Pretendimi: Ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim është larguar nga Departamenti amerikan i Shtetit në këmbim të ndalimit të hetimit kundër saj
Verdikti: E paprovuar
——————————————-
Më 18 mars 2025, një numër mediash dhe portalesh shqipfolëse raportuan se ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim kishte pranuar të largohej nga Departamenti amerikan i Shtetit nëse hetimet ndaj saj ndalonin.
Pretendimi duket se e ka zanafillën në një artikull të Hashtag.al i cili i referohet “burimeve të kualifikuara [që] thanë për Hashtag.al se zonjës Kim ju ofrua një marrëveshje e tipit “shkarkim me negocim” të cilin ajo e pranoi.”
Në të vërtetë, në mars 2025, Kim u shkarkua nga posti i saj si Zëvendës Ndihmës Sekretare kryesore e Byrosë së Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike.
“Mesditën e së hënës së 17 marsit 2025 Yuri Kim shkeli për herë të fundit në Departamentin Amerikan të Shtetit,” pretendojnë artikujt e mësipërm.
Megjithatë, Kim nuk u largua nga Departamenti i Shtetit dhe vijon të listohet në faqen e tij zyrtare si “Këshilltare e Lartë për Efiçencën dhe Llogaridhënien” në Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike.
Megjithëse duket se Kim ka pësuar një ulje në detyrë, duke mos qenë më pjesë e kryesisë së Byrosë në fjalë, por ajo mbetet pjesë e saj, dhe Departamentit të Shtetit, në një pozicion të ri që prej 1 marsit 2025.
Në fund të janarit 2025, gjithashtu, mediat shqipfolëse raportuan se ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim ishte shkarkuar nga pozicioni i saj në Departamentin e Shtetit. Megjithatë, ky pretendim rezultoi i pavërtetë. Në atë kohë, Kim shërbente si Zëvendës Ndihmës Sekretare kryesore e Byrosë së Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike, detyrë të cilën e mbajti deri më 1 mars 2025.