Një numër mediash kanë raportuar se piktura “Mullarët” e Claude Monet është dëmtuar nga aktivistë ambjentalistë kur ata hodhën pure patatesh mbi të. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se piktura nuk ishte dëmtuar, sepse ishte e pajisur me xham mbrojtës.
———————————
Në 23 tetor 2022, dy aktivistë nga grupi ambjentalist Letzte Generation (Brezi i Fundit) hodhën pure patatesh mbi veprën e artit impresionist “Mullarët” të piktorit francez Claude Monet, në Muzeun Barberini në Potsdam të Gjermanisë. Sipas tyre, ky veprim kishte qëllim rritjen e ndërgjegjësimit rreth njerëzve që “janë duke vdekur urie, duke ngrirë, duke vdekur” si pasojë e “katastrofës klimaterike”, ndërsa opinioni publik “shqetësohet për supë domatesh apo pure patatesh mbi një pikturë.”
Mediat në mbarë botën e kanë raportuar këtë ngjarje, dhe disa prej tyre, edhe duke fajësuar për këto veprime radikale të majtët apo fondacionet e Soros apo Bill Gates, si mbështetësit e këtyre lëvizjeve ambjentaliste.
Një fakt që është keqinterpretuar nga disa media shqiptare, është pretendimi se piktura është dëmtuar rëndë, sepse nuk ishte e mbrojtur nga një xham.
Në të vërtetë, piktura e Monet nuk është dëmtuar. Që ditën e veprimit të aktivistëve, një zëdhënës i Muzeut Barberini tha se piktura është e mbrojtur me xham. Në të njejtën kohë, muzeu pohoi në Twitter se, duke qenë se piktura ka xham mbrojtës, nuk ishte dëmtuar në ndonjë mënyrë.
Postimi në Twitter i Muzeut Barberini pohon “sot, më 23 Tetor, pikturës “Mullarët” të Monet iu hodh pure patatesh nga dy aktivistë të “Letzten Generation”. Meqë piktura është e veshur me xham, hetimi paraprak i konservuesve tregoi se nuk ishte dëmtuar në asnjë mënyrë.”
Në një postim të mëtejshëm, Muzeu Barberini ka deklaruar edhe se piktura do të ekspozohet sërish në sallat e tij duke filluar nga 26 Tetori.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Shënim:
*31 tetor 2022: Portali https://www.voxnews.al/ e ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar https://www.voxnews.al/lifestyle/pas-van-gogh-ambientalistet-radikale-demtojne-kryevepren-110-milione-d-i23058?fbclid=IwAR28nb8qM1HtmGW_c9VCJ-9rHPa2Ddtnuv7LMuSfPaX5WB_NvU3DfkmpI3w i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.