuk besojnë se mund ta paguaj. Bonusin e qirasë e marr, por lekët nuk më dalin as për ilaçet që marr për fëmijën”, shprehet ajo për Faktoje.

Banorë që jetojnë ende në çadra në Marikaj, tetor 2021

Kur po mbushen dy vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, ashtu si F. ka ende shumë banorë në fshtarat e Vorës, që janë ende në pritje që banesat e tyre të shemben dhe më pas të ndërtohen shtëpi të reja.

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim nëse banorët e prekur kanë arritur të futen në banesat e reja.

Çfarë thotë Bashkia?

“Në Marikaj & Marqinet, në kantierin e ndërtimeve të banesave individuale të kryefamiljarëve, të cilët kanë zgjedhur grantin e rindërtimit.

Po punojmë çdo ditë që çdo familje të nisë dhe të përfundojë sa më shpejt banesën e saj të cilën e humbi me 26 nëntor 2019”, njoftonte në Facebook Bashkia Vorë më 15 qershor të këtij viti.

Screenshot nga faqja e Facebook e Bashkisë Vorë

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë Vorë, ku u interesuam si po ecte procesi i rindërtimit të banesave individuale.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Vorë

Zyrtarisht na u bë e ditur se në fshatrat Marqinet dhe Marikaj nuk janë shembur ende banesat e dëmtuara, edhe pse në qershor Bashkia njoftonte për nisjen e procesit të rindërtimit të tyre.

Gjithashtu theksohet se në Bashkinë Vorë janë 317 banesa të klasifikuara në kategorinë DS5 dhe deri më tani 117 familje kanë marrë të gjithë fondin.

“Fondi i alokuar nga Bashkia Vorë për banesat individuale të cilat janë klasifikuar si objekte që duhen ndërtuar nga e para është me vlerën 638.042.527 lekë. Për sa i përket banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 janë gjithsej 317 familje të klasifikuara në kategorinë DS5, ku një pjesë e madhe e tyre janë dëmshpërblyer.

234 objekte jane pajisur me leje ndertimi ku disa prej tyre kanë nisur procedurat për rindërtimin e banesave, 117 familje kanë marrë 100% të fondit (40%).

Banesat individuale në Marikaj dhe Marqinet nuk janë shembur, sepse pritet fondi nga Ministria e Rindërtimit që të vazhdohen procedurat e mëtejshme nga Bashkia Vorë”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Vorë për Faktoje.

Përgjigja e Bashkisë Vorë për Faktoje

Pas 2 vitesh, shtëpitë ende nuk janë shembur

Më 15 tetor 2021, ajo çfarë vihet re me sy të lirë, në Marqinet dhe Marikaj të Vorës, janë shtëpitë ku me gërma të kuqe shkruhet: “Ndalohet hyrja, objekt i pabanueshëm”.

Banesë e dëmtuar nga tërmeti në Marqinet, tetor 2021

“Unë quhem Flamur Picari, por shtëpia ëshë në emër të babait tim. Banesa ime është DS4 me shembje. Për momentin nuk na kanë thënë gjë kur do shembet, nuk ka dalë fondi.

Aktualisht nuk ka dalë fondi dhe për momentin trajtohemi me bonus qiraje. Ne jetojmë te shtëpia e vëllait. I kemi dorëzuar të gjitha dokumentet e rregullta dhe po presim të na dalë granti. Në momentin që del granti i rindërtimit çohet projekti në Bashki, më pas bëhet aprovimi”, tha Flamur Picari, banor i Marqinetit. Ai ka zgjedhur që shtëpinë e tij ta rindërtojë vetë nëpërmjet grantit të rindërtimit, por është ende në pritje.

Banesë e dëmtuar nga tërmeti në Marikaj, tetor 2021

Në fshatin Marikaj, Faktoje konstatoi se nuk kishte nisur ende puna për shembjen e banesave të dëmtura nga tërmeti. Një prej banorëve, i cili kishte aplikuar që banesën t’ia ndërtonte shteti, tha se janë në pritje të një zgjidhje, edhe pse u është premtuar shpesh që banesat do rindërtohen.

“Unë kam aplikuar që banesën të ma bëjë shteti, deri tani nuk na kanë dhënë drejtim. Do i bëjmë, na kanë thënë. Shtëpia jonë është DS5 dhe aplikova për të ma bërë shteti. Jemi disa familje që kemi aplikuar të na e ndërtojë shteti banesën dhe po presim”, tha një banor me incialet R.B. nga fshati Marikaj.

20 janar të këtij viti, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të banesave individuale në bashkitë Tiranë, Shijak, Vorë dhe Kurbin.

Sipas VKM-së, Bashkisë Vorë i transferohet fondi në masën 851 809 204 lekë, për rindërtimin e 300 njësive individuale të banimit, për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para.

Nga verifikimi që Faktoje bëri në terren dhe përgjigja e Bashkisë Vorë, premtimin për ndërtimin e banesave individuale në fshatrat Marikaj dhe Marqinet do ta konsiderojmë TË PAMBAJTUR.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img