BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriRindërtimi i pallateve në lagjen 17 në Durrës po zvarritet, dy prej tyre ende nuk kanë nisur                       

Rindërtimi i pallateve në lagjen 17 në Durrës po zvarritet, dy prej tyre ende nuk kanë nisur                       

Në lagjen 17 të qytetit të Durrësit ka nisur puna për ndërtimin e pallateve të reja, pas dëmtimit nga tërmeti i tre viteve më parë, por objektet nuk janë ende gati për banorët. Në mars të këtij viti, kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako deklaroi se kishte filluar ndërtimi i pallateve në disa rrugë të lagjes 17. Nga një verifikim që Faktoje bëri në terren dhe përgjigjia e FSHZH rezulton se për dy nga 4 pallatet e planifikuar ende nuk kanë nisur të rindërtohen.

——————————————————————————————-

“Këtu në këtë lagje ne kemi një program model të rindërtimit, ku kemi filluar ndërtimin e dy pallateve, tek ‘Dalip Peza’ 13 katëshin ku do të strehohen 154 familje dhe ‘Lura’ e ‘Ahmet Dakli’ ku janë 158 familje të tjera, të cilat i akomodojmë dhe do t’i kthejmë një jetë normale”, deklaroi kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako më 4 mars të këtij viti.

Screenshot postimi i kryebashkiakes Sako

Në lidhje me këtë premtim të kryebashkiakes Sako, fillimisht iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Durrës, 19 shtator 2022

Mirëpo, në lidhje me këtë pyetje nuk morëm një përgjigje konkrete nga Bashkia Durrës.

“Në lidhje me pyetjet 10,11,12,13 mbi pyetjet që ju drejtoni në lidhje me procesin e rindërtimit pas tërmetit, ju sqarojmë se; Referuar Aktin normativ nr.9, datë 16.12.2019 “Për Përballimin e Pasojave të Fatkeqësisë Natyrore” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij përcaktohet qartë qëllimi i ligjit, kriteret dhe subjektet përfituese si dhe proçesi i rindërtimit dhe programet e tij. Ju shpjegojmë se për çdo fazë të këtij proçesi Bashkia Durrës ka publikuar në faqen zyrtare zhvillimet e procesit të rindërtimit, listat e subjekteve përfitues nga programet e rindërtimit sipas vendimeve përkatëse të këshillit bashkiak Durrës. Informacion i cili mund të konsultohet nga ana juaj në çdo kohë. Struktura përkatëse e rindërtimit është në komunikim të vazhdueshëm me subjektet e prekura. Gjithashtu ju sqarojmë se njësi zbatuese është Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Bashkia Durrës po vijon procedurat lidhur me procesin e rindërtimit dhe programet e tij.”- njofton Bashkia Durrës.

Përgjigjja e Bashkisë Durrës

Pas një kërkimi në faqen e bashkisë Durrës nuk gjetëm informacion mbi këto pallate dhe i kërkuam linqet përkatëse.

Por, morëm këtë përgjigje: “Për sa i përket pyetjeve nga pika 10-13 për të cilat ju kërkoni informacion mbi dy pallatet në lagjen 17 ju lutem na sillni kodin gis për cilat pallate bëhet fjalë pasi janë më shumë se dy”.

Në lidhje me ndërtimin e këtyre pallateve, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Kërkesa për informacion dërguar FSHZH, 30 shtator 2022

FSHZH sqaroi për Faktoje se po ndërton 4 pallate në lagjen 17 të qytetit të Durrësit, por pranon zyrtarisht se asnjë prej tyre nuk është gati për banorët.

“Në kuadër të Programit të Rindërtimit, FSHZH po zbaton në Durrës ndërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për 4 pallatet pikësore lagjia. 17, Rruga ‘Lura’, nr. 1&3 dhe Rruga ‘Ahmet Dakli’ nr. 15&23 si dhe një pallat pikësor nr. 458 në rrugën ‘Bajram Tushe’, me vlerë kontrate 898,673,298 Lekë dhe numër total apartamentesh prej 180.

Në objektin Godinë Banimi 9-katësh me 1 kat nëntokë në rrugën ‘Ahmet Dakli’ (seksioni i parë prej dy objektesh) ka përfunduar karabinaja 100% dhe janë drejt përfundimit punimet për muraturën dhe po punohet me suvatimet e brendshme dhe punimet elektrike.

Sa i përket dy objekteve të tjera në rrugën ‘Lura’ po punohet për ndërtimin e pilotave pas lirimit të sheshit të ndërtimit dhe pajisjes me leje ndërtimi.

Ndërkohë punimet civile dhe rifiniturat kanë përfunduar për godinën e banimit në rrugën ‘Bajram Tusha’ dhe po punohet për procesin e kolaudimit të ashensorëve dhe po bëhen pastrimet. Ky objekt ka 24 apartamente dhe 1 njësi shërbimi”, njofton Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Faktoje ishte në qytetin e Durrësit më 7 tetor, ku pamë nga afër si po ecte procesi i rindërtimit të pallateve në lagjen 17, në rrugët e cituara nga kryebashkiakja. Në lagjen “Dalip Peza” po ndërtohej një pallat me dy seksione banimi.

Mbikqyrësi i punimeve në këtë objekt bëri të ditur për Faktoje se pritet që punimet të përfundojnë në dhjetor të vitit tjetër.

“Këtu po ndërtohen 2 seksione pallatesh, janë 152 apartamente. Procesi ka nisur në disa faza, fillimisht u shembën nga IKMT pallatet e dëmtuara, vjet në tetor-nëntor. Vitin tjetër nga dhjetori besoj se mbyllen punimet”, thotë ai.

Nga tabela e punimeve në hyrje të kantierit shihej që financues për këtë objekt është “Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit” dhe afati i përfundimit të punimeve është 18 muaj.

Screenshot tabela e punimeve në rrugën “Dalip Peza”

Pallati që po ndërtohet në rrugën ‘Dalip Peza’

Pallati që po ndërtohet në rrugën ‘Dalip Peza’

Në rrugën ‘Ahmet Dakli’ po ndërtohet një tjetër pallat. Periudha e punimeve sipas tabelës në hyrje të kantierit të ndërtimit është 5.7 muaj dhe financues është “Fondi Shqiptar i Zhvillimit”.

Screenshot tabela e punimeve, lagjia 17 Durrës

Inxhinieri i objektit tha për Faktoje që ka 6-7 muaj që kanë nisur punimet, por nuk dihet kur pritet të përfundojë.

“Janë 8 kate banimi dhe 2 kate për dyqane. Secili kat ka 10 apartamente”, sqaroi ai.

Pallati në ndërtim në lagjen 17 Durrës

Ndërkohë, referuar përgjigjes së FSHZH, në rrugën “Lura”, lagjja 17 e Durrësit, nuk ka nisur ende puna për ndërtimin e pallateve.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img