Çdokush që jeton në Tiranë e di mjaft mirë se zhurmat janë një nga problemet më të mëdha të këtij qyteti të mbipopulluar. Censi 2023 i INSTAT vërtetoi se 1/3-ta e banorëve të Shqipërisë jetojnë në Tiranë. Ky mbipopullim, i ndërthurur me mungesën e seriozitetit në marrjen e masave për uljen e ndotjes akustike, ka sjellë rezultatin e sotëm ku sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në Tiranë tejkalohet kufiri i zhurmave në të gjithë qytetin, si ditën ashtu edhe natën.
Jona Plumbi
“Cilido qytetar që ndihet i kërcënuar nga kjo lloj dhune, pra zhurmat, do duhet të gjejë shpëtimin tek çdo uniformë” – Erion Veliaj, degjesa per planin per zhurmat, Dhjetor 2021
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj në fund të vitin 2021 mbajti një dëgjesë për një plan për uljen e zhurmave në kryeqytet, ku i ftoi qytetarët që t’i drejtoheshin policisë Bashkiake për ndihmë në rast se ndihen të kërcënuar nga zhurmat, që me të drejtë i quante si dhunë.
Rreth dy vite e gjysmë pas kësaj deklarate dhe këtij plani të kryebashkiakut për t’i dhënë fund ndotjes akustike, Tirana dhe qytetarët e saj vijojnë të dhunohen çdo ditë nga zhurma të formave të ndryshme, një pjesë e mirë e të cilave krijohen pikërisht nga ndërtesat në process ndërtimi.
Kjo pranohet edhe nga vetë Bashkia Tiranë. Në përgjigje të kërkesës për informacion dërguar nga Faktoje, Bashkia na informon se gjatë 5 muajve (Janar – Maj 2024) pranë policisë Bashkiake kanë shkuar rreth 110 ankesa në lidhje me ndotjen akustike, që vijnë kryesisht për shkak të zhurmave nga lokalet apo baret, lavazhet e automjeteve, pompat e ujit në ambiente të pallateve, banorë që kryejnë punime në banesat e tyre, furrat e bukës, kantieret e ndërtimit etj.
Ajo që është shqetësuese në këtë përgjigje është se nw fakt, ankesat e qytetarëve dhe aq më tepër pretendimet e kryebashkiakut për t’iu drejtuar atyre për t’u mbrojtur nga zhurmat janë të pakuptimta, kjo sepse Bashkia ende nuk ka aparatura apo burime njerëzore, që mund ta bëjnë matjen e zhurmave në kryeqytet.
“Bashkia e Tiranës nuk mund të përcaktojë nivelin e zhurmave pasi ende nuk disponon aparatura apo burime njerëzore të specializuara apo trajnuara në verifikimin dhe kontrollin mbi nivelin kufi të zhurmës së lejuar […] dhe për rrjedhojë nuk mund të përcaktojë vlerat kufi të zhurmës së lejuar. – shkruan Bashkia e Tiranës.
Në fakt, për vlerat kufi të zhurmës së lejuar mund t’i referohemi udhëzimit të vitit 2023 ku përcaktohen qartësisht vlerat sipas standardit të vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Këto vlera kufi madje pasqyrohen edhe në planin për zhurmat të miratuar nga vetë Bashkia Tiranë për vitet 2022-2027.
Udhëzimi i Ministrisë së Brendshme, asaj të Shëndetësisë dhe Ministrisë së Turizmit e Mjedisit thotë se është detyrë e Policisë Bashkiake të kryejë matjen e nivelit të zhurmës së gjeneruar nga veprimtaritë ekonomike apo sociale dhe, të vendosë gjoba në rast se shkelen nivelet kufi të zhurmës.
Njëkohësisht udhëzimi i kërkon Bashkisë Tiranë të masë nivelin e zhurmave bazuar në ankesën e paraqitur nga qytetarët, institucionet publike dhe private apo çdo subjekt tjetër i interesuar.
Por Bashkia e pranon për Faktoje ajo vijon të mos e përmbushë këtë detyrim ligjor të saj.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit është një tjetër institucion i ngarkuar me detyrën për të matuar zhurmat në stacione të caktuara të vendit çdo vit. Faktoje iu drejtua kësaj agjencie për të kërkuar informacion mbi situatën në të cilën gjendet kryeqytetit lidhur me ndotjen akustike. Sipas AKM-së, matja në 15 vendndodhje të ndryshme të kryeqytetit tregon se në Tiranë ka një tejkalim të normës së zhurmave gjatë ditës dhe gjatë natës, në të gjitha stacionet e monitoruara.
Në vitin 2022, që janë dhe rezultatet e fundit zyrtare të publikuara nga AKM, tejkalimin më të lartë të normës ditën për vitin 2022 e ka pika e monitorimit “21 Dhjetori”me 25.45% dhe “Lapraka” me 25.47%. Tejkalimi më i lartë i normës gjatë natës vërehet tek pika e monitorimit “Ish Banka Amerikane” në Bllok pranë sheshit Willson me 30.51%.
Nisur nga këto të dhëna publike dhe informacione zyrtare të marra nga institucionet shtetërore, premtimin e Bashkisë Tiranë për menaxhimin dhe trajtimin e problematikës së ndotjes akustike nga Policia Bashkiake e konsiderojmë të pambajtur.