Përdoruesit në rrjete sociale po shpërndajnë një video ku shfaqen imazhe të një antene gjigande telefonie nën pushtetin e flakëve. Njerëzit pretendojnë se antena që po digjet në Indi i përket teknologjisë së re 5G. Por verifikimet tregojnë se pamjet e xhiruara në Indi janë bërë në një kohë kur 5G nuk ishte testuar ende.
Përdorues të ndryshëm të rrjeteve sociale kanë shpërndarë një video ku shfaqet duke u djegur nga zjarri një antenë e telefonisë celulare në Indi. Njerëzit në internet pretendojnë se antenës i është vënë flakë nga protestues pasi i përket teknologjisë së re të rrjetit 5G, që sipas teorive të ndryshme konspirative (pa prova shkencore), fajësohet për pandeminë e Covid apo probleme të tjera.
‘Ja kshu digjen antenat 5G te dashur miq. receta: 5 litra venzin ose alkol per djegie dhe nje shkrepse. Kjo eshte India qe duam. Faleminderit Indi’, shkruan në rrjetin social facebook një përdoruese nga Shqipëria, teksa ndan videon me miqtë e saj.
Postimi ka marrë qindra reagime ndërkohë që video është parë nga 912 përdorues të tjerë të facebook.
Por verifikimet tregojnë se pretendimi i ngritur në rrjete sociale është i pabazë dhe përcjell një të pavërtetë. Videoja është e vërtetë, por nuk tregon një zjarr antene 5G.
Kolegët tanë të facta.news kanë verifikuar se pamjet që shfaqen në video janë transmetuar më 27 janar të vitit 2018 nga kanali indian Hindxpress TV. Në klip shfaqet një zjarr që shpërtheu në një kullë telefonike të vendosur në qytetin e Ambala, Indi.
Edhe kolegët indianë të Alt News, kanë verifikuar se prova e parë e 5G në Indi u krye me një sërë testesh në shkurt të vitit 2018, pra një muaj pas videos së zjarrit. Për më tepër, verifikuesit e fakteve indiane kanë specifikuar se në këtë rajon të Indisë, edhe në këto momente nuk janë instaluar ende antena 5G. Prandaj është e pamundur që video të tregojë djegien e një antene, siç pretendohet në postimin e verifikuar.