BallinaPertejVaksinimi për gripin sezonal vijon paralelisht me atë anticovid dhe sipas ekspertes injektimi i njëkohshëm nuk paraqet rrezik

Vaksinimi për gripin sezonal vijon paralelisht me atë anticovid dhe sipas ekspertes injektimi i njëkohshëm nuk paraqet rrezik

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, njoftoi përmes një postimi në facebook se ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal për vitin 2021. Nga një verifikim në terren, Faktoje konstatoi se ky proces ka nisur nëpër qendrat shëndetësore të Tiranës. Interes më të lartë paraqet mosha e tretë me sëmundje kronike. Injektimi i vaksinës së gripit sezonal, sipas ekspertëve të shëndetësisë nuk ka ndonjë kundërindikacion në lidhje me kohën e injektimit të vaksinës anti covid.


Me datë 24 Tetor Ministrja e Shëndetësisë nëpërmjet një postimi në rrjetin e saj facebook njoftonte:

“Stina e dimrit është në prag, ndaj kemi marrë masat për të siguruar vaksinën antigrip për personelin shëndetësor, për të vijuar me vaksinimin falas edhe për të moshuarit me sëmundje kronike dhe gratë shtatëzëna, si grupet më të rrezikuara. 35 mijë vaksinat e para të gripit sezonal kanë mbërritur, pjesë e sasisë prej 220 mijë vaksinave të siguruara nga qeveria, të cilat do të shpërndahen në çdo qendër shëndetësore në vend. Vaksinim kundër gripit + vaksinim anticovid në të gjithë vendin, janë garancia më e mirë për të ulur shtrimet në spital dhe fatalitetet, si pasojë e komplikacioneve nga viruset gjatë dimrit.”

Në fund të tetorit, ne bëmë një verifikim në terren, në disa prej qendrave shëndetësore në kryeqytet.

Në qendrën shëndetësore numër 1, pranë Urës së Tabakëve na u konfirmua se vaksinimi kundër gripit ka filluar.

Foto të qendrës shëndetësore numër 1.

“Jemi pajisur me vaksinat e gripit prej disa ditësh. Deri tani më të interesuar janë moshat e treta, të rinj nuk ka fare. Të parët që e bëjnë janë të sëmurët kronikë dhe grupet më të rrezikuara” – tha për Faktoje një prej infermiereve të qendrës.

Edhe në poliambulancën numër 9, në rrugën e Kavajës ishin paraqitur qytetarë të moshave të ndryshme që kërkonin të vaksinoheshin ndaj gripit sezonal.

Foto të qendrës shëndetësore numër 9

“Unë kam dy vite që e bëj vaksinën e gripit. Kam qenë e kënaqur deri më tani. Nuk më ka lajmëruar dikush, e pashë në televizor edhe erdha e bëra me bashkëshortin. Ndërsa vaksinën e Covidit e kam bërë në pranverë.”- shprehet zonja Xhemile, rreth të 60-ave.

Një tjetër qytetar tregon për Faktojen se ka 3 vite që e bën rregullisht vaksinën kundër gripit sezonal.

“Erdha shpejt që ta bëj. Kam parkuar makinën keq e dua ta bëj shpejt e shpejt e të ik në punë. Mora rekomandimin e mjekes së familjes se kam tre vite që e bëj rregullisht dhe nuk më ka zënë gripi. Erdha sot se më thanë që ka filluar të bëhet në qendrat shëndetësore.”- tregon një zotëri rreth të 70-ave, ndërkohë që pret rradhën.

Edhe një prej infermireve të qendrës shëndetësore numër 9 konfirmon interes të lartë të qytetarëve për vaksinën antigrip.

“Vaksinat kanë ardhur një javë para, interesi është i lartë, sidomos mosha e tretë. Deri më tani mund të kemi shkuar deri tek 50 vaksinime.”

Faktoje e përmbylli verifikimin në terren në qendrën shëndetësore numër 6, në zonën e Kombinatit.

Foto të qendrës shëndetësore numër 6

Në një njoftim të vendosur në hyrje të kësaj qendre shëndetësore lajmërohet se ka filluar vaksinimi kundër gripit.

“Ka filluar prej ditësh vaksinimi kundër gripit. Kush ka rekomandimin e mjekut të familjes vjen këtu dhe bën vaksinën kundër gripit. Në përgjithësi janë moshat e treta, të sëmurët kronikë ose ato që e kanë bërë rregullisht. Deri më tani mund të kem bërë rreth 100 vaksina të gripit.” – konfirmoi për Faktojen një nga mjeket e qendrës.

 A ka ndonjë kundërindikacion për ata që vaksinohen njëkohësisht për covid 19 dhe për gripin sezonal?

Nga komunikimi që Faktoje kishte me një mjeke familjeje në qendrën shëndetësore numër 1 na u konfirmua se të dyja vaksinat janë të nevojshme dhe nuk përbën ndonjë problem injektimi i tyre i afërt në kohë.

“Të dyja vaksinat janë të nevojshme, të dyja të mbrojnë nga viruse të ndryshme që hyjnë në trupin e njeriut. Ne kemi aplikuar vaksinat e Covidit dhe të gripit tek pacientët tanë, në periudha të ndryshme kohore për të parë nëse kanë një efekt anësor tek pacienti. Por deri më tani nuk kemi asnjë efekt anësor, përveç atyre që zakonisht ka një vaksinë si: temperaturë, ethe, dhimbje në pjesën e injektimit, pra gjëra që tanimë janë të njohura.”

Mjekja Silva Bino, shefja e dempartamentit të Epidemiologjisë në ISHP, njëkohësisht anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve garanton se injektimi i vaksinave të gripit sezonal dhe anticovid nuk praqet rrezik për shëndetin, edhe nëse bëhen në të njëjtën ditë.

“Mund të merren në një ditë të dyja vaksinat, sepse vaksinat e Covidit nuk kanë viruse të gjalla në të. Në fillim ne kemi rekomanduar që të kishin një muaj diferencë, por tanimë gjërat kanë evoluar dhe nuk ka efekte anësore edhe po u injektuan në të njëjtën ditë. Kjo është vërtetuar më parë në SHBA, Angli etj.”- shprehet zonjë Bino për Faktoje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img